Ministry for Europe and Foreign Affairs

Nisida Tufa: Ne ndodhemi në Ministrinë e Jashtme, ashtu si e lajmërova, për të zhvilluar një intervistë me Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka sepse ka zhvillime dhe lajme të mira për Shqipërinë. Do të flasim për këtë, por jo vetëm në këtë intervistë me znj. Xhaçka.

Znj. Xhaçka, përshëndetje dhe faleminderit që na pritët në zyrën tuaj, në ambjentet tuaja për të zhvilluar këtë intervistë.

Ministrja Olta Xhaçka: Faleminderit ju, faleminderit për ftesën edhe mundësinë për të biseduar.

Nisida Tufa: Le ta nisim me një lajm për Shqipërinë znj.Xhaçka. Në datën 11 qershor, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023. Ju, ditën e nesërme do të udhëtoni drejt Nju Jorkut në mbledhjen e OKB-së. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Ministrja Olta Xhaçka: Ky është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Në 65 vite të anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë mundësinë për të qenë një anëtare jo e përherëshmë ë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që është në fakt forumi më i lartë apo tryeza më e lartë vendim-marrëse e Kombeve të Bashkuara. Është një mundësi e jashtëzakonshme për politikën tonë të jashtme, për diplomacinë tonë, për maturinë e diplomacisë sonë. Patjetër që mundësia që na është krijuar edhe përmes konsensusit që ka dhënë grupi i Evropës Lindore ku përfshihet edhe Shqipëria, ka të bëjë me maturinë dhe pjekurinë e politikës sonë të jashtme, me konstruktivitetin e diplomacisë sonë si në marrëdhënie dypalëshe, ashtu dhe në marrëdhënie shumëpalëshe, por edhe me kontributin e rëndësishëm që Shqipëria ka dhënë për paqen, sigurinë, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm qoftë rajonal, qoftë pastaj atë global. Kështuqë patjetër është një vlerësim i politikës së jashtme dhe i diplomacisë shqiptare dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për të qenë siç e thashë, në tryezën më të lartë vendim-marrëse ku do të punojmë ngushtësisht me partnerët tanë, vençanërisht me partnerët strategjikë për të avancuar një axhendë në shërbim të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Nisida Tufa: Pse mbërrin tani ky vendim për Shqipërinë dhe flasim pak edhe për kandidaturat. Si funksionon znj. Xhaçka dhe kur flisni që janë lajmë të mira, sjell diçka të mirë për Shqipërinë, për çfarë benefitesh bëhët fjalë?

Ministrja Olta Xhaçka: Nuk është një vendim që në fakt vjen nga të tjerët, është një lobim i gjatë, serioz dhe i qëndrueshëm i Shqipërisë por edhe i të gjithë veprimtarisë së strukturave të politike sonë të jashtme, të shërbimit tonë diplomatik, për ta pasur këtë mundësi. Përgjithësisht vendet janë në garë dhe votohen se kush do ta ketë një mundësi të tillë. Ne, për fatin tonë të mirë nuk jemi në garë, sepse kemi konsensusin e të gjithë grupit të Evropës Lindore ku bëjmë pjesë, pra, që jo thjesht na kanë propozuar por, që po na mbështesin me konsensus për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit. Përfitimet janë të shumta, patjetër edhe në formën e prestigjit të politikës sonë të jashtme dhe të rëndësisë që ajo do të ketë në arenën globale por edhe të forcimit të marrëdhënieve siç ju thashë dypalëshe, shumëpalëshe por edhe të atyre që nuk kanë qenë në vëmendjen tonë deri më tani për shak të kufizimeve të shtrirjes gjeografike apo të veprimtarisë sonë diplomatike. Ndaj them që është një moment shumë i rëndësishëm, por është edhe një sfidë shumë e madhe për ta kryer me sa më shumë sukses këtë dy vjeçar që do të jemi pjesë e Këshillit të Sigurimit.

Nisida Tufa: Ju, siç e përmenda, do të udhëtoni ditën e nesërmë drejt Nju Jorkut. Si do të jetë axhenda, çfarë është parashikuar? Si do të jetë ky udhëtim zyrtar?

