Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Krijimi i organizatës së Lidhjes së Kombeve, si pjesë e zgjidhjeve që dha Konferenca e Paqes në Paris 1919, me idenë dhe kontributin e madh të presidentit amerikan Wilson, ngjalli shpresa të mëdha për më shumë drejtësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, kryesisht për shtetet e reja e të vogla të krijuara në prag apo pas Luftës së Parë Botërore, pasi sillte një element të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare atë të diplomacisë publike, debatit të hapur dhe sigurisë kolektive.

Qeveria shqiptare e konsideroi antarësimin në këtë organizatë si garanci për një trajtim më të drejtë të statusit dhe kufijve të Shqipërisë në tryezat vendimarrëse të Fuqive të Mëdha . Ajo shfrytëzoi faktin që me 15 nëntor 1920 do të hapej sesioni i pare i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjeneve të Zvicrës. Me 12 tetor, kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes Pandeli Evangjeli i drejtoi një leter Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummond në të cilën në emër të popullit shqiptar kërkoi që Shqipëria të pranohej anëtare në Lidhjen e Kombeve e të merrte pjesë në Asamblenë e madhe që do të hapej me 15 nëntor.

Periudha 12 tetor 1920 deri me 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, ishte e mbushur me një punë intensive diplomatike të qeverisë shqiptare dhe delegacioneve të saj në Paris e Gjenevë, dhe e mbështetur nga miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku spikat deputeti britanik Aubrey Herbert, etj.

Anëtarësia në organizatën e Lidhjes se Kombeve shënon edhe fillesat e diplomacisë shumëpalëshe për shtetin shqiptar. Delegacioni shqiptar mbajti gjithmonë një qëndrim aktiv dhe progresist në këtë organizatë, e kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve kudo ku ato ndodheshin.

Antaresimi i Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve ,1920