Ministry for Europe and Foreign Affairs

E nderuar zonja Kryetare e seancës,
Të nderuar deputetë,

Në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm për shkak të angazhimeve jashtë vendit, Kryeministri më ka ngarkuar që t’i përgjigjem interesit të deputetëve për këtë interpelancë.

E dëgjova me shumë vëmendje deputetin Shehu dhe më lejoni të ndaj me ju sa vijon:

Për t’i kuptuar gjërat duhet së pari të kemi parasysh kontekstin dhe konteksti është i tillë. Procesi i zgjerimit të BE-së dhe e  ardhmja e europiane e rajonit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë objekt diskutimesh të shumta, në të gjitha nivelet gjerësisht në Evropë.

Siç e dimë, në vitin 2013, ka qenë momenti i fundit kur BE është zgjeruar. Që prej asaj here, zgjerimi nuk ka qenë më në qendër të agjendës evropiane.

Në kushtet e reja, të paparashikueshmërisë në rritje dhe të sfidave të shumta me të cilat përballet edhe BE, edhe rajoni ynë edhe gjithë kontinenti, zgjerimi shihet tashmë si një mjet për forcimin e stabilitetit, për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe për më tepër, për rritjen e peshës globale të BE-së. Ky riorientim i pozicionit të BE-së , ka nxitur në vale të gjerë diskutimesh në nivel evropian dhe rajonal.

Nga modelet e integrimit gradual, te anëtarësimi i diferencuar apo fazat ndërmjetëse të përfshirjes në politika dhe tregje të përbashkëta, debati reflekton një përpjekje serioze për të gjetur një ekuilibër mes nga njëra anë, nevojës për zgjerim dhe, nga ana tjetër, kapacitetit të vetë BE-së për të qenë eficente, sic e thekoi para pak ditësh edhe MPJ i Gjermanisë.

Natyrshëm që situate të tilla komplekse por me ndjeshmëri të veçantë por edhe strategjike në agjendën europiane dhe kërkon kreativitet, fleksibilitet dhe vizion.

Dhe ky është konteksti, në të cilin duhet parë artikulli i publikuar para disa muajsh, në fund të shkurtit, në Frankfurter Allgemeine Zeitung, çka zgjoi vëmendje por që kërkon një lexim të qetë e racional.

Thelbi i së tërës, në mënyrë të përmbledhur, artikulli nuk sfidon aspak objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian.

Përkundrazi, nëse lexohet me vëmendje, ai synonte ta bënte këtë rrugë më të prekshme, më funksionale dhe më të besueshme, për vendet aspirante, edhe për vetë Bashkimin Europian.

Me lejoni të ndaj, sepse interesi ka qenë i madh, 6 momente që kanë të bëjnë me artikullin:

Së pari, duhet të jemi shumë të qartë: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian është dhe mbetet absolutisht i panegociueshëm. Ai nuk është një opsion, por, siç e theksova edhe në diskutimin e mëparshëm, sot paradite, objektivi ynë strategjik kombëtar.

Askund në atë artikull nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga ky synim, as për relativizimin e tij, e për më pak për zëvendësim të rrugës që po ndjekim.

Aty propozohej në fakt një rrugë e përshpejtuar dhe më fleksibël, që lejon afrimin gradual me strukturat kryesore të Bashkimit Europian, përpara anëtarësimit, veçanërisht në fushat ekonomike, të tregut të brendshëm dhe lëvizshmërisë, ndërkohë që procesi i anëtarësimit vazhdon natyrshëm me metodologjinë dhe rrugën aktuale.

Ky është thelbi i asaj që është artikuluar qartë në tekst.

Së dyti, realiteti europian: Bashkimi Europian është në kërkim të reformave të brendshme, në vendimmarrje, në politikat e zgjerimit, në menaxhimin e krizave dhe në sfidat globale me të cilat përballet.

Dikur, pra përpara 15 vjetësh, apo në ciklet e para të zgjerimit, procesi ishte më linear, më i parashikueshëm.

Sot, ai është më kompleks, më kërkues dhe më sfidues.

Vetë BE-ja përballet me sfida dhe kundërshti të brendshme, të cilat nuk mund t’i injorojmë ndërkohë që synojmë të anëtarësohemi.

Nga ana tjetër, me shumë të drejtë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një pritshmëri legjitime për të mos mbetur në atë “zonën e pritjea” pafund.

Kjo krijon një nyjë që duhet adresuar: si të ruhet dinamika e reformave dhe të rritet besimi i qytetarëve tek vendet kandidate, pa pritur përfundimin e të gjitha proceseve të brendshme të BE-së, të cilat në të kaluarën kanë qenë, i kemi parë, komplekse dhe shumë kohëmarrëse? Pikërisht këtu hyn ideja e asaj që është quajtur, integrim i përshpejtuar.

Ajo nënkupton që vendet aspirante të përfitojnë më herët, përpara anëtarësimit, disa prej avantazheve kyçe të anëtarësimit në BE. Këto janë katër:

  • qasje në tregun e përbashkët, që është tregu më i madh në botë;
  • pjesëmarrje të hershme në programe dhe politika europiane transformuese, të cilat e kanë treguar, për ato vende që janë bashkuar më përpara, se sa transformuese janë;
  • rritje e lëvizshmërisë për qytetarët dhe bizneset;
  • integrim më i thellë ekonomik dhe financiar.

