Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në hapje të takimit, ministri shprehu dashamirësinë dhe përgëzimet e tij ndaj kreut aktual të Aleancës për marrjen e drejtimit të kësaj force politike në një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike ne Kosovë si dhe njëkohësisht vlerësimin  për kontributin e çmuar të ish-kryetarit, Ramush Haradinaj, si në drejtimin e Aleancës ndër vite ashtu edhe në avancimin e agjendës shtetërore të Kosovës, veçanërisht në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për rrugëtimin e saj euroatlantik.

“Diskutuam mbi rëndësinë e krijimit sa më parë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve dhe rolin konstruktiv që Aleanca mund të luajë në ndërtimin e konsensusit politik, veçanërisht në funksion të proceseve të rëndësishme institucionale që e presin vendin, përfshirë zgjedhjen e Presidentit”, – bëri me dije ministri Hoxha.

“Theksova rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve, konsolidimit të paqes së qëndrueshme dhe përparimit në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar njëkohësisht nevojën për përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj çdo veprimi që cenon sgurinë e Kosovës dhe  stabilitetin rajonal”, -vijoi më tej ai.

Në përfundim, ministri riafirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën, në çdo kohë dhe në çdo aspekt, si për forcimin e demokracisë, institucioneve dhe zhvillimit të saj, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të Kosovës si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.