Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Edicionin e III-të të Javës së Administratës Publike, organizuar nën kujdesin e Ministres Adea Pirdeni, në panelin tematik “Karriera pa kufij: Administrata shqiptare më pranë Brukselit”, ku ndau vizionin për një shërbim publik modern dhe në përputhje me standardet evropiane.

Ministri Hoxha theksoi se në zemër të procesit transformues të zhvillimit të vendit qëndron një e vërtetë themelore: një shtet është aq i fortë dhe i përgjegjshëm sa është funksionale dhe e aftë administrata e tij. Sipas tij, vetëm një administratë profesionale, me integritet dhe e qëndrueshme mund të garantojë zbatimin e reformave, ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe realizimin e objektivave strategjikë të vendit.

Ai vlerësoi përparimin e Shqipërisë në modernizimin e administratës publike, duke theksuar se është ndërtuar një sistem gjithnjë e më i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri. Megjithatë, ministri nënvizoi se ky është një proces i vazhdueshëm, i cili bëhet edhe më kërkues ndërsa vendi avancon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri Hoxha u shpreh se anëtarësimi në Bashkimin Evropian ndërtohet hap pas hapi, përmes vullnetit politik, institucioneve të forta, praktikave të mira administrative dhe, mbi të gjitha, përmes punës së njerëzve që u shërbejnë qytetarëve çdo ditë. Në këtë kuadër, ai theksoi se administrata publike shqiptare ndodhet në një proces të thellë transformimi evropian.

Ministri vuri në dukje se gjatë procesit të negociatave është krijuar një brez i ri nëpunësish publikë me ekspertizë të specializuar mbi acquis communautaire, metodologjinë e zgjerimit dhe koordinimin ndërinstitucional. Sipas tij, ky kapital njerëzor përbën një nga asetet më të çmuara të shtetit shqiptar dhe dëshmon kapacitetin profesional e besueshmërinë e administratës shqiptare për të çuar përpara një proces kaq kompleks dhe vendimtar për të ardhmen e vendit.

Duke parë drejt fazës së anëtarësimit, ministri Hoxha theksoi se administrata shqiptare duhet të punojë çdo ditë me mendësinë e një administrate të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian. Kjo, sipas tij, nënkupton më shumë profesionalizëm, përgjegjësi dhe një kulturë institucionale që përgatit administratën për të mbrojtur jo vetëm interesat kombëtare të Shqipërisë, por edhe interesin e përbashkët evropian në procesin e vendimmarrjes së BE-së.

Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për një evolucion të vazhdueshëm të administratës publike, përmes metodave më bashkëpunuese të punës, ndarjes së ekspertizës ndërmjet institucioneve, si dhe forcimit të një sistemi rekrutimi dhe zhvillimi në karrierë të bazuar në meritë. Ministri theksoi se vlerësimi i performancës duhet të mbështetet në kritere objektive dhe të matshme, ndërsa puna dhe përkushtimi i nëpunësve publikë duhet të marrin vlerësimin dhe mirënjohjen që meritojnë nga shoqëria.

Në përfundim, ministri Hoxha u shpreh se një administratë moderne nuk ndërtohet vetëm për ditën e anëtarësimit, por që sot, mbi bazën e standardeve, kulturës institucionale dhe përgjegjësisë së një vendi që e sheh veten pjesë të hapësirës institucionale dhe të vlerave të Bashkimit Evropian.

Në këtë kuadër, ai nënvizoi se edhe shërbimi konsullor, si pjesë integrale e shërbimit publik, do të vazhdojë procesin e transformimit dhe modernizimit në përputhje me standardet më të mira evropiane, me synimin për të ofruar shërbime më cilësore, më të shpejta dhe më efikase për qytetarët, si dhe për të forcuar përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave e interesave të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.