Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë në vijim të përfundimit të fazës së deklaratave përmbyllëse në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” riafirmon angazhimin e saj të qëndrueshëm dhe të palëkundur për respektimin e së vërtetës, vendosjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e dinjitetit të viktimave të luftës në Kosovë, në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare të së drejtës.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson një përpjekje çlirimtare të zhvilluar në rrethana të represionit të thellë dhe mohimit sistematik të të drejtave themelore, me synim garantimin e lirisë, sigurisë dhe dinjitetit njerëzor. Ajo përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e popullit të Kosovës dhe në aspiratën e tij legjitime për vetëvendosje.

Në këtë kontekst, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson se çdo proces gjyqësor që lidhet me periudhën e luftës duhet të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë, duke garantuar paanshmëri, pavarësi institucionale dhe respektim të plotë të të drejtave procedurale të të pandehurve. Drejtësia duhet të administrohet pa ndikime politike dhe pa krijuar narrativa që cenojnë parimin e përgjegjësisë individuale apo kontekstin historik të ngjarjeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh besimin se një proces i drejtë, i balancuar dhe i mbështetur në prova të verifikueshme do të kontribuojë në forcimin e besimit në drejtësi, në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe në avancimin e paqes së qëndrueshme dhe pajtimit në rajon.