Ministry for Europe and Foreign Affairs

Navigate to this Section

Rezarta Mataj mban aktualisht detyrën e Këshilltares së Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, që prej 2024.

Më herët, 2022- 2024, ajo ka shërbyer si Sekretare e Parë në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, gjatë periudhës së anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Në këtë kapacitet, ajo ka qenë aktive në punimet e Këshillit të Sigurimit, duke përfaqësuar qëndrimet e Shqipërisë, kontribuar në përgatitjen e deklaratave zyrtare dhe ofruar analiza të detajuara mbi çështje kyçe të agjendës së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Nga 2017-2019, Rezarta Mataj ka punuar pranë Zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë, fillimisht si Sekretare e Kryeministrit në protokoll dhe më pas si Asistente Personale e Kryeministrit, duke mbështetur drejtpërdrejt funksionimin e agjendës ekzekutive dhe koordinimin institucional në nivele të larta.

Përvoja e saj profesionale përfshin gjithashtu rolin e Koordinatores për Marrëdhëniet me Alumni-t në Universitetin Columbia në Nju Jork (2019–2022), ku ka drejtuar programe globale të rrjetëzimit profesional dhe zhvillimit të karrierës. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka shërbyer gjithashtu si Zëvendës Presidente e Shoqatës së Shqiptarëve të Universitetit Columbia (2022–2023), duke kontribuar në forcimin e angazhimit të komunitetit shqiptar akademik dhe diplomatik në Shtetet e Bashkuara.

Rezarta Mataj ka përvojë edhe në fushën e medias dhe komunikimit, duke kontribuar si “freelancer” për revista ndërkombëtare si Global Woman dhe Migrant Woman Magazine, si dhe duke punuar si prezantuese televizive dhe radiofonike në Shtetet e Bashkuara.

Ajo ka përfunduar Masterin në Administratë Publike në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Columbia, me fokus në Politikë Globale,  Menaxhim dhe Inovacion. Është diplomuar Cum Laude në Komunikim dhe Retorikë nga Universiteti Shtetëror i Nju Jorkut në Albany. Gjatë formimit të saj akademik, ajo është vlerësuar me Çmimin për Ekselencë në Shkrimin Akademik për punimin e saj mbi temën “Dirty War in Argentina.”