Ministrja Olta Xhaçka: Përpara datës 11 që do të jetë fomalisht edhe votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kemi një axhendë goxha ambicioze takimesh dhe lobimi për Shqipërinë, duke prezantuar tek të gjitha përfaqësitë në OKB, të gjitha misionet e përherëshme të vendeve që janë anëtare të OKB-së me përfaqësuesit e tyre permanent pra, me Ambasadorët por edhe me homologët, me ata që do të jenë, që do të ndodhen gjatë këtyre zhvillimeve në Nju Jork për të prezantuar edhe prioritetet e Shqipërisë gjatë këtij dy vjeçari, të cilat janë edhe pikat tona të forta. Prioritetet që ne kemi janë padiskutim të Drejtat e Njeriut edhe Ligji Ndërkombëtar, pra, respektimi i të Drejtave të Njeriut dhe Ligjit Ndërkombëtar si një parakusht për paqen, sigurinë, të drejtat e grave, respektimi i të drejtave të grave dhe këtu ne jemi një histori suksesi me një përfaqësim vërtet dinjitoz të grave në administratën publike, në role ekzekutive, në shoqerinë civile në përgjithësi dhe patjetër që respektimi i të drejtave të grave, është një kusht për paqen edhe sigurinë. Kemi patjetër mjedisin edhe rreziqet që mosrespektimi i problematikave që kanë lidhje me mjedisin, mundësinë për sigurinë, metodat e punës në Kombet e Bashkuara që kanë të bëjnë me një atashim të Shqipërisë bashkë me shumë vende të tjera për të avancuar një axhendë gjithnjë edhe më bashkëpunuese ose nje metodë pune që është gjithnjë edhe më konstruktive, edhe më bashkëpunuese, në dobi të atyre që janë patjetër qëllimet, prioritetet dhe objektivat e Kombeve të Bashkuara, punës së përbashkët dhe kështu me rradhë. Pra, takimet do të kenë në thelb prezantimin e prioriteteve të Shqipërisë dhe arsyet pse Shqipëria duhet votuar fuqimisht në këtë mundësi të jashtëzakonshme.

Nisida Tufa: Znj Ministre! Me çfarë sysh shihet Shqipëria? Flasim për një vend që ka edhe rrugën e tij drejt BE-së me qëllimin për të çelur negociatat me BE-në. Nga ana tjetër, sapo ka mbyllur zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë takimeve që zhvilloni, në udhëtimet që bëni, në sytë e ndërkombëtare, si është Shqipëria?

Ministrja Olta Xhaçka: Në sytë e ndërkombëtarëve Shqipëria është një vend shumë dinamik që ka bërë një rrugë të jashtëzakonshme drejt përparimit, drejt demokratizimit, drejt evropianizimit, drejt reformimit të çdo sfere të jetës, patjetër reforma shumë të rëndësishme administrative, ligjore, vërtetë transformuese për demokratizimin e vendit dhe të institucioneve të tij. Është një vend që e mbështet fuqimisht ëndrrën Evropiane, është një vend ndoshta si askush tjetër që nuk ka absolutisht asnjë grupim apo parti politike apo entitet që të jetë kundër integrimit apo të jetë euroskeptik, pra është një vend që e mbështët endrrën e integrimit Evropian me shumë forcë, me shumë guxim dhe me shumë vullnet sepse, të paktën, të pasurit e kësaj ëndrre dhe të menduarit që kjo ëndërr është plotësisht e realizueshme, është ajo që na shtyn të përballojmë edhe zhvillime që jo shpesh janë të lehta, janë zhvillime të domosdoshme por që kanë koston e tyre, që asocohen me vështirësitë e tyre, edhe reformat e rëndësishme që kemi ndërmarrë, posaçërisht reforma në drejtësi. Kështuqë ndërkombëtarët na shohin realisht ashtu siç jemi, një vend me një vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme për të përparuar drejt asaj që në fakt është destinacioni ynë i natyrshëm duke qenë një enklavë e Evropës, duke qenë pjesë e Evropës, të synohemi, të integrohemi, në këtë familje të madhe si Evropianë pra, jo si e eksportuar Shqipërinë në Evropë por, duke importuar Evropën këtu dhe duke jetuar realisht sipas standarteve më të mira evropiane si evropianë brenda kufijve tanë.

