Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 9 mars 2026, me ftesë të Gjeneral Brigade Altin Kurti, Komandant i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë 2026 pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtorja e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Prof. Diana Kastrati, zhvilloi një leksion me temë “Diaspora Historike Shqiptare: Arbëreshët e Italisë”.

Leksioni u organizua në kuadër të ciklit të kurseve institucionale të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe u ndoq nga oficerë të lartë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë prezantimit u trajtuan migrimet historike të arbërve drejt Italisë, vendosja e komuniteteve arbëreshe në jug të vendit dhe ruajtja ndër shekuj e gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre. Njëkohësisht, u prezantua edhe veprimtaria e QSPA-së gjatë viteve të fundit, e përqendruar në kërkimin shkencor, botimet dhe promovimin e kulturës arbëreshe.

Aktiviteti u mbyll me diskutime nga pjesëmarrësit dhe me vlerësime për kontributin e QSPA-së në studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore arbëreshe. Në përfundim, Gjeneral Brigade Altin Kurti i dorëzoi Prof. Diana Kastrati një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike për kontributin e saj.