Nëse BE-ja do të adoptonte një qasje të tillë, vendet përfituese do të tregonin një fleksibilitet të përkohshëm, për një periudhë të kufizuar dhe të mirëpërcaktuar, në ushtrimin e disa të drejtave të plota, te cilat burojnë vetëm me anëtarësimin e plotë.

Por, është thelbësore të kuptohet se kjo nuk përbën kurrsesi heqje dorë nga këto të drejta, përkundrazi, do të ishte një fazë tranzitore që synonte përshpejtimin e arritjes së tyre.

Në këtë kuptim, fleksibiliteti nuk është dobësi, por është inteligjencë politike dhe largpamësi strategjike.


Së treti, përmes një qasjeje të tillë ruhet dhe forcohet besueshmëria e procesit të integrimit. Qytetarët, që në fund të fundit janë përfituesit realë, shohin rezultate konkrete.

Po ashtu, përshpejtohet konvergjenca ekonomike, një nga aspektet themelore me Bashkimin Europian, duke synuar dhe duke krijuar më shumë mundësi për zhvillim, lëvizshmëri dhe punësim.

Njëkohësisht, rritet bashkëpunimi dhe stabiliteti rajonal. Një rajon më i integruar ekonomikisht me BE-në është një rajon më i ndërlidhur dhe më pak i ekspozuar ndaj tensioneve dhe ndikimeve destabilizuese.

Së katërti, fakti që ky opinion është hartuar bashkë me Presidentin e Serbisë nuk duhet dhe nuk mund të interpretohet si tregues i ndonjë aleance të veçantë apo, më pak e më pak, i ndonjë projekti kundër dikujt as në rajon e as jashtë tij. Eshtë veçse një artikull në një gazetë: as aleancë, as projekt, as vendim.

Përkundrazi, ai dëshmon se vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve shpesh të thella (sic janë ato që kemi me Serbinë, në mënyrë të veçantë në papajtueshmërinë totale lidhur me Kosovën dhe jo vetëm), janë në gjendje të gjejnë gjuhë të përbashkët kur interesat strategjike përkojnë. Integrimi europian është një prej tyre dhe kërkon bashkëpunim, dialog dhe pragmatizëm.

Së pesti, shumë është shkruar dhe është thënë në ato dy faqe artikull se i paskëshin bërë dëm Kosovës.

Kjo është krejt e pabazë, por është dhe fakt, nëse lexoni artikullin rezulton e kundërta.

Asnjë gjë në atë artikull nuk zbeh në asnjë mënyrë, në asnjë aspekt qëndrimin e qartë, e të palëkundur të Shqipërisë ndaj Kosovës, mbeshtetjen e plotë, të parezervë e të vazhdushme për shtetin dhe sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës. Këto janë qëndrime të njohura, të konsoliduara të politikës sonë të jashtme ndër vite. Përkundrazi, angazhimi në dialog, shkëmbimi i ideve dhe trajtimi i hapur i temave të ndjeshme dëshmojnë pjekuri politike dhe përgjegjësi në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët europiane, për rajonin.

Por, nga ana tjetër, është për më së paku e çuditshme që thuajse askund nuk është përmendur apo analizuar impakti real që një qasje e tillë, nëse do realizohej, do të kishte për Kosovën.

Sipas artikullit, integrimi më i hershëm në tregun europian dhe në hapësirën Schengen do të sillte përfitime për të gjitha vendet e rajonit, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, në kuadër të një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese.

Dhe nëse ekziston sot një vend në rajon një vend që më shumë që ka nevojë për një qasje të tillë ajo është pikërisht Kosova, për shkak të situatës së marrëdhënieve që ka më Bashkimin Evropian dhe në fakt është vendi i vetëm që nuk është akoma kandidat për BE dhe për shkak të situatës që ka dhe me vendet anëtare, rëndësisë që ka forcimi i integrimit rajonal dhe afrimi sa më i shpejtë i Kosovës me strukturat evropiane. Këto nuk janë dëme, janë përfitime.

Në këtë kontekst, artikulli ishte një thirrje për partnerët Europeanë për të menduar në mënyrë më strategjike për Ballkanin Perëndimor, për të mos e lërë rajonin në një zonë gri gjeopolitike pasi vakumi krijon hapësirë për destabilizim dhe stagnim.

Së gjashti dhe së fundmi, zonja Kryetare, diplomacia nuk është asnjëherë një lojë me shumatore zero.

Paqja, pajtimi dhe bashkëpunimi me fqinjët, pa harruar kurrë të kaluarën, por duke u udhëhequr nga e ardhmja, janë shenjë pjekurie dhe kusht që Europa të na marrë seriozisht.

Bota po ndryshon me shpejtësi dhe jo domosdoshmërisht për mirë.

Gjeopolitika nuk na pret.

Arkitektura e sigurisë europiane është nën presion dhe kërcënim.

Lufta është rikthyer në kontinent dhe konkurrenca gjeopolitike është më e fortë dhe më e paparashikueshme se kurrë.

Nëse nuk krijojmë modele të reja bashkëpunimi që e bëjnë rajonin tonë të domosdoshëm për BE-në, rrezikojmë të mbetemi në periferi.

Shqipëria ka vendosur të jetë në tavolinë dhe po e ripërsëris, anëtarësimi i plotë në BE është dhe mbetet qëllimi ynë i panegociueshëm. Ky është në gjykimin tim edhe mesazhi kryesor i rezolutës që sapo miratuam me konsensusme një abstenim, çka tregon edhe një herë aftësinë e veçantë të këtij vendi për t’u bërë bashkë për të përbashkëtën, për të ardhmen për të mirën e të gjithëve.

Faleminderit.