Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me nxënësit e shkollës teknike austriake ku është shprehur që të rinjtë janë fytyra e Shqipërisë që avancon çdo ditë drejt anëtarësimit në BE

Postimi i Ministrit Hoxha në X:

Shkodër – Në Shkollën e Mesme Teknike Industriale “Peter Mahringer”, një model i shkëlqyer bashkëpunimi me #Austrinë, një vatër mësimdhënieje evropiane, e mbështetur nga Ministria Federale e Arsimit e Austrisë, ku nxënësit shqiptarë përfitojnë arsim profesional sipas standardeve më të mira evropiane. Aty ku teoria akademike ndërthuret me praktikën intensive, veçanërisht në fushën e teknologjisë, duke përgatitur brezin e ri për tregun modern të punës.

Pikërisht në vende si ky, ku ndërtohen historitë e para të suksesit, pata kënaqësinë të ndaj me nxënësit mesazhin se asgjë nuk është e pamundur kur ka dedikim, përkushtim, punë dhe energji të investuara për mirë, për të ardhmen.

Këta të rinj që sot mësojnë, aftësohen dhe krijojnë janë profesionistët dhe qytetarët e së nesërmes, forca që do të çojë përpara zhvillimin e vendit dhe do të përfaqësojë denjësisht vlerat shqiptare në BashkiminEvropian. Ata janë fytyra e Shqipërisë që avancon çdo ditë me besim drejt anëtarësimit, si pjesë e pandashme e familjes evropiane.

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2052074189532623063?s=46