Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

I. LËVIZJA E LIRË NË VENDET E HAPËSIRËS SHENGEN

Vendet në të cilat shtetasit shqiptarë nuk kanë nevojë për vizë dhe që zbatojnë rregullat e hapësirës Shengen janë:

Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtejn, Lituania, Luksemburg, Malta, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, San Marino, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra.

II. KALIMI I KUFIRIT ME SISTEMIN EVROPIAN TË HYRJEVE/DALJEVE

TETOR 2025-Sistemi i Hyrje/Daljeve (EES) është një kontroll biometrik kufitar për udhëtarët drejt Zonës Schengen me 29 vende, i cili do të lehtësojë udhëtimin për jo-evropianët në vendet evropiane.

Një kontroll kufitar më i efektshëm për udhëtimet evropiane

Sistemi Evropian i Hyrje/Daljeve është një kontroll kufitar për shtetasit jo të BE-së që udhëtojnë në zonën Shengen të 29 vendeve evropiane për qëndrime të shkurtra.

Kjo është një mënyrë për ta bërë udhëtimin në Evropë më efikas dhe më të sigurt.  Kjo do të thotë që të dhënat do të fillojnë të mblidhen në pikat e kalimit kufitar të vendeve pjesëmarrëse që nga kjo datë dhe EES-ja pritet të jetë plotësisht funksionale deri më 10 prill 2026.

Për të mësuar detaje të plota, shkoni   https://travel-europe.europa.eu/ees

Çfarë është Sistemi i Hyrje/Daljeve (EES)?

Me një popullsi prej 450 milionë banorësh, vendet e Shengenit kanë hequr kontrollin e pasaportave dhe atë kufitar në kufijtë e tyre të ndërsjellë. Kjo krijon një zonë lëvizjeje të lirë mes tyre për qytetarët, banorët dhe vizitorët.

Si sistem i efektshëm i menaxhimit të kufijve për Bashkimin Evropian, Sistemi i Hyrje/Daljeve (EES) është çelësi për të udhëtuar në vendet e Zonës Shengen.

Ndiqni lidhjen https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/schengen/schengen-area_en

Për kë është EES-ja?

Sistemi i Hyrje/Daljeve është për shtetasit jo të BE-së që udhëtojnë për një qëndrim të shkurtër në një vend evropian të zonës Shengen. Ka edhe përjashtime.

Ndiqni lidhjen  https://travel-europe.europa.eu/ees/ltr/to-whom-does-ees-not-apply.

Çfarë bën EES-ja?

EES-ja është një kontroll kufitar në kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian/Zonës Shengen. Qëllimi është përshpejtimi i kontrolleve kufitare dhe përmirësimi i sigurisë së brendshme.

Çfarë lloj informacioni kërkon EES-ja?

EES-ja mbledh të dhëna të listuara tashmë në dokumentin tuaj të udhëtimit, datën dhe vendin e çdo hyrjeje dhe daljeje, si dhe të dhëna biometrike. Ky informacion do t’i bëjë kontrollet kufitare më efikase dhe të sigurta.

Për më shumë informacion:

Ndiqni këtë lidhje për të shkuar në faqen zyrtare të EES-së me të gjitha hollësitë e rëndësishme. https://travel-europe.europa.eu/ees/what-is-the-ees

III. AFATET DHE MOTIVET E QËNDRIMIT PA VIZË

Shtetasit shqiptarë mund të qëndrojnë në vendet si më sipër, për 90 ditë brenda një periudhe 6 mujore (180 ditë). Numërimi i ditëve të qëndrimit fillon në momentin e hyrjes së parë. Nga data e hyrjes së parë llogaritet 6-mujori përgjatë të cilit, shtetasit nuk mund të kalojnë afat qëndrimin prej 90 ditësh. Për hyrje-dalje të shkurtra, afati i qëndrimit është shuma e ditëve për secilin udhëtim.

Nëse përgjatë një 6-mujori shtetasit nuk qëndrojnë 90 ditë të plota, ditët e mbetura nuk kalojnë, si shtesë e afat qëndrimit të lejuar në 6-mujorin pasardhës.

Mosrespektimi i afat qëndrimit 90 ditor për 6 muaj përbën shkelje të legjislacionit të vendeve të Schengen-it. Shtetasit që thyejnë këtë afat penalizohen me gjoba ose me ndalim të hyrjes në të gjithë hapësirën Schengen.

Për përllogaritjen e kohës së qëndrimit në vendet e zonës Shengen, klikoni në linkun: https://ec.europa.eu/assets/home/visa-calculator/calculator.htm

IV. MOTIVET E QËNDRIMIT

Motivi i vetëm i qëndrimit pa vizë në hapësirën e vendeve të Schengen-it është qëndrimi afatshkurtër për qëllime turizmi, kontakte pune, biznesi, aktivitete kulturore dhe vizita familjare. Shtetasit nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë qëndrimin pa vizë për qëllime punësimi, trajtime shëndetësore ose shkollim.

