Ministry for Europe and Foreign Affairs

04.06.2025, nga Athanassios Katsikidis

Pyetje: Edi Rama fitoi zgjedhjet në Shqipëri për herë të katërt. Çfarë rezervon e ardhmja për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet greko-shqiptare?

Ministri Hasani: Mbështetja e fuqishme që treguan shqiptarët me banim në Greqi për Ramën pasqyron si besimin e tyre në udhëheqjen e tij, ashtu edhe besimin e tyre në reformat që ka ndërmarrë qeveria jonë. Pasqyron lidhjen e thellë që diaspora jonë ruan me rrugën demokratike dhe zhvillimore të vendit.

Sa i përket të ardhmes së marrëdhënieve greko-shqiptare, jemi të vendosur të thellojmë bashkëpunimin mbi bazën e respektit të ndërsjellë, të vlerave të përbashkëta dhe të interesave strategjike.

Pyetje: Ka përparim në çështjen e delimitimit të zonave detare?

Ministri Hasani: Çështja e përcaktimit të zonave detare është një nga temat që jemi të angazhuar ta zgjidhim me homologët tanë grekë. Ashtu siç është rënë dakord më parë, vazhdojmë të shqyrtojmë kuadrin që synon gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht, juridikisht të saktë dhe të qëndrueshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo çështje, ashtu si edhe të tjera që janë pezull, përbën pjesë të një dialogu më të gjerë që formësohet nga besimi dhe bashkëpunimi konstruktiv.

Pyetje: Çfarë masash po merren për të garantuar të drejtat e pakicës kombëtare greke?

Ministri Hasani: Shqipëria mbetet në mënyrë të qëndrueshme e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të të gjitha pakicave kombëtare, përfshirë pakicës greke, e cila përbën pjesë të pandashme dhe të respektuar të shoqërisë sonë. Kemi përafruar kuadrin tonë ligjor me standardet evropiane dhe do të vazhdojmë të sigurojmë që të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, të gëzojnë të drejta të plota dhe trajtim të barabartë në përputhje me ligjin. Ne gjithashtu besojmë se komunitetet minoritare përbëjnë ura miqësie mes dy vendeve tona. Pakica greke në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi janë shembuj të gjallë të kësaj lidhjeje të qëndrueshme.

Pyetje: Për çështjen e pronave janë paraqitur rreth 8.000 ankesa në gjykatat e Vlorës…

Ministri Hasani: E drejta e pronësisë është një çështje e ndjeshme dhe afatgjatë, jo vetëm për komunitetet minoritare, por edhe për shumë qytetarë, për shkak të tranzicionit të ndërlikuar pas komunizmit. Qeveria shqiptare është e vendosur të trajtojë pretendimet e pronësisë në mënyrë të drejtë, transparente dhe juridikisht të saktë. Për shembull, kemi ndërmarrë reforma në proceset e regjistrimit, digjitalizimit dhe kompesimit të pronësisë. E kuptojmë peshën historike dhe aspektin njerëzor të çdo rasti dhe jemi të përkushtuar t’i zgjidhim ato në përputhje me standardet ligjore evropiane.

Pyetje: A planifikon qeveria juaj incentiva për të tërhequr investime greke?

Ministri Hasani: Investitorët grekë janë partnerë të mirëpritur dhe ne shpresojmë në zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e energjisë së rinovueshme, turizmit ndërkufitar dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Pyetje: Si e shihni rolin e Greqisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

Ministri Hasani: Si dy fqinj që kemi marrëdhënie të thella historike dhe gjeografike, ne besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE i shërben interesit strategjik të Greqisë për promovimin e stabilitetit dhe mirëqenies në rajon. Me katër grupet e punës që janë krijuar tashmë, fokusohemi në arritjen e rezultateve dhe përllogarisim që Greqia të mbetet mbështetëse e fortë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor brenda BE-së.

https://www.kathimerini.gr/politics/563647876/igkli-chasani-stin-k-synergasia-gia-tin-oriothetisi-tis-aoz/