Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi në Kryesinë e Kuvendit, Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë, një projektligj që sipas saj, hap një kapitull të ri për sistemin e diplomacisë shqiptare.

Gjatë prezantimeve në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Spiropali theksoi se ky është një ligj për integrimin europian, sepse vendos standarde më të larta profesionalizmi, meritokracie, transparence dhe koordinimi institucional, në një moment kur vendi ynë po përshpejton ritmin e negociatave të anëtarësimit në BE.

“Projektligji për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë nuk është thjesht një përditësim teknik i një ligji ekzistues. Ai është një ndërhyrje reformuese, që lidhet drejtpërdrejt me objektivin strategjik të Shqipërisë: anëtarësimin në BE. Shërbimi i jashtëm është një nga instrumentet kryesore për ta çuar përpara këtë proces, për të ndërtuar besim tek partnerët dhe për ta përfaqësuar Shqipërinë si një vend serioz, i besueshëm dhe i përgatitur për anëtarësim. Projektligji ri është pikërisht përgjigjja ndaj kësaj nevoje: një riorganizim i thellë institucional dhe profesional, për ta përshtatur diplomacinë shqiptare me ambiciet e kohës së re dhe me kërkesat konkrete të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, deklaroi Spiropali.

Ministrja shpjegoi përfitimet konkrete që sjellin ndryshimet e propozuara për të gjithë: duke nisur nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, tek shoqëria civile, biznesi, diplomatët dhe vetë institucionet.

Për qytetarët, shpjegoi Spiropali, rritet niveli i mbrojtjes së të drejtave të tyre jashtë vendit.

Me ligjin e ri përmirësohet ndjeshëm efikasiteti i shërbimit konsullor, ndërsa jeta kulturore, artistike dhe identitare e shqiptarëve në diasporë merr mbështetje më të strukturuar dhe më të qëndrueshme. Për shoqërinë civile, krijohen kanale të reja përfaqësimi dhe pjesëmarrjeje në hartimin dhe zbatimin e politikave të jashtme.

“Kjo e bën diplomacinë më të hapur, më gjithëpërfshirëse dhe më të lidhur me energjitë e shoqërisë. Për biznesin, projektligji lehtëson hapjen e posteve konsullore dhe misioneve të reja diplomatike, që do të shërbejnë si ura konkrete lidhëse mes shtetit shqiptar dhe tregjeve ndërkombëtare”, theksoi Ministrja e Jashtme.

Sa i përket diplomatëve, Spiropali tha se “ligji i ri fuqizon statusin e tyre, përmirëson trajtimin financiar për diplomatët në detyrë dhe familjet e tyre, vendos një sistem më të qartë karriere dhe forcon parimin e meritokracisë”.

“Në aspektin ndërinstitucional, projektligji krijon bazat për një bashkërendim shumë më të efektshëm mes institucioneve shtetërore, në mënyrë që zëri i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të jetë më i fortë, më i koordinuar dhe më koherent. Projektligji rregullon në mënyrë të qartë dhe transparente procesin e emërimit dhe përfundimit të mandatit të drejtuesve të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore, si dhe të personelit diplomatik e konsullor. Njëkohësisht, forcohen kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës, duke u bazuar në standarde akademike dhe profesionale më të larta. Ligji aktual ka boshllëqe të dukshme në këto procedura. Projektligji i ri i mbyll këto boshllëqe dhe krijon një sistem më të parashikueshëm, më transparent dhe më profesional”, tha Spiropali.

Një element kyç i reformës është struktura e re e Akademisë Diplomatike, e cila do të thellojë bashkëpunimin me akademi homologe në vendet partnere, sipas modeleve më të mira ndërkombëtare.

Spiropali njoftoi edhe hapjen e sistemit për emërime jashtë karrierës diplomatike, por vetëm për individë me karrierë të spikatur ndërkombëtare, duke përfshirë ekspertë dhe profesionistë që kanë shërbyer në organizata publike ndërkombëtare.

Për herë të parë, krijohet një strukturim më i qartë i përpjekjeve lobuese për të lehtësuar hyrjen e bizneseve të huaja në tregun shqiptar dhe për të mbështetur sipërmarrjen shqiptare jashtë vendit.

Një tjetër risi e rëndësishme është krijimi i zyrave ekonomike dhe qendrave kulturore pranë përfaqësive diplomatike.

“Në praktikë, kjo krijon një zinxhir të strukturuar përfaqësimi dhe lobimi, që nis nga Tirana dhe shtrihet në të gjithë botën, duke e bërë diplomacinë shqiptare më aktive në fushat ekonomike, kulturore dhe publike”, përfundoi Spiropali.