Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në 33-vjetorin e hyrjes në fuqi të Traktatit të Maastricht-it, që shënoi një moment historik në krijimin e Bashkimit Evropian, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka riafirmuar perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe synimin për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Ministri Hoxha thekson se ky përvjetor e drejton Shqipërinë drejt së ardhmes, drejt vendit që synon të zërë në tryezën evropiane, ku do të ndajë përgjegjësitë, do të japë kontributin e saj dhe do të marrë pjesë në formësimin e së ardhmes së përbashkët të kontinentit.

Ministri Hoxha nënvizon se identiteti evropian i Shqipërisë ka rrënjë të thella dhe se, përmes reformave të ndërmarra në vend dhe partneriteteve gjithnjë e më të forta në Evropë, ambicia evropiane po shndërrohet gradualisht në realitet.

“Rruga jonë është e qartë. E ardhmja jonë është vetëm evropiane”, thekson Ministri Hoxha në mesazhin e tij.