Nisida Tufa: Ne çfarë vendimi presim? Çfarë pritet të marrë Shqipëria gjatë muajt qershor?

Ministrja Olta Xhaçka: Në mars të vitit të kaluar, siç e dini, Këshilli Evropian vendosi për hapjen e negociatave. Tani presim miratimin e kornizës negociuese dhe vendosjen e datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që do të hapë de facto negociatat, pra, bisedimet për të vazhduar. Është vetëm fillimi i një rruge shumë të gjatë të më shumë kushteve, të më shumë detyrave, më shumë reformave që realisht duhet të marrim për t’u bërë pjesë e BE-së kur koha të vijë.

Nisida Tufa: Por a do të kemi më pak skeptikë, si është situata me vendet që mund të na bllokojnë?

Ministrja Olta Xhaçka: Çështja e proçesit të integrimit Evropian, domethënë procesi, është realisht kompleks sepse nuk ka vetëm komponentin e tij teknik por ka edhe komponentin e tij politik. Siç ka një komponent objektiv, ka dhe një komponent subjektiv dhe është një proçes që përfshin shumë palë, përfshin edhe vendet që aspirojnë, siç në rastin tonë është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përfshin institucionet që kanë përgjegjësinë për të vlerësuar objektivisht progresin, problemin e aspirantëve në këtë proces integrues që është Komisioni Evropian dhe pastaj është edhe Këshilli i Evropës cili duhet të marrë një vendim unanim dhe në Këshill bëjnë pjesë 27 vende anëtare të BE-së, procedurat e të cilave, kur marrin vendime, nuk ngjasojnë me njëra- tjetrën. Disa mund të marrin një vendim bazuar mbi vlerësimet e Komisionit Evropian, disa përpara se të japin verdiktin e tyre, duhet të kalojnë përmes disa procedurave parlamentare. Të gjitha këto e komplikojnë këtë proces sepse ka vende që ndoshta ju mund t’u thoni skeptike, të cilat për shkak të këtyre procedurave që duhet të kalojnë për të marrë një vendim, fusin atje shumë konsiderata, kalkulime që në thelb janë politike, kombëtare të vendit të tyre që nuk ka të bëjë a i kemi përmbushur kushtet ne si aspirantë në këtë proces që nuk ka të bëjë i kemi bërë apo jo detyrat ne siç duhet, kemi avancuar në këtë proces me ritmin e duhur apo jo por, ka të bëjë edhe me konsiderata politike, edhe me kalkulime politike edhe me konsiderata që mund të jenë subjektive në këtë proces që nuk vijnë domosdo nga ata që janë përgjegjës për një vlerësim objektiv të këtij procesi por, nga të gjitha këto ndryshore të këtij ekuacioni të ndërlikuar. Ndaj dhe bëhet më e vështirë dhe më komplekse vendim-marja në raste të tilla.

Nisida Tufa: A do të jetë e lidhur Shqipëria me Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e integrimit drejt BE?

Ministrja Olta Xhaçka: Shpesh më drejtohet kjo pyetje. Ka shumë arsye që të imagjinohet një ndarje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke qenë se ngërçi është midis saj dhe Bullgarisë sa i takon miratimit të kornizës negociatore dhe vendosjes së datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe duke qenë se jemi bashkë, është një proces që na frenon edhe ne. Megjithatë, pavarësisht se jemi bashkë, është një proces ku vlerësimi për secilin vend ndodh nga meritat e gjithësecilit dhe KE ka bërë një vlerësim shumë pozitiv për të dyja vendet. Ka dhe një raport të përditësuar që nuk është ende zyrtar por nga kontaktet me partnerët na thonë që ështe tërësisht pozitiv dhe shumë inkurajues për avancimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë process. Ndaj ne gjykojmë që për shumë arsye edhe sepse mund të themi që aspirata e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut parashikon dhe aspiratën për integrimin e gjithë rajonit si një rajon që duhet të jetë ekskluzivitet strategjik i BE-së. Besoj që me shumë konsensus, me shumë bashkëpunim edhe falë ndihmës që na kanë dhënë partnerët dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, të cilat janë mbështetëse te procesit të integrimit, do ta kalojmë ngërçin dhe problematikën e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për të avancuar bashkarisht në këtë proces dhe do të ishte gjëja më e mirë.

