Budapest, Hungari, 13-14 Mars 2025 – Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino mori pjesë në Panelin e Nivelit të Lartë të edicionit të nëntë të Forumit Ballkanik të Budapestit.
Me temë “Reflektim mbi Arritjet e Presidencës Hungareze të BE-së: Ndikimet në Evropën Juglindore”, ky panel ofroi një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur gjatë Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Fino vlerësoi përkushtimin e Hungarisë për promovimin e agjendës së zgjerimit të BE-së, e cila mbetet me rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Duke reflektuar mbi progresin e Shqipërisë, Fino shprehu rëndësinë e hapjes së negociatave për Grup-Kapitujt 1 dhe 6 gjatë Presidencës Hungareze, duke cilësuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj procesit të integrimit evropian, si dhe duke theksuar gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët e saj për të ndërtuar një Evropë më të fortë dhe gjithëpërfshirëse.
Gjatë vizitës në Budapest, Zëvendësministrja Fino zhvilloi edhe një ligjëratë në Akademinë Diplomatike Hungareze mbi progresin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë ligjëratës, znj. Fino nënvizoi rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili siguron një mbështetje financiare prej 922 milionë eurosh për Shqipërinë gjatë tre viteve të ardhshme. Ky plan synon përshpejtimin e konvergjencës ekonomike dhe integrimin në Tregun e Përbashkët Rajonal, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Në përfundim, Zëvendësministrja Fino theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për të vazhduar me reformat dhe për të përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.