Ministry for Europe and Foreign Affairs

“Bashkëndamë vlerësimin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë sot më të forta dhe më të konsoliduara se kurrë më parë, të mbështetura mbi “partneritetin tonë strategjik, vizionin e përbashkët euroatlantik dhe lidhjet e pandashme mes dy vendeve tona”, – u shpreh ministri Hoxha në kuadër të këtij takimi.

“Vlerësuam se mbledhjet e përbashkëta të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës përfaqësojnë nivelin më të lartë të institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy shteteve tona. Ramë dakord mbi nevojën për ruajtjen dhe fuqizimin e mëtejshëm të këtij mekanizmi, si një instrument i rëndësishëm për afrimin e politikave, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e interesave tona të përbashkëta”, tha ai.

“Rikonfirmova se Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj të gjithanshme për Kosovën, përfshirë në afirmimin dhe konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fortë në mbështetje të Kosovës, sepse një Kosovë më e fortë, më e integruar dhe më e afirmuar ndërkombëtarisht është në interes të paqes, stabilitetit dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit”, – përfundoi ministri.