Nisida Tufa: Ne e dimë që çelja e negociatave dhe anëtarësimi janë gjëra të ndryshme. Me çeljen e negociatave, çfarë përfiton Shqipëria?

Ministrja Olta Xhaçka: Shqipëria që tani është pjesë e shumë programeve, projekteve, si vend me statusin e kandidatit dhe që t’u japë një shembull nëse në mars të 2020 nuk do të kishim pasur një vlersim pozitiv të Këshillit për të hapur negociatat me Shipërinë, ne nuk do të kishim përfituar dot nga fondi i solidaritetit i cili u ngrit dhe u implementua për të adresuar problemet dhe pasojat e pandemisë nga i cili kemi mundur të përfitojmë një pjesë të vaksinave për të asistuar një problematikë qe vinte si pasojë e pandemisë por që kishte pasoja edhe për ekonominë e vendit pra, që impaktonte të gjithë qytetarët shqiptarë. Patjetër që me avancimin në këtë proces, mundësitë do të jenë shumë më të mëdha. Këto programe dhe projekte, por dhe aksesi ne fonde investimesh, do të jetë shumë më madh dhe Shqipëria do të këtë shumë më tëpër për të përfituar.

Nisida Tufa: Çfarë do të thotë për Shqipërinë shpallja non grata e ish-Kryeministrit Berisha dhe a ndikon kjo në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA?

Ministrja Olta Xhaçka: Unë nuk mund të komentoj një vendim të DASH. Ajo që di t’u them është se, se marrëdhëniet me SHBA janë ato të dy partnerëve dhe aleatëve strategjikë. Është një marrëdhenie e jashtëzakonshme që ka ecur përmes demokratizimit të vendit, krah për krah me SHBA, duke qenë se ata na kanë mbështetur shumë në proceset e demokratizimit të vendit, forcimit të institucioneve, demokratizimit të tyre, së fundmi, me reformën në drejtësi dhe është një partneritet strategjik që ne e vlerësojmë dhe e respektojmë mbi çdo ndodhi dhe që nuk duhet të frenojë asesi atë që është rruga jonë që ne bëjmë bashkarisht dhe krahë për krahë.

Nisida Tufa: E dinit më parë këtë lajm apo e mësuat përmes medias?

Ministrja Olta Xhaçka: Nuk kisha nga ta dija sepse nuk…

Nisida Tufa: Nuk mund të komentoni këtë vendim, çfarë do të thotë kjo për një ish-Kryeministër, për një figurë të tillë politike?

Ministrja Olta Xhaçka: Ajo që kemi parë dhe lexuar nga deklarata e DASH ishte shumë e qartë dhe nuk kemi çfarë t’i komentojmë.

Nisida Tufa: Le të ndalemi te zgjedhjet e 25 prillit. Mosnjohja, ankimimet e opozitës. Ç’farë do të thotë një mandat i tretë për PS, mazhorancën?

Ministrja Olta Xhaçka: Do të thotë një mandat për të thelluar reformat e nisura, një mandat i zhvillimeve dhe projekteve transformuese për vendin, shumë i domosdoshëm për procesin e integrimit të vendit në BE, por edhe zhvillimit të vendit, fuqizimit ekonomik të tij. Unë mendoj se zgjedhjet e 25 prillit, ashtu siç e ka thënë dhe raporti i OSBE/ODIHR, ishin zgjedhjet me të mirë-organizuara të zhvilluara deri tani. Ne kemi një histori të gjatë të tranzicionit të kontestimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk ështe çudi për ne që, ata që humbin zgjedhjet të thonë nuk i kemi humbur por besoj, siç kanë folur të gjithë partnerët ndërkombëtarë, siç kanë folur ata që kanë qenë mbikqyrës në këtë proces, që të ishte një proces sa më demokratik dhe sa më i lirë dhe i ndershëm, por siç kanë folur edhe institucionet në vend që janë të çertifikuara për organizimin dhe mbikqyrjen e këtij procesi si para zgjedhje ashtu dhe post, siç po shohim në fakt edhe falë medias për të gjithë ato që kanë qenë pretendimet, për të gjithë ato kuti që u rihapën, për të parë nëse pretendimet ishin me baza apo të pa baza, po shohim që kemi pasur një proces vërtet demokratik, një proces që i ka përfshirë të gjitha palët dhe një verdikt të popullit shqiptar se kush do të qeverisë vëndin dhe kush do jetë në opozitë.

