Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës ë, pika1, neni 13 i Ligjit nr. 105, datë 31.07.2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” dhe VKM nr. 415, datë 13.05.2015 “Për përdorimin e barnave për konsum minimal nga udhëtarët”.
Barnat për konsum minimal nga udhëtarët nuk pajisen me autorizim tregtimi nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Lejohet hyrja, në territorin e Republikës së Shqipërisë, e udhëtarëve me sasi barnash për përdorim personal, në rastet kur:
a) këto barna nuk do të përdoren për qëllim promovimi dhe/ose tregtimi;
b) individi, i cili mban barin, plotëson deklaratë me shkrim ku përcakton se bari është për përdorimin e tij personal dhe jep informacion për kontaktet e mjekut që i ka përshkruar trajtimin e barit, në Republikën e Shqipërisë, ose vërteton që ky trajtim ka nisur në një shtet të huaj. Kjo deklaratë depozitohet pranë autoriteteve doganore të pikës hyrëse në territorin e Republikës së Shqipërisë;
c) sasia e barit të sjellë për trajtimin e individit është e tillë që përfshin trajtimin e pacientit për një periudhë jo më shumë se 2 muaj, e justifikuar me recetën shoqëruese të mjekut, ku përcaktohet doza ditore e barit për trajtim. Për shtetasit me qëndrim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sasia e barit që duhet të mbajë një person me vete duhet të jetë në përputhje me kohën e qëndrimit të tij në Shqipëri.