Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Tiranë, 24 mars 2026 – Me rastin e 27-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, ka përkujtuar këtë moment historik përmes një reagimi publik.

Ministri Hoxha thekson se njëzet e shtatë vjet më parë, komuniteti ndërkombëtar vendosi të mos qëndronte indiferent përballë dhunës dhe spastrimit etnik të ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ndërhyrja e NATO-s përmes Operacionit “Allied Force” shënoi një kthesë vendimtare në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit njerëzor.

“Ky ishte një moment përcaktues, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme mbizotëroi mbi hezitimin dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të pranonte mizoritë masive”, shprehet Ministri Hoxha.

Duke rikujtuar rolin e Shqipërisë në atë periudhë, Ministri vlerëson solidaritetin e treguar nga institucionet dhe qytetarët shqiptarë, të cilët hapën dyert për mijëra refugjatë nga Kosova, duke ofruar strehim, ushqim dhe mbrojtje në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Sot, Kosova qëndron si një shtet i lirë dhe i pavarur, duke dëshmuar për qëndresën dhe sakrificën e popullit të saj, si dhe për përparimin në forcimin e institucioneve demokratike dhe kontributin për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ministri Hoxha thekson se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mbetet e përkushtuar në mbështetje të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.

Në përfundim, Ministri nderon viktimat, kujton guximin e atyre që i rezistuan shtypjes dhe vlerëson rolin vendimtar të aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kosova vijon rrugën e saj me besim dhe vendosmëri drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi vlerat e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.

Linku i plote i postimit të Ministrit Hoxha ne X:

https://x.com/hoxhafer/status/2036329259166257562?s=46