Nisida Tufa: Kemi një verdikt por edhe një thirrje të Kryeministrit Rama për një bashkëpunim me opozitën. Në këndvështrimin tuaj, ky bashkëpunim i shërben shumë integrimit të vendit dhe cila është gjuha e ndërkombëtarëve për këtë çështje?

Ministrja Olta Xhaçka: Nuk dua të komentoj atë që thotë Kryeministri. Besoj që Kryeministri është shumë i qartë në atë që thotë. Do t’i shërbente zhvillimit të vendit. Do t’i shërbente një qetësie, një qetësie të domosdoshme por, edhe një konstruktiviteti të politikës për të ecur të gjithë bashkë drej atyre që janë interesat tona kombëtare, shtetërore, ato që janë prioritetet tona qoftë në aspektin e integrimit të vendit, qoftë në aspetin ekonomik të vendit dhe kështu me radhë. E shikoj një shtrirje të dorës për bashkëpunim edhe si një mundësi realisht për të ulur pak tensionin në politikën tonë. Për fat të keq, gjatë të gjithë këtyre viteve, i gjithe establishmenti politik ka qenë goxha i tensionuar dhe antagonist, jo gjithmonë mbi bazë argumentash por më së shumti, nuk po di t’i vendos emrin, një lloj antagonizmi të tepruar, të egzagjeruar dhe asnjëherë konstruktiv. Besoj që pas 30 vitesh, ka ardhur koha që edhe ne të mos sillemi me njëri tjetrin si kundërshtarë dhe armiq por, të punojmë bashkarisht për ato që janë interesat madhore të vendit dhe për t’u ndarë atje ku ndahen alternativat politike dhe filozofitë e zhvillimt të gjithësecilit por gjithmonë mbi bazën e argumenteve dhe një debati konstruktiv dhe jo si antagonistë, destruktivë, armiq, por si kundërshtarë ideologjikë dhe politikë.

Nisida Tufa: Megjithatë edhe PS ka një analizë të vetën për zgjedhjet. Ç’farë duhet të përmirësojë apo riparojë PS? Një mandat i tretë është shumë për një mazhorancë qeverisjeje, është e pa precedentë.

Ministrja Olta Xhaçka: Duket sikur gjërat po shkojnë mirë dhe nuk ka vend për ndryshim, patjetër ka vend për përmirësim, jo për ndryshim sepse duket sikur një mandat i tretë me një verdikt aq të qartë, siç na u dha ne, duket sikur gjërat janë mirë por në fakt, edhe nëse gjërat janë mirë për PS, ne nuk mund, siç dhe Kryeministri dhe Kryetari i PS e ka thënë shpesh, “unë nuk kënaqem kollaj me veten edhe ne nuk duhet të kënaqemi me PS”, e cila në fakt ka qenë fituese nga beteja në betejë. Ajo që ne kemi treguar gjithmonë është se ne jemi një forcë politike e cila ndërthur më së miri përvojën dhe eksperiencën e veprimtarëve, aktivistëve të vjetër apo politikanëve të vjetër në PS, me energjinë e të rinjve dhe gjithë atyre që kanë çfarë sjellin për ta pasuruar, për ta shtuar në numër këtë shtëpi të madhe të socialistëve, të shqiptarëve. Kështu që në këtë pikë, sipas çdo palë zgjedhjesh, do të vijojë një analizë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë nuk është bërë mirë e pikave të forta dhe pikave të dobëta, për të vazhduar, për të përmirësuar këtë dinamikë ose këtë familje të madhe ku dera është e hapur për të gjithë, si për të kontribuar, si për ta përmirësuar, si për të sjellë ato risitë e domosdoshme për një forcë politike e cila evoluon sigurisht me kohën por, edhe me ekzigjencat e shoqërisë ku jemi.

