Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Historik i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi politik

Shqipëria e ka njohur shtetin e ri të Kroacisë më datë 21.01.1992 dhe dy vendet tona kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike më 25.08.1992.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë vlerësohen si të shkëlqyera dhe nuk ka asnjë çështje të hapur mes tyre. Midis palëve zhvillohet njё dialog politik intensiv, pёr marrëdhëniet midis dy vendeve, situatën nё rajon dhe më gjerë. Vizitat e nivelit të lartë dhe shumë të lartë, si dhe konsultimet diplomatike janë të shpeshta dhe konstruktive.

Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s dhe marrëdhëniet dypalëshe mbështeten në një bashkëpunim që intensifikohet vazhdimisht në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet madhor i politikës sonë të jashtme dhe Kroacia, si vend mik, mbështet plotësisht Shqipërinë në këtë proces, bazuar në dokumentin e Partneritetit Strategjik, nënshkruar midis dy qeverive.

Shqipëria, e njohur për rolin konstruktiv që ka luajtur në rajon, e konsideron Kroacinë një partner të rëndësishëm jo vetëm në aspektin dypalësh, por edhe në bashkëpunimin rajonal, duke e konsideruar atë një aktor të rëndësishëm në Evropën Jug-Lindore. E ardhmja e sigurt e rajonit është padyshim integrimi evropian dhe euroatlantik. Shqipëria vlerëson mbështetjen e Kroacisë në procesin e integrimit në BE dhe beson që kjo mbështetje do të vazhdojë.

Bashkëpunimi ekonomik

Marrëdhëniet me Kroacinë zënë një vend të rëndësishëm në politikën rajonale të Shqipërisë. Ne synojmë ta bëjmë më intensiv dialogun politik me këtë vend në të gjitha nivelet, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe në kuadër të nismave të bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e disa projekteve strategjike për rajonin, si p.sh. Korridori Adriatiko-Jonian, i ashtuquajtur edhe Korridori Blu, Gazsjellësi IAP (Joniano-Adriatik), si edhe kanë një bashkëpunim të shtuar në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Sfidë për të ardhmen mbetet forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare. Energjia, turizmi, transporti, bujqësia, kultura dhe arti janë disa nga fushat e rëndësishme të bashkëpunimit.