Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme gjatë vizitës në Bullgari ishte i ftuar nga ECFR (Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë) për të diskutuar pespektivën e zgjerimit të BE në Ballkanin Perendimor.

Diskutimi u përqendrua tek rëndësia që ka marrë procesi i zgjerimit të BE-së dhe te vendi që zë Ballkani Perëndimor në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe në ndryshim të shpejtë. Ministri ndau perspektivën e Shqipërisë mbi mundësitë dhe përgjegjësitë që sjell kjo fazë e re e procesit të zgjerimit, si edhe mbi progresin domethënës që vendi ynë ka arritur në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Në kontekstin e sotëm strategjik, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një politikë transformimi. Ai është shndërruar në një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të BE-së” – u shpreh ministri Hoxha gjatë panelit të diskutimit. “Zhvillimet e viteve të fundit e kanë bërë të qartë se një Evropë më e fortë, më e bashkuar dhe më e aftë për t’u përballur me sfidat gjeopolitike nuk mund të realizohet plotësisht pa integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”- shtoi ai.

Ndër të tjera theksoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i cili po hyn në fazën e tij më vendimtare dhe më përcaktuese, është shumë më tepër sesa një objektiv i politikës së jashtme. Duke e cilësuar atë si një aspiratë kombëtare që gëzon mbështetje të gjerë dhe të qëndrueshme në të gjithë spektrin politik dhe në mbarë shoqërinë shqiptare.

“I udhëhequr nga një axhendë ambicioze reformash dhe nga një angazhim i palëkundur për të prodhuar rezultate konkrete, rrugëtimi ynë europian pasqyron jo vetëm transformimin e institucioneve, por edhe një zgjedhje të qartë kombëtare dhe shoqërore për të ardhmen që duam të ndërtojmë” – vuri në dukje ministri. Po ashtu u nënvizua se një proces zgjerimi i besueshëm dhe i bazuar në meritë është në interes si të vendeve kandidate, ashtu edhe të vetë Bashkimit Evropian.

“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të ruajtur ritmin aktual, për të përshpejtuar reformat dhe për të avancuar me vendosmëri në procesin e negociatave”- u shpreh ai. Gjithashtu nënvizoi se objektivi që kemi është ambicioz, por realist: “përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”.

Ai përmbylli fjalën e tij me një mirënjohje të sinqertë ndaj ECFR dhe ndaj të gjithë pjesëmarrësve, për këtë shkëmbim mendimesh të vlefshëm dhe frymëzues.