Ministry for Europe and Foreign Affairs

Shërbimi i Jashtëm është shtylla e shtetit shqiptar për të përfunduar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kështu deklaroi Ministrja Elisa Spiropali nga Komisioni Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, ku prezantoi projektligjin për shërbimin e jashtëm.

Ky projektligj sipas saj, nuk është thjesht një përditësim teknik i një ligji ekzistues, por një ndërhyrje reformuese, që lidhet drejtpërdrejt me objektivin strategjik të Shqipërisë: anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm një proces teknik negociatash. Ai është një proces transformimi tërësor institucional, ku çdo hallkë e shtetit duhet t’i përgjigjet sfidës së anëtarësimit.

Shërbimi i jashtëm është një nga instrumentet kryesore për ta çuar përpara këtë proces, për të ndërtuar besim tek partnerët dhe për ta përfaqësuar Shqipërinë si një vend serioz, i besueshëm dhe i përgatitur për anëtarësim. Në këtë kuptim, projektligji që kemi përpara nuk është thjesht një ligj për diplomatët”, tha Spiropali.

Sipas Ministres, ky është një ligj për integrimin, sepse vendos standarde më të larta profesionalizmi, meritokracie, transparence dhe koordinimi institucional, pikërisht në një moment kur vendi ynë po përshpejton ritmin e negociatave.

“Ligji aktual është produkt i një kohe tjetër, i një realiteti tjetër politik dhe gjeopolitik. Për më shumë se një dekadë, bota ka ndryshuar me ritme të shpejta, ndërsa diplomacia jonë ka mbetur e lidhur me struktura dhe rregulla që nuk i përgjigjen më nevojave të sotme.

Ky projektligj është pikërisht përgjigjja ndaj kësaj nevoje: një riorganizim i thellë institucional dhe profesional, për ta përshtatur diplomacinë shqiptare me ambiciet e kohës së re dhe me kërkesat konkrete të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Spiropali.