Ministry for Europe and Foreign Affairs

Më 7 shkurt u mbushën 65 vite nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Austrisë, 7 shkurt 1956.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sa më shumë formësoheshin grupimet politiko-ushtarake në kuadër të Luftës së Ftohtë, aq më shumë kufizohej harta gjeografike e njohjeve të qeverisë komuniste të Tiranës. Për shkak të pozicionit të saj neutral në zbatim të pikave të Traktatit të Paqes të katër Fuqive të Mëdha me Austrinë (15 maj 1955), kjo e fundit ishte ndër vendet e pakta perëndimore që Tirana zyrtare në rrugë diplomatike, jo publike, bëri përpjekje të ngjallte interesin e qeverise austriake për vendosjen sipas termave të kohës (në fakt rivendosje) të marrëdhënieve diplomatike.

Ngacmuar nga sinjalet që vinin nga Tirana zyrtare, synimet e vjetra politike austriake për ekuilibër në rajon, dhe interesat tregtare austriake në Shqipëri, qoftë edhe si vend transit, në korrik të vitit 1955 pala austriake shfaqi nëpërmjet përfaqësuesit të saj diplomatik në Sofje interesin e saj për rivendosje të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, si i vetmi vend i Demokracive Popullore me të cilin nuk kishte marrëdhënie diplomatike.

Më 9 janar 1956 , ambasadori austriak në Beograd, Walter Wodak, i beri një vizitë Ministrit Fuqiplotë të RP të Shqipërisë atje, Bato Karafili. Ambasadori austriak komunikoi vendimin e qeverisë së tij të 20 dhjetorit 1955 (pak ditë pas pranimit të Shqipërisë në OKB), për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ai kërkoi mendimin e palës shqiptare. Ambasadori Wodak propozoi që kjo të ndodhte me shkëmbim notash midis dy përfaqësive diplomatike në Beograd dhe pastaj një komunikatë e përbashkët në shtyp. Qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte i menjëhershëm në dakordësi me vendimet e qeverisë austriake, por duke kërkuar që ky akt të quhej “vendosje” e jo “rivendosje” e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Më 7 shkurt 1956, në selinë e Legatës shqiptare në Beograd, u shkëmbyen nota diplomatike midis dy përfaqësuesve diplomatikë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Vjena do e mbulonte Shqipërinë nga Beogradi, duke konfirmuar peshën që zinte Jugosllavia e cila qëndronte jashtë blloqeve politike të Luftës së Ftohtë, në politikën e jashtme austriake në këtë rajon. Kjo situatë do të vazhdonte deri në vitin 1992. Tirana do e mbulonte Austrinë nga Praga deri në vitin 1962 , kur pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS e daljes së Shqipërisë nga blloku lindor, Austria mori peshë të rëndësishme në politikën e jashtme të Shqipërisë.

Në vitin 1962 u hap Legata shqiptare në Vjenë.