Ministry for Europe and Foreign Affairs

Më 18 nëntor 2025, Zv. Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti, mori pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Italofonisë, e organizuar në Romë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, në bashkëpunim me Shoqërinë “Dante Alighieri”.

Me këtë rast, Shqipëria u bashkua zyrtarisht me Komunitetin e Italofonisë, një nismë e re ndërkombëtare që synon forcimin e bashkëpunimit mes shteteve që ndajnë trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore italiane.

Anëtarësimi i Shqipërisë konfirmon rolin e saj si partner i rëndësishëm në iniciativat kulturore dhe diplomatike evropiane, duke reflektuar lidhjet e thella historike me Italinë dhe kontributin e komuniteteve shqiptare e arbëreshe në këtë vend.

Gjatë fjalës së saj në konferencë, Zv. Ministrja Premti theksoi rëndësinë strategjike të gjuhës italiane në edukim, kulturë dhe bashkëpunim dypalësh, si dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në zhvillimin e projekteve të përbashkëta arsimore, kulturore dhe shkencore brenda Komunitetit të Italofonisë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë nismë të re përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të dialogut, krijimit të mundësive të reja për të rinjtë, dhe forcimit të profilit ndërkombëtar të vendit në fushën e diplomacisë kulturore.