Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Vlerësojmë nivelin e mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe vullnetin politik për të forcuar më tej bashkëpunimin mes vendeve tona, duke e konsideruar atë një interes të drejtpërdrejtë të politikës sonë të jashtme. Pozicioni i Shqipërisë është në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, procesit të integrimit të saj në NATO dhe BE, si dhe reformat e nevojshme politike në vend të ndërmarra në kuadër të këtij procesi dinamik.

Aktualisht, një numër marrëveshjesh janë lidhur me Bosnjë dhe Hercegovinën në shumë fusha, duke krijuar një kuadër të favorshëm ligjor për promovimin e bashkëpunimit dypalësh.

Megjithëse shkëmbimet tregtare me Bosnje dhe Hercegovinën janë rritur gjatë viteve të fundit, por ato mbeten në nivele të ulëta dhe larg potencialit që ekziston midis vendeve tona.

Në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve me komunitetin shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, si një urë e sigurt për forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona, inkurajojmë bashkëpunimin në fusha të tilla si arsimi në gjuhën amtare, integrimi i shqiptarëve në institucione, shkëmbimet kulturore dhe shkencore me Shqipërinë, etj. Me qëllim forcimin e tregtisë dhe lidhjeve midis popujve, prej tetorit 2016 është hapur Konsullata e Nderit në Sarajevë.