Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një postim në X, u shpreh se pas afër katër muajsh në detyrë, gjatë të cilëve ka takuar dhe biseduar me të gjithë homologët e tij në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në rajon dhe në mbarë hapësirën evropiane, ka zhvilluar qindra takime me zyrtarë, diplomatë, gazetarë, ekspertë dhe studiues, si dhe ka marrë pjesë në dhjetëra ministeriale, konferenca, forume dhe aktivitete ndërkombëtare, një përfundim del qartë.

Sipas Ministrit Hoxha, kurrë më parë në historinë e saj, Shqipëria nuk ka pasur një emër më të mirë në botë dhe një zë më të fortë në arenën ndërkombëtare.

Ai thekson se asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka gëzuar marrëdhënie kaq të besueshme e të konsoliduara miqësie dhe bashkëpunimi me partnerët dhe aleatët e saj, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Po ashtu, Ministri shprehet se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e respektuar, më e vlerësuar, më e dëshiruar dhe më e vizituar se sa është sot, me derën të hapur kudo dhe e mirëpritur gjithkund.

Ai shton se në çdo kryeqytet ku ka qenë gjatë kësaj kohe ka ndjerë të njëjtën frymë: Shqipëria dëgjohet me më shumë vëmendje, trajtohet me më shumë respekt dhe shihet si një partner serioz, i besueshëm dhe me kontribut konkret për Evropën dhe rajonin.

Sipas Ministrit Hoxha, sot emri i Shqipërisë lidhet gjithnjë e më shumë me lirinë, suksesin, zhvillimin, turizmin, mikpritjen, energjinë pozitive dhe një shoqëri dinamike në transformim të pandalshëm, si pasqyrim i një Shqipërie më të hapur, më konkurruese dhe më të pranishme se kurrë në hartën politike, ekonomike dhe turistike të Evropës.

Mbi të gjitha, ai thekson se Shqipëria është në prag të realizimit të ëndrrës që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë: anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe rikthimit të plotë në përkatësinë e saj historike, politike dhe qytetëruese evropiane.

Ministri Hoxha nënvizon se ky nuk është thjesht një moment historik, por një mundësi që vjen një herë në breza dhe që kërkon edhe më shumë përkushtim, përgjegjësi, punë, energji dhe vendosmëri.

Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është projekti kombëtar i Shqipërisë dhe kërkon bashkimin e energjive më të mira për ta shndërruar këtë moment historik në arritjen më të madhe të Shqipërisë demokratike dhe në një trashëgimi të qëndrueshme për brezat që do të vijnë.