Ministry for Europe and Foreign Affairs

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha gjatë Panelit të V, në Samitin e Diasporës.

Paneli V: Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?

Rudina Xhunga, pyetje: A po bëjmë çfarë duhet dhe çfarë mund të mësojmë nga njëri-tjetri? Në fund të fundit, nëse ka një Ministër të Jashtëm për Diasporën në Kosovë, a mund të kemi dhe një institucion të tillë edhe në Shqipëri, ose më së paku mund të kemi një institucion të përbashkët ne?

Si fillim, po i drejtohem zotit Ferit Hoxha, Ministrit tonë të Jashtëm të Shqipërisë, me hapat që ka bërë Shqipëria me përfshirjen e diasporës në politikat kombëtare, me mekanizmin konkret që lidh sot diasporën me vendimmarrjen në Shqipëri dhe çfarë mund të bëjmë që të jemi bashkë. Kjo është pyetja që unë kam të paktën, por ju e dini se çfarë është e rëndësishme për të thënë sot.

Ministri Hoxha: Shumë faleminderit, Rudina. Nuk e di nëse mbajmë pak sa më shumë qetësi, sepse nëse do të duam të diskutojmë, siç e thashë sot në mëngjes, do të duam të dëgjojmë njëri-tjetrin. Unë do të marr vetëm tre minuta, edhe për faktin se kam më shumë dëshirë të dëgjoj se çfarë mendon pjesa tjetër, kam më shumë dëshirë të kemi propozime dhe rekomandime. Do të them tre-katër pika shumë shpejt dhe shpresoj të marr, Rudina, më pak se 5 minuta.

E para, jam shumë i lumtur që kemi këtë panel jashtëzakonisht të mirëndërtuar, me Glaukun nga Kosova, me Aliun nga Maqedonia e Veriut, me ish-zëvendëskryeministrin nga Mali i Zi, natyrisht duke dalë edhe tek Këshilli Koordinues i Diasporës dhe, natyrisht, me deputetin më të mirë që ka nxjerrë ndonjëherë bota shqiptare, Arbërin tonë që e kemi në Suedi. Ajo që dua të them unë janë katër gjëra: e para, kemi disa vende, kemi një diasporë dhe, nëse kemi një diasporë, duhet të kemi një qasje. Dhe nëse s’kemi një qasje, nuk kemi një strategji.

Ne jemi duke ndërtuar strategjinë e ardhshme për diasporën 2026–2030. Jemi duke diskutuar në një sens të gjerë, do ta diskutojmë edhe me autoritetet kosovare, edhe me autoritete të tjera gjithkund, por meraku i madh që kam unë është: a kemi një koncept të qartë se si ne ndërveprojmë me diasporën tonë, e cila atje nuk është e ndarë? Vendet tona janë vendet tona, ne respektojmë njëri-tjetrin, respektojmë të gjitha prerogativat shtetërore, por në Bruksel, në Britaninë e Madhe, në SHBA, në Australi, diaspora është një. Ata kanë gjuhën, identitetin, kanë interesa, kanë absolutisht gjithçka të përbashkët dhe, nëse ne nuk kemi një qasje të përbashkët, ne nuk do të kemi një veprim të përbashkët.

Dhe të gjitha ato që thamë sot në mëngjes, të gjitha ato që duam t’i bëjmë, nëse nuk i bëjmë me një qasje të përbashkët, ne nuk shkojmë askund. Prandaj duhet të kemi një koordinim shumë më të mirë mes institucioneve, mes të gjithë atyre që merren me diasporën, që ndërtojnë programe për diasporën, në mënyrë që t’i vendosim në një kalendar sa më të mirë. Këtu hyjnë përfaqësitë diplomatike, këtu hyjnë ministritë e jashtme, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, që është çik më e thjeshtë, sepse janë më të identifikuar, por edhe aktorë të tjerë që janë në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi apo kudo tjetër. Është absolutisht alfa e një ndërveprimi të mirë mes nesh.

E dyta ka të bëjë me faktin që ne duhet të përqendrohemi tek ato elemente që janë të përbashkëta: gjuha, identiteti, rrezatimi tek gjithçka që ju intereson atyre dhe na intereson neve. Sigurisht që, kur vjen puna për investimet, inovacionin, talentet, do të shikojmë se si mund t’i harmonizojmë këto gjëra. Domethënë, sa ka nevojë Shqipëria, ka nevojë Kosova, ka nevojë Maqedonia e Veriut, kanë nevojë qytetet tona, kanë nevojë fshatrat tona. Aty nuk ka asnjë konkurrencë; kushdo që është i lirë të shkojë ku të dojë, si të dojë, por aman, duke pasur një qasje sa më të qartë dhe sa më të harmonizuar, është më e kollajtë për ta bërë. Prandaj ne duhet të kemi dhe të shohim, i dashur ministër i Kosovës, se si ndërveprimi ynë kulturor, në kryeqytete, në vende të tjera, të jetë sa më i harmonizuar, sepse kemi pothuajse gjithçka të përbashkët dhe s’kemi absolutisht asgjë të ndarë.

E fundit fare ka të bëjë me faktin se si do ta ndërtojmë këtë ndërveprim. Pra, në Ministrinë time, në Ministrinë e Shqipërisë, kuptohet, sepse nuk është e imja, unë vetëm e drejtoj, kemi një drejtori të specializuar, kemi një Agjenci Kombëtare të Diasporës, kemi një Qendër të Librit dhe Botimeve për Diasporën, kemi një qendër për arbëreshët. Është një qasje që mua më duket e fragmentizuar; nuk mund të vazhdojmë të jemi të fragmentizuar, nëse duam një qasje të koordinuar. Prandaj, të gjithë ne kemi mësuar. Në Shqipëri kemi testuar të gjitha format e mundshme: kemi testuar ministrinë e veçantë, kemi testuar ministrinë siç është sot, kemi testuar agjencinë. Do të mundohemi të avancojmë më tej, por, sa të kemi, duke bërë, duke qartësuar idetë dhe mendimet tona në vend, duke u bashkërenduar sa më mirë me njëri-tjetrin, vetëm kështu mund të kemi dhe mund të shkojmë drejt asaj që duam që të jetë me ndikim për diasporën tonë dhe me rezultat për vendet tona.

Faleminderit!