Nisida Tufa: Në shtator pritet të konfigurohet parlamenti i ri, sikurse dhe kabineti i ri qeveritar. Ju vini nga eksperienca e Ministres së Mbrojtjes, në krye të dikasterit të Mbrojtjes, tani Ministre e Jashtme. Zonja Xhaçka, prisni të rizgjidheni si Ministre? Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ministrja Olta Xhaçka: Kabineti i ri mbetet në diskrecionin e Kryeministrit i cili, është i mandatuar dhe përgjegjës për të formuar qeverinë e re. Këtë pyetje do të duhet t’ia bëni atij. Unë di vetëm..

Nisida Tufa: Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ministrja Olta Xhaçka: Unë di t’ju them se kam mirëpritur dhe kam vlerësuar maksimalisht me shumë përgjegjshmëri çdo detyrë që më është besuar që realisht kam pasur privilegjin të shërbej dhe do të vazhdoj të shërbej me të njëjtin pasion dhe përkushtim dhe do të vazhdoj të shërbej në çfarëdo lloj detyre që të më besohet, nëse do të më besohet në kabinetin e ri.

Nisida Tufa: Si do të ishte eskperienca, si do ta cilësonit si Ministre e Mbrojtes, flasim për një kohë që Shqipëria u trondit nga tërmeti, pati pasoja të rënda. Si ishte ajo punë për ju? Si ishin ato ditë për ju dhe si gjendeni tani me këtë eksperiencë disa mujore në Ministrinë e Jashtme?

Ministrja Olta Xhaçka: Në fakt, si gjithë shqiptarët, si Ministrja që kishte përgjegjësi emrgjencat civile, i kam përjetuar me shumë emocion ato momente të vështira për të gjithë që nuk vinin si pasojë e çfarë bënim ne, por vinin si pasojë e fatkeqësive natyrore. Por ajo që bëmë ne më pas ishte absolutisht e domosdoshme për të lehtësuar sadopak dhimbjet apo vështirësitë që pasuan. Në këtë pikë kam ndjerë krenari të jashtëzakonshme për burrat edhe gratë me uniformë. Për përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm, për seriozitetin e tyre, për përgjegjshmërinë që tregonin në krye të detyrave aq të vështira dhe aq të paprecedenta, për punën e tyre apo të të gjithëve ne, sepse nuk besoj, ose unë nuk mbaj mend pëgjatë jetës time, të kemi kaluar në mënyrë aq intensive dy tërmete, aq shumë përmbytje, një pandemi të paprecedentë. Kështu që në këtë pikë, jam ndjerë vërtetë shumë krenare që kam qenë në krye të atij dikasteri me ata njerëz aq të përkushtuar dhe aq profesionistë dhe kemi menaxhuar me të gjitha mundësitë, madje dhe përtej mundësive që kemi pasur atë situatë shumë të vështirë. Sikurse jam shumë krenare për të gjitha arritjet e dikasterit të mbrojtes, për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me aleatët tanë strategjikë dhe mbështetjen e vazhdueshme që kemi pasur prej tyre, që në fakt, është përkthyer dhe me një bazë të NATO-s në Shqipëri, në mbështetje të jashtëzakonshme për Forcat e Armatosura. Së fundmi, edhe me stërvitjen “Defender 21”, me mbi 3 mijë trupa amerikanë në Shqipëri që patjetër është një konfirmim i kësaj marrëdhënieje strategjike dhe njëkohësisht edhe i faktit që Shqipëria, realisht është bërë një faktor stabiliteti në rajon dhe një partner gjithnjë e më i besueshëm nga aleatët tanë strategjikë. Kështu që e kam përjetuar me shumë emocion atë detyrë dhe këto arritje. Sikundër e përjetoj me shumë emocion këtë përgjegjësi që kam sot dhe këto zhvillime kaq të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e vendit dhe me marrjen për herë të pare, e të bërit për herë të pare, anëtar i Këshillit të Sigurimit që do të jetë pa diskutim një zhvillim shumë i rëndësishëm që do t’i sjellë shumë benefite Shqipërisë, rolit të saj, diplomacisë së saj, politikës së jashtme.

