Ministry for Europe and Foreign Affairs

Projektligji “Për ratifikimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”, është një iniciativë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e sjellë para jush si nismë ligjore nga Këshilli i Ministrave në zbatim të neneve 81, pika 1 dhe 121, të Kushtetutës.

Vlerësojmë se marrëdhëniet mes të dyja vendeve kanë filluar të zhvillohen cilësisht e të intensifikohen veçanërisht pas agresionit rus të vitit 2014 me pasojë aneksimin e Krimesë.

Dhe kulmuan me vizitën e Kryeministrin Rama në Kiev, me vizitën e presidentit Zelenskyy në vendin tonë dhe bashkëorganizimin me Kryeministrin z.Edi Rama, të samitit Ukrainë – Europë juglindore në Tiranë në fund të shkurtit të këtij viti.

Të dyja vendet janë kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Shqipëria mbështet aspiratën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, kur kushtet ta lejojnë.

Firmosja e traktatit gjatë kësaj vizite konfirmoi më së miri këtë nivel marrëdhëniesh, si dhe mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës.

Sulmi brutal rus kundër Ukrainës mike ka tronditur si asnjëherë më parë, pas luftës së dytë, rendin botëror dhe sigurinë e kontinentit.

Shqipëria është rreshtuar me partnerët e saj euro-antlantikë në mbrojtje të integritetit të Ukrainës dhe respektimit të normave themelore ndërkombëtare e vlerave demokratike dhe njerëzore.

Shqipëria ka mbështetur pa rezerva Formulën e Paqes, plan me 10 pika të presidentit Zelenskyy, si rrugëdalje të vetme nga konflikti.

Konkretisht është zotuar të jetë pjesë e pikës 5 të këtij plani, e cila i dedikohet integritetit territorial në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.

Formula e Paqes do të jetë temë qendrore e samitit të thirrur nga Zvicra dhe Ukraina që do të mbahet po në Zvicër në mes të qershorit.

Në samit Shqipëria do të përfaqësohet në nivelin më të lartë shtetëror të saj.

Ky traktat miqësie shpreh vullnetin më të lartë politik dhe shërben si një bazament e garanci për intensifikimin e bashkëpunimit dy- e shumëpalësh, në të gjithë sektorët me interes reciprok.

Të dyja palët janë të një mendjeje se potenciali i shkëmbimeve është i konsiderueshëm dhe se është i nevojshëm konsolidimi e gjetja e rrugëve për shfrytëzimin e tij.

Traktati vë themelet politike për një partneritet afatgjatë, konstruktiv dhe të mbështetur në vlera të përbashkëta humane e miqësie.

Përmes tij palët konfirmojnë respektin reciprok dhe dëshirën për zbatimin e parimeve dhe normave demokratike që ndërtojnë vendet sovrane, të cilat inspirohen nga idealet e përbashkëta për liri, demokraci, solidaritet dhe dinjitet.

Traktati krijon kuadrin e nevojshëm për ngritjen e mekanizmave të përbashkët për dialog të ndërsjellë, duke filluar si nga nivelet më të larta politike, ashtu edhe në nivele më të ulëta.

Palët zotohen se do të krijojnë kushtet të favorshme në bashkëpunimin ekonomik me interes të ndërsjellë dhe se do të mbështeten tek njëra–tjetra në sistemin shumëpalësh ekonomik botëror, do të nxisin investimet e bashkëpunojnë në fusha thelbësore si energjia, bujqësia, telekomunikacioni, minierat, transporti, ndërtimi, përpunimi i ushqimit, industria farmaceutike, mjedisi, apo shërbimet profesionale.

Palët zotohen gjithashtu për t’i dhënë përparësi shkëmbimeve të ndërsjella kulturore, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë në art e kulturë.

Prioritet në traktat i jepet gjithashtu bashkëpunimit në ruajtjen e forcimit të shtetit të së drejtës, si dhe atij ushtarak.

Rëndësi i kushtohet nxitjes së kontakteve të gjithanshme, jo vetëm në nivel qendror institucional, por dhe në nivel vendor e individual.

Në traktat shprehet gatishmëria për bashkëpunim në kuadër të organizatave ndërkombëtare, të tilla si OKB, OSBE dhe mekanizmave të tjerë institucionalë, ku dy vendet janë anëtare, për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe trajtimin me metoda paqësore të mosmarrëveshjeve, në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

Institucione përgjegjëse për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje janë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; Ministria e Brendshme; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Duke ju falënderuar për kohën, do t’ju kërkoja votën tuaj për miratimin e këtij projektligji, me qëllim hapjen rrugë të finalizimit të hyrjes në fuqi, përmes shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit të këtij Traktati miqësie me Ukrainën mike.