MARRËDHËNIET SHQIPËRI – ARGJENTINË - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 22/06/2022

MARRËDHËNIET SHQIPËRI – ARGJENTINË

Republika e Argjentinës (República Argentina), me sipërfaqe prej 2,780,400 km2, është shteti i dytë më i madh i Amerikës së Jugut, pas Brazilit.

Argjentina ka një popullsi prej më shumë se 44 millionë banorësh, një e treta e së cilës jeton në Buenos Aires, Kryeqyteti i Republikës.

Argjentina përbëhet nga 23 provinca dhe 1 qytet autonom (Buenos Aires). Gjuha zyrtare është spanjisht.

Shpallja e Pavarësisë nga Spanja u bë në 9 korrik 1816. Kushtetuta aktuale, është efektive nga 11 maji i vitit 1853. Argjentina ka një sistem dydhomësh “Kongresi Kombëtar” (Senati dhe Dhoma e Deputetëve).

Argjentina përfaqëson ekonominë e dytë më të madhe të Amerikës së Jugut. Është një nga vendet themeluese të Kombeve të Bashkuara dhe anëtare e G15G20Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Tregtisë, Mercosur, Bashkimit të Kombeve të Amerikës së Jugut, Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, Organizatës së Shteteve Iberiko-Amerikanei agjencive të specilizuara të Kombeve të Bashkuara, etj.

 

Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Argjentinë

 

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Argjentinës janë vendosur në 5 tetor 1973.

Mbulimi diplomatik është me Ambasador të akredituar jo-rezident, nga Brazilia për ne dhe nga Roma për Argjentinën.

 

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Shqipëria dhe Argjentina gëzojnë marrëdhënie të mira.

Në dekadat e fundit janë zhvilluar vizita dhe takime të nivelit të lartë, si dhe janë nënshkruar, apo janë në proces një numër marrëveshjesh, që përfshijnë dialogun politik e bashkëpunimin ekonomik.

Argjentina përfaqëson partnerin e tretë tregtar të Shqipërisë në Amerikën Latine. Importet shqiptare dominohen nga produktet me origjinë shtazore dhe mishi.

Të dyja vendet kanë identifikuar fusha me interes bashkëpunimi në tregti, turizëm dhe bujqësi dhe një sërë iniciativash janë në proces për të plotësuar kuadrin ligjor e institucional dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta në nivele të ndryshme.