Ministry for Europe and Foreign Affairs

Sot, pata kënaqësinë të pres në Tiranë Kryetarin e radhës të OSBE-së, Zëvendëskryeministrin dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Maltës, mikun dhe kolegun tim, z. Ian Borg.

Shqipëria vlerëson thellësisht angazhimin e Maltës për marrjen e përgjegjësisë të kryesimit të OSBE-së në këto momente kaq të rëndësishme dhe sfiduese për sigurinë e kontinentit tonë. Ne e përgëzojmë Kryesinë malteze për punën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e saj ndaj parimeve themelore të OSBE-së, që janë themel i stabilitetit dhe paqes.

Gjatë takimit me Z. Borg, shkëmbyem mendime mbi rolin kyç të OSBE-së në nxitjen dhe ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon, sidomos në përballje me sfidat e sigurisë që na presin, të cilat janë të shumta dhe shpesh të paparashikueshme. Diskutuam gjithashtu nevojën për të përmirësuar koordinimin mes shteteve pjesmarrëse, për të forcuar mekanizmat e qeverisjes dhe për të rritur efektivitetin e politikave të OSBE-së në përballimin e këtyre sfidave.

Theksuam rëndësinë e arritjes së konsensusit në çështjet kyçe, për funksionimin e duhur dhe efektiv të organizatës. Këto aspekte do të ndihmojnë në sigurimin e një baze solide për misionet e ardhshme të OSBE-së.

Nënvizova me ministrin Borg, qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, duke çmuar veçanërisht Kryesinë malteze për përkushtimin e saj në mbajtjen e Ukrainës në qendër të agjendës së OSBE-së.

Në Këshillin e ardhshëm Ministror të OSBE-së në Maltë, më 4-5 dhjetor, e shohim si përparësi që diskutimet tona të fokusohen në përmbushjen e misionit kryesor të organizatës për përmirësimin e paqes dhe sigurisë në rajon, sidomos në prag të 50-vjetorit të Aktit Final të Helsinkit.

Me këtë rast vlerësova mbështetjen dhe rolin e prezencës së OSBE-së në Tiranë, në reforma të rëndësishme për vendin tonë.

Prezenca ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve të qeverisë, insitucioneve të tjera, por edhe shoqërisë shqiptare, për të qenë një pjesë integrale e familjes së vendeve demokratike, ku sundimi i ligjit  dhe ekonomia e tregut mbizotëron.

Gjatë bisedës sonë  me ministrin Borg, u ndalëm edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maltës, duke vërejtur se kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, që vazhdojnë të forcohen. Jemi të angazhuar të intensifikojmë këtë bashkëpunim, i cili ka njohur një rritje të dukshme në nivel dypalësh dhe ndërkombëtar.

Ekonomia është një nga shtyllat kryesore të këtij partneriteti, të cilin synojmë ta cojmë më tej në shumë  sektorë.

Jemi të hapur për projekte dypalëshe dhe rajonale. Prioriteti ynë mbetet ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimi i stabilitetit politik, paqes dhe zhvillimit ekonomik në rajon.

Një Evropë Juglindore e sigurt dhe e qëndrueshëm sjell dobi jo vetëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, por për të gjithë Europën. Dhe si rezultat, forcimi i bashkëpunimit dhe ndarja e burimeve do të sjellin rezultate të rëndësishme për të gjithë ne, në këto  angazhime.

Përfitova nga rasti dhe i shpreha kolegut Borg mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Maltës ndaj axhendës së integrimit europian të Shqipërisë dhe për sigurinë se kjo mbështetje do të vazhdojë në përpjekjet tona për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Përkushtimi i Shqipërisë, rezultatet e jashtëzakonshme të procesit të reformave, si dhe besueshmëria e fortë në drejtim të qëllimeve tona për integrimin në BE, u konfirmuan me nisjen e negociatave të anëtarësimit për grupkapitullin e parë, nëpërmjet Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në Luksemburg më 15 tetor 2024.

Ky ishte një sinjal i shumëpritur nga Bashkimit Europian dhe vendet anëtare, duke theksuar se procesi duhet të mbështetet në meritë dhe të ketë parashikueshmëri, në mënyrë që zgjerimi të rifitojë kredibilitetin si një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Europian.

Shqipëria është më e angazhuar se kurrë për të përmbushur detyrimet e saj në avancimin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë kontekst, i kërkova kolegut mbështetje teknike dhe ekspertizë nga Malta për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.

Falënderoj ngrohtësisht mikun tim, Ian Borg, për vizitën e tij të çmuar në Tiranë dhe rolin e rëndësishëm të Maltës,  në kryesimin e Organizatës gjatë kësaj periudhe kritike për sigurinë në Evropë dhe për OSBE-në në tërësi.