Ministry for Europe and Foreign Affairs

Tiranë, 12 Shkurt 2025 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Igli Hasani ka mikpritur sot në Tiranë homologen e tij znj. Dominique Hasler, Ministre e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit e Lihtenshtajnit.

Në takim u theksuan marrëdhëniet pozitive mes Shqipërisë dhe Lihtenshtajnit përgjatë tri dekadave të fundit, ndërsa të dy palët ranë dakord për të intensifikuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, si dhe për të eksploruar fusha të reja që ngrenë marrëdhëniet dypalëshe në nivele të reja dhe më të larta.

Ministri Hasani u shpreh se: “Bazuar në potencialin e dy vendeve tona, me miken time Dominique ramë dakord rreth nevojës për intensifikuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, si dhe rritjen e investimeve. Ne inkurajojmë prezencën në Shqipëri të investitorëve nga Lihtenshtajni në sektorë të ndryshëm si energjia e rinovueshme, infrastruktura, sistemi bankar, ndërmarrjet e vogla e të mesme, etj.”

Ndër të tjera, z. Hasani nënvizoi gatishmërinë e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin me Lihtenshtajnin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, bashkëpunimin në forumet dhe organizatat ndërkombëtare dhe çështjet e integrimit evropian.