Nisida Tufa: Le të mbetemi pak momente te ju personalish,.referuar zgjedhjeve të 25 prillit. Këto zgjedhje treguan edhe një përballje të vetë kandidatëve për deputetë me votat preferencial, vota nga të cilat ju nuk dolët keq zonja Xhaçka, me mbi 4 mijë vota për Ersekën. Pra, e para, sa e vlerësuar u ndjetë dhe me ç’bilanc të vetëvetes dolët ju nga këto zgjedhje?

Ministrja Olta Xhaçka: Unë jam ndjerë shumë e vlerësuar jo për votën personale për hir të së vërtetës, por për votën e PS në Kolonjë. Vlen të thuhet që Kolonja është një bashki e cila ka një shtrirje gjeografike jashtëzakonisht të madhe. Kam përshtypjen që është njësia e dytë administrative me shtrirjen gjeografike më të madhe për një popullsi shumë të vogël. Votat, ose kampioni i kutive nga ku unë do të merrja vota personale ishte shumë i vogël. Gara nuk ishte me vota personale. Gara patjetër është në raport me kundërshtarët politikë dhe me aktorët e tjerë në zgjedhje. Kështu që në këtë pike, Kolonja na ka besuar një rezultat fantastik. Më të mirin e marrë ndonjëherë, me disa pikë përqindje më shumë se 2017. Shumë herë më lartë se sa kundërshtarët tanë. Kështu që në këtë pike, ndihem shumë herë e nderuar që pata mundësi të përfaqësoj atë krahinë dhe të marr atë rezultat.

Nisida Tufa: Mirë dhe një prestigj për vetveten, nuk është keq apo jo?

Ministrja Olta Xhaçka: Pa diskutim, por është më shumë i reflektuar në votën për PS të cilën unë e përfaqësoja se sa në votat personale, duke patur parasysh që Kolonja nuk ka më shumë se 4 mijë vota socialiste, ndërkohë që gjithë qarku i Korçës merr mbi 60 mijë vota socialiste. Kështu që raporti i mundësisë për të marrë vota personale në këtë kampion të vogël ishte i vogël, po nuk është ai domethënës.

Nisida Tufa: E kuptoj. Edhe një pyetje lidhur me Presidentin e Republikes. Në datën 9 qershor, Kuvendi do të vendosë nëse do të shkarkohet Presidenti i Republikës apo jo. Hera e dytë që u ngrit një Komision për shkarkimin e zotit Meta. Do të arrihet të shkarkohet këtë herë zonja Xhaçka?

Ministrja Olta Xhaçka: Presim të shohim votën e Kuvendit në datën 9. Di t’u them që ky është një proces i cili, përgjatë të gjithë hallkave të tij ka pasur mbështetjen e Kuvendit. Sigurisht, me një mazhorancë të cilësuar. Mbetet të shohim çfarë do të ndodhë në datën 9.

Nisida Tufa: A është e vështirë të bashkëpunohet me një President që ju po e shkarkoni nga detyra?

Ministrja Olta Xhaçka: Unë di t’u them që Kushtetuta na dikton që insitucionalisht, të gjitha institucionet duhet të bashkëpunojnë me Presidentin si institucion, duhet ta bëjnë atë. Dhe sa na takon si Ministri e Jashtme, bashkëpunimi institucional është ligjërisht i garantuar, pavarësisht kush janë emrat, pavarësisht se kush janë partitë politike që drejtojnë ato institucione. Ndaj, besoj që çfarëdolloj ngarkese politike nuk duhet asesi ta cënojë një bashkëpunim institucional mes institucioneve dhe Presidentit.

Nisida Tufa: Faleminderit shumë zonja Xhaçka për këtë intervistë që zhvilluam.

Ministrja Olta Xhaçka: Faleminderit juve.