Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ferit Hoxha ka lindur më 22 shkurt 1967, në Koplik, Malësi e Madhe.
Ai është një diplomat karriere me mbi tre dekada e gjysmë përvojë të pasur në diplomacinë shqiptare. Iu bashkua Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë në vitin 1991 dhe që prej asaj kohe ka mbajtur një sërë detyrash të larta, duke përfaqësuar Shqipërinë në kryeqytete dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Z. Hoxha e nisi karrierën diplomatike në vitin 1991, si specialist për marrëdhëniet Shqipëri–BE. Më pas shërbeu si Këshilltar në Misionin e Shqipërisë pranë OKB-së në Nju Jork dhe në vitet 1996–1998, ishte Drejtor për Marrëdhëniet Shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Nga viti 1998 deri në vitin 2001, shërbeu si Ambasador i Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, Ambasador në Belgjikë dhe Ambasador jo-rezident në Luksemburg. Më pas, nga viti 2001 deri në vitin 2006, ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë, njëkohësisht i akredituar si Ambasador jo-rezident në Portugali dhe Monako.

Nga viti 2006 deri në vitin 2009, mbajti detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjatë kësaj periudhe, shërbeu gjithashtu si Koordinator Kombëtar për Aleancën e Qytetërimeve dhe si Guvernator i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Nga viti 2009 deri në vitin 2015, ishte Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Pas përfundimit të këtij mandati, nga nëntori 2015 deri në mars 2018, shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Nga marsi 2018 deri në tetor 2021, ishte Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë UNESCO-s në Paris.

Nga shtatori 2021 deri në shkurt 2024, z. Hoxha shërbeu sërish si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së në Nju Jork, por këtë herë për të drejtuar delegacionin shqiptar gjatë mandatit të parë të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit (2022–2023). Gjatë kësaj periudhe, ai shërbeu dy herë si President i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në qershor 2022 dhe në shtator 2023.

Pas përfundimit të mandatit historik të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, nga marsi 2024 deri më 4 mars 2026, ai u rikthye si Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian për të drejtuar ekipin shqiptar në Bruksel në një nga periudhat më të rëndësishme dhe aktive në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Më 4 mars 2026, me propozimin e Kryeministrit Edi Rama, z. Hoxha u dekretua nga Presidenti i Republikës në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjatë karrierës së tij, Ambasador Hoxha ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta në organizata ndërkombëtare, përfshirë si Kryetar i Grupit Joformal të Punës për Dokumentacionin dhe Çështjet Procedurale të Këshillit të Sigurimit; Nënkryetar i Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC); Nënkryetar i Bordit Ekzekutiv të UNICEF-it; President i Takimit të 23-të të Shteteve Palë të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS); si dhe Bashkëkryetar i Grupit të Punës të Hapur për reformën e Programit “Memory of the World” të UNESCO-s.

Ambasador Hoxha është nderuar me disa dekorata kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat: “Oficer i Madh” (Grand Officer) i Urdhrit Kombëtar të Meritës të Republikës së Francës; “Oficer i Urdhrit të Yllit të Italisë”; si dhe “Personalitet Frankofon i Vitit” (2007), akorduar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.

Ai është diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë dhe Letërsi Frënge dhe ka ndjekur një numër formimesh profesionale brenda dhe jashtë vendit. Ai flet rrjedhshëm gjuhët angleze, frënge dhe italiane.