Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,

Dëshiroj që në krye të herës të përshëndes organizimin e kësaj seance debati për çështjen më madhore kombëtare si dhe nismën për miratimin e një rezolute të posaçme me një tekst konsensual mbi rëndësinë e procesit dhe rolin kyç të Parlamentit në mbështetje të këtij objektivi dhe projekti gjithëpërfshirës kombëtar. Kjo rezolutë i bën nder kuvendit dhe vendit.

Do të përqendrohem shkurt në disa aspekte kryesore nga këndvështrimi i përgjegjësive të Ministrisë që drejtoj:

Konstatimi i parë – Që prej miratimit të Raportit të Progresit, qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit nuk ka ndryshuar. Ai mbetet në themel një nga prioritetet strategjike të BE-së, edhe si nevojë për më shumë stabilitet dhe siguri në kontinent. Natyrisht dhe mbështetja për integrimin e Ballkanit Perëndimor mbetet e gjerë dhe e konsoliduar.

Konstatimi i dytë është se marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta, më konkrete, më përmbajtësore dhe më premtuese se sot.

Në bazë të kësaj marrëdhëniejeje natyrshëm qëndron procesi i negociimit për anëtarësimin, një proces, siç u tha me të drejtë, i bazuar në meritë, ku rezultatet konkrete dhe reformat reale mbeten kriteri i vetëm i vlerësimit nga Bashkimi Evropian.

Konstatimi i tretë: Ka të bëjë me progresin domëthënës që ka bërë Shqipëria. Falë punës së administratës publike, angazhimit të ekipit negociator, vullnetit politik të përgjithshëm në këtë vend dhe mbështetjes së partnerëve tanë evropianë, vendi ka avancuar, siç e dinë të gjithë,  me një ritëm të përshpejtuar, të pazakontë, dhe absolutisht të vlerësuar.

Shqipëria e ka konsoliduar pozicionin e saj si një nga dy vendet pararojë të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, së bashku me Malin e Zi.

Sa herë, kudo ku flitet për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, përmendet detyrimisht edhe Shqipëria. Përmendet dhe objektivi ynë për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 dhe për t’u anëtarësuar në BE në horizontin 2030.

Zyrtarët më të lartë të BE-së përfshirë shtetet anëtare kanë theksuar në mënyrë të përsëritur, here pas here, se nëse ruhet ritmi aktual i reformave dhe përmbushjes së standardeve, ky objektiv I anëtarësimit të Shqipërisë brenda 2030 është absolutisht i arritshëm.

Natyrshëm, Ministria që drejtoj ka intensifikuar dialogun politik me institucionet evropiane dhe shtetet anëtare, në funksion të këtij procesi.

Me lejoni të theksoj se procesi kryesor aktual, është ai i shqyrtimit të raportit të Komisionit Evopian për Piketat e Ndërmjetme dhe ky process, ndryshe nga sa dëgjohet apo thuhet dhe shkruhet në arenën publike, as nuk është bllokuar as nuk është ndaluar dhe as nuk është vetuar nga ndonjë shtet anëtar. Përkundrazi, ai ka vëmendjen dhe angazhimin maksimal nga të gjitha vendet anëtare të cilave duhet t’u jemi shumë mirënjohës, për vëmendjen që i kanë kushtuar.

Dua të theksoj, gjithashtu, se si çdo vend kandidat, Shqipëria, nuk është e pranishme e as pjesë formale e diskutimeve të brendshme mes Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare në Grupin e Punës për Zgjerimin. Shqipëria si çdo vend kandidat – do të jetë në atë tavolinë vetëm kur të bëhet vend anëtar.

Siç kemi bërë gjithnjë, mendoj se duhet të jemi të duruar  dhe të presim vendimin e vendeve anëtare.

Ajo që po bëjmë aktualisht është një aktivitet intensiv diplomatik në Tiranë, në Bruksel, në kryeqytetet evropiane dhe në forume ndërkombëtare, për të forcuar mbështetjen për vendin dhe për procesin dhe në mënyrë të veçantë  për të ruajtur ritmin, besueshmërinë dhe integritetin e procesit të zgjerimit.

Të nderuar deputetë,

Është e natyrshme që sa më shumë që avancojmë, aq më të mëdha bëhen përgjegjësitë dhe pritshmëritë ndaj nesh.

Për këtë arsye, procesi i integrimit duhet të mbështetet nga një klimë më konstruktive dialogu politik dhe nga një gjithëpërfshirje më e gjerë shoqërore.

Partnerët tanë evropianë e konsiderojnë shumë të rëndësishëm përmirësimin dhe forcimin e dialogut politik, përfshirjen e të rinjve dhe grupeve të tjera të interesit, dhe rritjen e komunikimit publik mbi procesin e anëtarësimit dhe domethënien e tij për qytetarët.

Dhe këtu do të doja të bëja një sqarim: të gjitha ato që ne i quajmë – kushte apo angazhime – janë absolutisht publike. Nuk ka asnjë gjë të fshehur nga ato që quhen kushte apo angazhime, sepse pas çdo konference ndërqeveritare pozicioni i përbashkët i Bashkimi Evropian është bërë publik. Është për këdo që do ta konsultojë në faqen përkatëse të Komisionit Europian.

Unë pajtohem me idenë se në këtë fazë, integrimi evropian nuk mund të mbetet vetëm një proces institucional dhe teknik. Ato aspekte janë të absolutisht të paevitueshme, por ne duhet të punojmë bashkë që ai të jetë një projekt kombëtar dhe shoqëror, që kërkon angazhim të përbashkët, siç ishte rezoluta e sotme.

Po e mbyll, zoti Kryetar, duke theksuar që në një proces kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, është absolutisht imperative që të gjithë, pavarësisht nga dallimet politike, pavarësisht nga qasjet e ndryshme të bëjmë gjithçka për të maksimalizuar mundësinë reale që Shqipëria ka sot për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027 dhe për t’u bërë vend anëtar i BE-së në horizontin 2030. Procesi i negocimit po bën pikërisht këtë: të avancojmë në çdo fushë, përfshirë në ato ku ka nëvojë për më shumë, më mirë e më shpejt, siç rekomandohet në Progresin e Raportit të vitit të kaluar.

Ky është një investim strategjik për Shqipërinë dhe të nesërmen, për një vend më të fortë, më demokratik, më të zhvilluar dhe më të sigurt.

Është një angazhim që u shërben të gjithë qytetarëve, e veçanërisht fëmijëve e të rinjve që do të jenë qytetarët e nesërm të Bashkimit Evropian, me më shumë mundësi, siguri dhe dinjitet.

Kjo është sfida dhe përgjegjësia jonë e përbashkët.

Faleminderit