Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u prit në një takim nga Kryeministri Hristijan Mickoski.

Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë në fushën e ekonomisë dhe investimeve. Po ashtu, edhe në përgatitjet për mbajtjen e sesionit të ardhshëm të takimit ndërqeveritar G2G.

Sipas Spiropalit, bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy vendeve është përkthyer gjithmonë në rezultate të prekshme për jetët e qytetarëve tanë.

Ministrja solli në vëmendje njohjen e përbashkët të diplomave dhe gradave shkencore, njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët, kontrollet e përbashkëta dhe lehtësimi i kalimit kufitar, si dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike.

Kryeministri Mickoski e vuri theksin te aspirata europiane e të dyja vendeve, të cilat besojnë te integrimi në BE si një proces i bazuar plotësisht në meritë.