Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri i Punëve të Jashtme, z.Ferit Hoxha zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë z.Margus Tsakhna. Ministri Hoxha e vlerësoi këtë si një takim të parë miqësor dhe produktiv, në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Helsingborg.

Ai theksoi se në vijim të vizitës së fundit të Kryeministrit Edi Rama në Talin, ka patur një shkëmbim të shkëlqyer mendimesh mbi rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet shumë të forta dypalëshe dhe dëshirën e përbashkët te dy vendeve për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.

Në veçanti, u diskutua përvoja e jashtëzakonshme e Estonisë në digjitalizim, inovacion dhe transformimin e shërbimeve publike dhe qeverisjes së përditshme, fusha ku Shqipëria është e prirur të thellojë bashkëpunimin dhe të përfitojë nga ekspertiza e Estonisë për të forcuar më tej efikasitetin, transparencën dhe administratën publike të orientuar drejt qytetarëve.

Gjithashtu u shkëmbyen mendime mbi situatën e sigurisë në rajon dhe mbi përpjekjet e përbashkëta, duke përfshirë edhe si Aleatë të NATO-s, për të forcuar më tej qëndrueshmërinë dhe koordinimin kolektiv në adresimin e sfidave të përbashkëta, përfshirë ato në hapësirën kibernetike, përmes Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE), së cilës Shqipëria iu bashkua së fundmi.