Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, ka theksuar që marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Greqisë vijojnë të forcohen mbi baza të qëndrueshme bashkëpunimi dhe përfitimi të ndërsjellë.

Ministri Hoxha postim në X:

#DiplomaciaEkonomike në politikën e jashtme.

Në #Delfi pata kënaqësinë e një bashkëbisedimi përmbajtësor me përfaqësues të Unionit të #Biznesmenëve Grekë mbi potencialin e madh që ofron sot Shqipëria si një treg i hapur për investime, mbi mundësitë, por edhe garancitë që ofron një ekonomi gjithnjë e më dinamike dhe miqësore ndaj investitorëve të huaj.

Marrëdhëniet në tërësi, përfshirë ato ekonomike dhe tregtare, mes #Shqipërisë dhe #Greqisë vijojnë të forcohen mbi baza të qëndrueshme bashkëpunimi dhe përfitimi të ndërsjellë. Greqia renditet sot si partneri i tretë tregtar i Shqipërisë dhe një treg gjithnjë e më i rëndësishëm për eksportet shqiptare, siç dëshmohet nga rritja e vazhdueshme e shkëmbimeve tregtare gjatë vitit 2025 dhe muajve të parë të vitit 2026.

Investimet greke janë po ashtu në një trend rritës, duke reflektuar interesin në zgjerim për tregun shqiptar, veçanërisht në sektorë kyç të ekonomisë dhe punësimit, ku operojnë sot mbi 800 ndërmarrje greke. Megjithatë, potenciali mbetet edhe më i madh dhe mundësitë janë të shumta, përfshirë në perspektivën e #Shqipërisë2030, çka kërkon një angazhim të shtuar, praktik dhe inovativ për më shumë kontakte dhe rrjetëzim.

#KomunitetiShqiptar në Greqi vijon të jetë një urë e fortë lidhëse ekonomike mes dy vendeve dhe një faktor i rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të një partneriteti strategjik afatgjatë, me përfitime të ndërsjellta.

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2047351684913922074?s=46