Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Diplomacia Ekonomike në Fokusin e Politikës së Jashtme

Si një nga prioritetet e politikës së jashtme, diplomacia ekonomike dhe fuqizimi i dimensionit të saj, në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik me vende partnere dhe strategjike, në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe interesave strategjike të vendit, erdhi si nevojë dhe kërkesë e kohës dhe globalizmit ekonomik në të cilin influenca dhe kontrolli nëpërmjet diplomacisë ekonomie ka rritur rolin, forcën dhe përfshirjen e Ministrisë së Jashtme në tërësinë e dialogut të jashtëm ndër-shtetëror, duke shkuar përtej tregtisë dhe investimeve, deri në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Me një agjendë gjithëpërfshirëse, diplomacia ekonomike trajton çështje që lidhen me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, marrëveshjet gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit ekonomik bilateral dhe multilateral, që lehtësojnë shkëmbimet midis palëve kontraktuese, eliminojnë divergjencat, problematikat e lindura në marrëdhëniet shtet me shtet dhe biznes me shtet, duke tentuar adresimin e saktë me zgjidhje më të mira, si dhe harmonizojnë standardet në sektorë të ndryshëm ekonomik, social, mjedisor, arsimor, kulturor.

Për realizmin e një politikë të jashtme aktive, marketingu dhe pragmatiste, me fokus tek promovimi i interesave kombëtare të vendit, nxitjes dhe tërheqjes së investimeve të huaja, si dhe nevojës për autoritet zyrtar në ndërveprim, brenda Strukturës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, MEPJ, është ngritur Drejtoria e Diplomacisë Ekonomike. Si një instrument i politikës së jashtme dhe si një njësi me funksion bazë të saj ndërveprimin, bashkërendimin dhe bashkëpunimin me struktura brenda dhe jashtë MEPJ-së, lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me promovimin e interesave ekonomike të vendit në tërheqjen e investimeve të huaja, promovimin e vendit si destinacion turistik dhe promovimin e produkteve dhe të shërbimeve “Made in Albania.”

1.Diplomacia Ekonomike

2.Promovimi i Shqipërisë

3.Investimet

4.Bashkëpunimi dhe Marrëdhëniet ekonomiko – tregtare