Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri Hasani: “Një hap i rëndësishëm që ndikon në zhvillimin e shpejtë ekonomik të Shqipërisë dhe rrugën integrimit në BE!”

 

24 Janar 2025 – Sot, në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është nënshkruar Marrëveshja e Vendit Pritës me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI). Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Z. Igli Hasani dhe Zëvendës Presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve Z. Robert de Groot.

Sipas Ministrit Hasani, ky është një hap i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e shpejtë ekonomik të Shqipërisë dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit në familjen e madhe evropiane. Ndër të tjera, ai u shpreh:

 

“Me Zëvendës Presidentin e BEI, nënshkruam Marrëveshjen e Vendit Pritës për hapjen e zyrës së BEI në Shqipëri, një iniciativë kyçe për të mbështetur zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së, si dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Hapja e kësaj zyre synon të maksimizojë mbështetjen financiare dhe teknike për projekte të rëndësishme, projekte të cilat BEI na ka mbështetur që prej vitit 1995. Që në fillimet e këtij bashkëpunimi, BEI ka mbështetur Shqipërinë dhe ndihemi mirë për këtë partneritet të fortë. Kontributi i Bankës reflektohet në fusha prioritare si modernizimi i infrastrukturës, nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe ç’është më e rëndësishmja, avancimi i agjendës evropiane të Shqipërisë. Shqipëria mbetet e angazhuar ndaj prioriteteve të saj zhvillimore në përputhje me fokusin e BEI. Jemi plotësisht të përkushtuar për të forcuar këtë partneritet, duke synuar rritjen ekonomike të vendit, forcimin e integrimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ndërsa Zëvendës Presidenti Robert de Groot, i cili është përgjegjës për operacionet e BEI në Ballkanin Perëndimor, cilësoi:

 

“Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve shënon  një moment historik të rëndësishëm për Bankën Evropiane të Investimeve në Shqipëri. Duke ecur përpara në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, jemi të angazhuar të zbatojmë projekte të reja me ndikim të madh, të cilat nxisin lidhshmëri më të mirë dhe tranzicion të gjelbër në Shqipëri. Jemi vërtet mirënjohës ndaj Qeverisë së Shqipërisë, sepse na dhatë një status të ri, por edhe kjo në vetvete është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Së bashku me Delegacionin e BE-së dhe partnerët e tjerë, ne me kërshëri presim që të intensifikojmë projektet tona të investimeve edhe në fusha shumë të rëndësishme prioritare si ajo e konektivitetit. Konektiviteti është shumë i rëndësishëm për sa i përket rritjes ekonomike dhe integrimit rajonal.”

 

I pranishëm në këtë aktivitet, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato u shpreh:

 

“BE-ja në Shqipëri mbështet forcimin e partneritetit midis Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës së BE-së dhe Qeverisë së Shqipërisë, në këtë moment të rëndësishëm, ku Shqipëria është duke përshpejtuar përpjekjet e saj drejt anëtarësimit të plotë në BE. BEI luan një rol vendimtar në lehtësimin e qasjes në kapitale, si për sektorin publik, ashtu edhe për atë privat. Kur kjo kombinohet me grantet e dhëna nga Bashkimi Evropian, arrijmë një shkallë investimi që nuk do të ishte e mundur. Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim në mënyrë aktive zbatimin nga ana e Shqipërisë të Planit të Rritjes së BE-së dhe Agjendës së Reformave dhe Rritjes, duke nxitur modernizimin, reformat dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike. Tani është momenti që Shqipëria të maksimizojë përfitimet e partneritetit të saj me BE-në dhe BEI-në për të ndërtuar themelet e një Shqipërie më të fortë, më të lidhur dhe më të begatë brenda BE-së”.