Ministry for Europe and Foreign Affairs

Mostar, 9 dhjetor 2025

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, mori pjesë më 9–10 dhjetor 2025 në Takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA–Adriatike (A5) në Mostar, i cili përmbylli Kryesimin e Bosnjë dhe Hercegovinës për vitin 2025. Në takim ishin të pranishme vendet anëtare të Kartës, si dhe Kosova, Serbia dhe Sllovenia me status vëzhguesi.

Diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit të vendeve të A5, adresimin e sfidave të sigurisë, avancimin e proceseve euro-atlantike dhe rritjen e qëndrueshmërisë rajonale ndaj kërcënimeve hibride.

Në fjalën e saj, Zv.Ministrja Fino theksoi rolin e A5 si një histori suksesi për stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të rajonit. Ajo vlerësoi angazhimin e Kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të thelluar përballë kërcënimeve hibride, duke rikërkuar njëkohësisht anëtarësimin me të drejta të plota të Kosovës në Kartë.

Pavarësisht përparimit të diskutimeve, takimi nuk arriti miratimin e Deklaratës së Përbashkët për shkak të mosmarrëveshjes mbi përfshirjen e çështjes së anëtarësimit të Kosovës, çka çoi në përmbylljen e tij me konkluzione të Kryesisë.

Takimi riafirmoi angazhimin e vendeve të Kartës SHBA–Adriatike për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Në përfundim, Bosnjë dhe Hercegovina ia dorëzoi Kryesimin Kroacisë për vitin 2026, e cila do të fokusohet në kërcënimet hibride dhe sigurinë energjetike.