Ministry for Europe and Foreign Affairs

Të dashur qytetarë,

Jam vërtet shumë e lumtur që mund të ndaj sot me ju një lajm vërtet historik. Pas votës në Asamblenë e Përgjithshme Shqipëria ka fituar të drejtën për të qenë një nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit për një mandat 2 vjeçar, për vitet 2022-2023.

Kjo do të thotë që nga 1 janari i vitit 2022 vendi ynë do të jetë anëtar i forumit më të lartë të politikës e marrëdhënieve ndërkombëtare ku trajtohen e merren vendime për çështjet më të mprehta që shqetësojnë botën sot.

Unë dua të falenderoj shumë të gjithë ato vende që e mbështetën me votën e tyre kandidaturën e Shqipërisë.

Dua të falenderoj shumë vendet e grupit të Evropës lindore që zgjodhën ti japin Shqipërisë mundësinë që ti përfaqësoje në Këshillin e Sigurimit.

Por kjo mbështetje nuk është e rastësishme. Në fakt, ajo është konfirmimi më i mirë i respektit e besueshmërisë që gëzon sot Shqipëria, si një vend shtyllë e stabilitetit në rajon, eksportues sigurie në misione paqeruajtëse dhe faktor stabiliteti e konstruktiviteti në çdo forum ndërkombëtar ku ka kontribuar.

Një falenderim nga zemra shkon edhe për të gjithë ata burra e gra, diplomatë e politikanë shqiptare që kanë punuar për vite me radhë për të arritur këtë fitore kaq të madhe për diplomacinë shqiptare.

Fakti që Shqipërisë i jepet për herë të parë mundësia të bëhet pjesë e këtij forumi pas 65 vitesh anëtarësi në OKB, ndërkohë që shumë vende të tjera nuk e kanë pasur kurrë një shans të tillë, besoj që e ilustron më së miri se çfare përmasash ka kjo ngjarje.

Por përtej gëzimit e kënaqësisë krejt legjitime fakti që sot na është dhënë një mundësi e tillë historike është për ne edhe një përgjegjësi e madhe.

Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi pritshmëri realiste për atë që mund të arrijmë në Këshillin e Sigurimit. Por jemi po ashtu optimistë që me një plan të mirë pune, me një strategji e objektiva të qartë, me përgatitje serioze për ditën kur do të ulemi në KS, mund të arrijmë shumë.

Sot që flasim përgatitjet janë duke vazhduar ethshëm dhe jemi në prag të finalizimit të skuadrës që do të na përfaqësojë ku janë duke u përzgjedhur diplomatët më të mirë që ka shërbimi i jashtëm, por është hapur edhe një thirrje, Ekipi i Ëndrrave, për të afruar tek kjo skuadër edhe talentet e ekspertët më të mirë nga jashtë sistemit.

Nëse punojmë siç duhet mund të arrijmë shumë për të rritur edhe me tej prestigjin e Shqipërisë si një aktor serioz në arenën ndërkombëtare.

Mund të arrijmë shumë për rajonin tonë duke risjellë një vëmendje të posaçme sidomos tek Kosova dhe nevoja për arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

Mund të arrijmë shumë për të shtrirë rrjetin e kontakteve e bashkëpunimit me vende e organizata ndërkombëtare apo për të çuar përpara prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë e rajonit.

Mund ti bëjmë këto duke punuar shumë, me ide e vizion, duke bashkëpunuar ngushtë me miq e partnerë, por mbi të gjitha duke sjellë në KS eksperiencën dhe modelin shqiptar në trajtimin e sfidave me të cilat përballet bota.

Në ditët në vijim ne do të kemi komunikime me publikun për ti informuar më qartë e në mënyrë të detajuar për të gjithë platformën e Shqipërisë, për përzgjedhjen e ekipit tonë, dhe për pritshmëritë tona nga kjo mundësi historike.