Për të qëndruar përtej afatit 90 ditor për 6 muaj, shtetasit janë të detyruar të kërkojnë vizë qëndrimi (vizë të tipit D). Pajisja me vizë D garanton marrjen e lejes së qëndrimit, për qëndrim afatgjatë.

V. DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM

Kërkesë parësore është paraqitja e pasaportës së vlefshme biometrike. Në përputhje me motivin e udhëtimit shtetasi është i detyruar të justifikojë me dokumente mbështetëse, nëse kërkohen, motivin e udhëtimit dhe aftësinë e tij për të përballuar financiarisht udhëtimin. Autoritetet kufitare të huaja, kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e shtetasit, i cili nuk është në gjendje të justifikojë motivin e udhëtimit.

Hyrja në hapësirën Shengen u refuzohet personave, të cilët më parë janë dënuar nga njëri prej vendeve të zonës Schengen, për mosrespektim të legjislacionit të qëndrimit.

VI. INFORMIMI PËR BLLOKIMIN NË HAPËSIRËN SCHENGEN

Nëse një shtetas është ndaluar të hyjë në hapësirën Schengen duhet që, personalisht të kërkojë informacion nga vendi, i cili ka bërë ndalimin e tij, pranë përfaqësive diplomatike ose konsullore të atij vendi.

Lidhur me masën e ndalimit të hyrjes, dëbimit apo largimit nga vendet e Zonës Shengen, të shtetasve të huaj, ju informojmë si vijon:

AUSTRIA

Kërkesa për informacion lidhur me masën e ndalimit të hyrjes në zonën Shengen/BE i drejtohet Zyrës Federale të Krimeve (Bundeskriminalamt), nga vet personi i prekur nga kjo masë, nëpërmjet formularit (linku mëposhtë), dhe fotokopjes së pasaportës:

The Federal Ministry of the Interior
Federal Criminal Police Office, Sirene Austria
Josef Holaubek Platz 1
A-1090 Vienna
Republic of Austria
Email: bundeskriminalamt@bmi.gv.at

https://www.dsb.gv.at/europa-internationales/schengen/auskunft-ueber-daten-des-sis-ii.html

GJERMANIA

Kërkesa për informacion dhe për fshirjen e rezervave për shtetasit, që dëbohen apo largohen forcërisht prej Republikës Federale Gjermane, i drejtohet zyrës përgjegjëse për regjistrimin në sistem, nga vet personi i prekur, nëpërmjet një kërkese në gjuhën gjermane dhe formularit të plotësuar në adresën e mëposhtme:

Bundesverwaltungsamt
-Ausländerzentralregister-
Postfach 680169, D-50728 KÖLN- GERMANY
Telefon: 81049-1888-358-1351 ose 358-3351
Faks:81049-1888-358-2831

Formulari gjerman (bashkëlidhur)

SPANJA

Shtetasit shqiptarë mund të marrin informacion mbi përfundimin e afatit të ndalimit të hyrjes në Spanjë apo mbi situatën migratore në lidhje me Spanjën në përgjithësi, duke u paraqitur personalisht në Ambasadën e Spanjës në Tiranë.

Ambasada spanjolle do të procedojë duke dërguar kërkesën e shtetasit shqiptar, pranë autoriteteve kompetente spanjolle dhe pas marrjes së përgjigjes, qytetari/ja do të pajisjet me një certifikatë ku do të pasqyrohen informacionet e marra nga autoritetet migratore në Spanjë.

BELGJIKA

Autoriteti Përgjegjës për dhënien e informacionit për ndalimin e hyrjes në Zonën Shengen të dhënë nga shteti belg është Zyra e Emigracionit Belg.

Shtetasit duhet të përcjellin kërkesën në adresen e emailit: csis@ibz.fgov.be. Kërkesa duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:

-Të dhënat personale (Emër/Mbiemër/Datëlindje/Vendlindje/Fotokopjen e pasaportës)-Kërkesa për informacionin duhet të jetë e arsyetuar

-Në rastin kur kërkesa kryhet nga një avokat, ajo duhet të jetë e shoqëruar me një autorizim ose prokurë të posaçme nga personi i interesuar

Lidhur me kërkesën e shtetasve për të hequr para kohe ndalimin e hyrjes në Zonën Shengen ajo bëhet për arsye humanitare, me urdhër të Ministrit ose të deleguarit të tij dhe mund të aplikohet nëpërmjet Ambasadës Belge në Sofje ose direkt në Zyrën Belge të Emigracionit nëpërmjet adresave të emailit; acces.sejour@ibz.fgov.be (për gjuhën franceze) ose në adresën: toegang.verblijf@ibz.fgov.be (për gjuhën holandeze).

“Formular për shtetasit që dëbohen, largohen nga RFGJ”

* Lëvizja e lirë në vendet e hapësirës Shengen – Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme (punetejashtme.gov.al)