Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri Hoxha në takimin e thirrur nga Sekretarja britanike Cooper për ngushticën e Hormuzit: Përpjekje të koordinuara mes aleatësh për rihapjen e kësaj rruge detare kritike.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Sot mora pjesë në takimin virtual të thirrur nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, që bëri bashkë homologë nga mbi 40 vende për të adresuar nevojën urgjente për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas mbylljes së saj nga Irani në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm.

Diskutimet u përqëndruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik.

Uniteti, koordinimi dhe një qasje ndërkombëtare e bazuar në rregulla janë thelbësore. Liria e lundrimit është një parim themelor që duhet të respektohet.

Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me partnerët dhe aleatët për të mbështetur përpjekjet e deeskalimit dhe për të kontribuar në iniciativa dhe zgjidhje kolektive.

#MëTëFuqishëmSëBashku

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2039746738341183644?s=46