Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Dialogu Politik: Italia mbetet një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë dhe bashkëpunimi bazohet në lidhjet e jashtëzakonshme historike, kulturore dhe ekonomike. Dialogu ndër-shtetëror midis qeverive është i qëndrueshëm, i fortë dhe i integruar përmes bashkëpunimit të thellë dypalësh në shumë sektorë dhe fusha. Marrëdhëniet shqiptaro-italiane vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, e lidhur me interesat tona të thella strategjike, partneritetin e ngushtë të NATO-s dhe një perspektivë të përbashkët evropiane.

Partneriteti Strategjik midis dy vendeve (i sanksionuar në Deklaratën e Partneritetit Strategjik nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 12 Shkurt 2010), si edhe mbështetja e fuqishme e Italisë në rrugën e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, konfirmojnë edhe më shumë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Në marrëdhëniet midis dy vendeve një element të rëndësishëm përbëjnë edhe komuniteti shqiptar e arbëresh në Itali, por tashmë edhe italianët në Shqipëri, të cilët japin një kontribut të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve të gjithanshme tradicionale dhe të reja midis dy vendeve, si dhe një shembull të përkryer, të bashkëjetesës, tolerancës dhe harmonisë midis popujve.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe gjithashtu një nga donatorët kryesorë të Shqipërisë. Ka një gatishmëri për të promovuar praninë e investimeve dhe investitorëve italianë në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit.

Për bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Itali, është ngritur një mekanizëm bashkëpunimi, si Komiteti i Përbashkët i Përhershëm për Çështjet Ekonomike dhe Sociale Shqipëri-Itali. Në korrik 2023, u mbajt në Romë, Takimi i 2-të i nivelit politik të Komisionit të Përbashkët të Përhershëm për Çështje ekonomike dhe sociale Shqipëri-Itali, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Jashtëm z. Antonio Tajani dhe Kryeministri Rama, ku u konfirmua vullneti i të dy palëve për të forcuar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat e interesit të përbashkët dhe mundësitë e investimeve në shumë sektorë potencialë, si energjia, infrastruktura, bujqësia dhe veçanërisht turizmi.

Gjithashtu ka bashkëpunim intensiv në projektin TAP, si dhe për Korridorin 8, i cili ka një rëndësi strategjike jo vetëm për vendet respektive, por edhe për Rajonin e gjithashtu për sigurinë energjetike të BE.

Me Italinë është nënshkruar së fundi marrëveshja për pensionet, si detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim prej 30 vitesh dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të dy vendeve tona.