Ministry for Europe and Foreign Affairs

Tiranë, 10 Qershor 2025

Falënderoj Kuvendin e Shqipërisë për mikpritjen e këtij takimi të rëndësishëm, në kuadër të Kryesimit të Tiranës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Takimi ynë sot përbën një mundësi të vyer për të reflektuar mbi rolin e dialogut parlamentar në ndërtimin e një Evrope më bashkëpunuese, më të qëndrueshme, dhe pa dyshim të rajonit tonë më të integruar në familjen evropiane.

Gjatë këtij viti, Shqipëria ka pasur nderin të mbajë pesë kryesi në formate kyçe rajonale — përfshirë Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi; Kartën e Adriatikut; Nismën e Evropës Qendrore; Nismën për Azil, Migracion dhe Refugjatë; dhe sigurisht, Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Kjo konvergjencë unike na ka mundësuar të sjellim energji dhe fokus evropian në agjendën rajonale. Me këtë vizion kemi zgjedhur edhe moton e Kryesimit të Tiranës: “Të Formësojmë të Ardhmen Tonë Evropiane.”

Ne e shohim këtë proces bashkëpunimi si një mekanizëm të rëndësishëm rajonal – një platformë për nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e një përkushtimi të përbashkët ndaj paqes, mirëqenies dhe integrimit evropian. Ky është një proces gjithëpërfshirës që na bashkon rreth një qëllimi të përbashkët: ankorimin e rajonit tonë fort në familjen evropiane.

Kryesimi i Shqipërisë është përpjekur të reflektojë këtë ambicie përmes tre prioriteteve kryesore:

  • Thellimi i bashkëpunimit rajonal;
  • Avancimi i agjendës së integrimit evropian për vendet që nuk janë ende pjesë;
  • Promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Në këtë kuadër, kemi organizuar një gamë të gjerë takimesh – në fushën e politikës së jashtme, dialogut parlamentar, koordinimit politik, kulturës, turizmit, transportit, bashkëpunimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë digjitale. Këto kanë qenë mundësi për të lidhur jo vetëm institucionet, por edhe njerëzit, idetë dhe aspiratat tona të përbashkëta.

Me rëndësi të veçantë ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndër-parlamentar.

Dëshiroj të përgëzoj Kuvendin e Shqipërisë për udhëheqjen aktive të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Puna juaj është thelbësore për nxitjen e dialogut përtej kufijve, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e reformave që rajoni ynë ka nevojë për t’i realizuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë frymë, dua të theksoj gjithashtu se Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ka qenë instrumental për të harmonizuar përpjekjet rajonale me projektin më të gjerë evropian.

Samiti i ardhshëm i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që do të mbahet në Tiranë më 16 qershor, do të jetë një moment kyç për të riafirmuar këtë përkushtim të përbashkët. Nën temën “Nxitja e Stabilitetit dhe Mirëqenies përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE,” Samiti do të shërbejë si platformë për të artikuluar vizionin tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore paqësore, demokratike dhe të bashkuar.

Ne besojmë fuqishëm se zgjerimi i BE-së mbetet një nga projektet më të suksesshme të paqes në histori. Për Evropën Juglindore, ai është më shumë se një objektiv politik – është një domosdoshmëri strategjike. Rruga drejt anëtarësimit duhet të vazhdojë të bazohet në kritere të qarta, reforma të besueshme dhe respektimin e vlerave themelore.

Duke parë përpara, duhet të njohim rolin thelbësor që luajnë parlamentet kombëtare në këtë rrugëtim. Përmes veprimit legjislativ, mbikëqyrjes dhe angazhimit publik, ju ndihmoni që perspektiva evropiane të mos mbetet vetëm një aspiratë politike apo diplomatike, por të bëhet një zgjedhje konkrete dhe e përqafuar nga shoqëritë tona.

Në mbyllje, dëshiroj të ri-konfirmoj mbështetjen e plotë të Shqipërisë për punën e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Duhet të vijojmë të forcojmë këtë partneritet, të thellojmë bashkërendimin dhe të fuqizojmë institucionet demokratike që u japin zë qytetarëve tanë dhe legjitimitet ambicies sonë evropiane.

Duke punuar së bashku, mund ta bëjmë realitet vizionin tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore më të qëndrueshme, më të begatë dhe plotësisht evropiane.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë.