Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri Hoxha mori pjesë në Takimin e Koalicionit për Rikthimin e Fëmijëve të Ukrainës,  ku konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj fëmijëve të Ukrainës dhe rikthimit të tyre në atdheun e tyre.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

📍Bruksel: Mora pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Koalicionit për Rikthimin e Fëmijëve të Ukrainës, bashkëorganizuar nga Bashkimi Evropian, Ukraina dhe Kanadaja.

Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah #Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.

Edhe një herë rikonfirmuam qëndrimin tonë të vendosur dhe parimor, ashtu siç Shqipëria veproi në mënyrë të vazhdueshme gjatë mandatit të saj në #Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mbështetje të fëmijëve të Ukrainës, të rrëmbyer, deportuar në mënyrë të paligjshme dhe të privuar nga fëmijëria, identiteti dhe e ardhmja e tyre si pasojë e këtij agresioni.

Rrëmbimi dhe deportimi i paligjshëm i fëmijëve ukrainas përbën një nga shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe një nga mizoritë më të neveritshme të kësaj lufte. Llogaridhënia dhe drejtësia duhet të mbeten në thelb të përgjigjes sonë kolektive.

Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje që synon garantimin e kthimit të sigurt, të menjëhershëm dhe dinjitoz të çdo fëmije ukrainas pranë familjeve të tyre dhe në atdheun e tyre.

Asnjë #fëmijë nuk duhet të bëhet kurrë viktimë e luftës, zhvendosjes së detyruar apo ndarjes nga njerëzit e tyre të dashur.

#StandWithUkraine

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2054084514087927934?s=46