Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Konferencë me gazetarët e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali:

Përshëndetje,

Sot kam kënaqësi të ndaj me ju disa komente mbi një zhvillim me rëndësi të veçantë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, e për mënyrën sesi dinamika krejt e re e politikës sonë të jashtme në dekadën e fundit, po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, përmes një letre për Kryeministrin Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t’ju bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, në cilësinë e “Vendit Anëtar Themelues”.

Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.

Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i “Bordit të Paqes”.

Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik.

Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie.

Pikërisht në një moment me simbolikë e peshë të veçantë, ku Shqipëria thirret si bashkë-themeluese e një qendre të re diskutimesh e vendimmarrjesh me impakt global, jo në Honolulu, po në Shtëpinë e Bardhë, periferia e skenës sonë politike përndizet, a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo ftua me nderim të posaçëm.

Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë – çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë – në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord.

Tamam kur kjo ftesë e drejtpërdrejtë e Presidentit të SHBA për Kryeministrin e Shqipërisë, për t’ju bashkuar Bordit të Paqes si bashkë-themelues, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit opozitar, a thua se në Bordin e Paqes do të ulet partia e një pjese të shqiptarëve, e jo Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, kudo janë, në çdo truall ku jetojnë ata që flamur mbi të gjithë flamujt, kanë atë të Skënderbeut e të Ismail Qemalit.

E ndërkohë që ky partneritet, bosht kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe garanci e pozicionit tonë euroatlantik, fiton një kuotë të re historike dhe edhe një herë akoma, Shqipëria vlerësohet si një aleate e çmuar nga aleati i saj më i madh, SHBA, në pazarin e Tiranës politike numërohen të ftuarit, 10 jo 10 po sa, 210 jo 210 po sa, 60 jo 60 po sa, 10, jo 120…

Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga Presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme, për t’ju bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha se sa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falenderim.

E nëse për ato vende dhe të tjera në përmasat e në peshën e tyre të madhe gjeopolitike, kjo është diçka pozitive, për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme, me një përmasë e peshë historike.

Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave. Ai lind në një kohë ndryshimesh të mëdha për botën dhe ofrohet si një prirje e re që sfidon inercinë në terrenet e konflikteve të shtresëzuara me dekada të tëra, duke synuar ndërtimin e një paqeje që funksionon dhe i reziston kohës. Ne e shohim këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve.

Përvoja jonë si vend që ka dalë nga një errësirë e thellë, ka lënë pas raporte të vështira dhe ka investuar në paqe, bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal pa kufij, por më lejoni të shtoj, edhe modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, janë një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit.

Sipas Statutit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore. Madje mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe shtetërore.

Më vjen vërtet keq për nevojën për të komentuar edhe politikisht, nuk do doja, kur në fakt ky i Bordit të Paqes s’ishte fare rasti për t’i mbushur kanalet e portalet me opozitarizmin e shiut e të borës, po ishte në rastin më opozitar momenti për të heshtur.

Por besoj se kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së Presidentit Trump ndaj qeverisë sonë apo vetë kryeministrit Rama, të cilat kulmuan me agresionin dezinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA-ve për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA-të kanë marrëdhënie diplomatike.

Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën “SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim  gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht.

Jam e hapur për pyetje!

***

Pyetje:  Zonja Spiropali, pas ftesës që keni marrë dhe ju lexuat një pjesë të saj, nga presidenti Donald Trump, a synon Shqipëria të jetë anëtare e përhershme në Bordin e Paqes?

Ministrja Spiropali: Duhet të sqaroj që në fillim se Bordi i Paqes nuk është vetëm për Gazën edhe pse zgjidhja e situatës në Rripin e Gazës, sigurisht ka urgjencë më të madhe dhe buron edhe nga plani i paqes së presidentit Trump me 20 pika, ku tani në fazën e dytë për planin gjithëpërfshirës pas kalimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezoluta 2803, e 2025-ës, i hapet rrugë krijimit të Bordit të Paqes. Gjej rastin edhe për shkak të pyetjes suaj, të kthej disa përgjigje të shkurtra në lidhje me detyrimet, por edhe me angazhimet.

Jo, nuk ka detyrime financiare, është një ftesë e drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan Donald Trump.

Nuk ka angazhim tjetër përveçse angazhimit të shpallur botërisht, dhe që ne e delarojmë sot për marrjen pjesë në këtë bord.

Dhe sigurisht që Shqipëria me statusin e anëtarit themelues të Bordit të Paqes do të shohë në vijim, angazhimet që burojnë edhe nga statuti, po është një organizëm sui-generis, por që aspak dhe për asnjë arsye, nuk i kundërvihet Kombeve të Bashkuara, përkundrazi rrjedh nga një rezolutë e Kombeve të Bashkuara mbi krijimin e Bordit të Paqes, por edhe me implementin e planit Trump për paqen në Gaza.

Pyetje: Në letrën e presidentit Trump, bashkëngjitur siç edhe ju e përmendët ishte statuti dhe plani gjithëpërfshirës. Kryeministri Rama kur njoftoi për ftesën, qartazi njoftoi edhe për pranimin e ftesës së bërë nga Donald Trump, por cilat janë hapat që do të ndiqen nga Parlamenti? Do të duhet të ratifikohet në Parlament, a e ka pranuar zyrtarisht Shqipëria ftesën, dhe nga ana tjetër po ashtu ka analiza të shumta jo vetëm në Shqipëri, por edhe ndërkombëtare, që e cilësojnë këtë lëvizje të Shteteve të Bashkuara si një anashkalim të Kombeve të Bashkuara. Si i shihni ju këto analiza, apo këtë fakt?

Ministrja Spiropali: Ftesa është e qartë dhe sigurisht nuk është asnjë lëvizje promocionale, e asnjë reklamë për të cilën presidenti Trump nuk ka nevojë, por është një plan i qartë, shumë i detajuar, vizionar, mbi krijimin e një bordi, i cili në asnjë moment nuk i mbivendoset Kombeve të Bashkuara, të paktën nga sa ne po shohim qartësisht nga statuti dhe udhëzimi për mënyrën e operimit. Por është një mekanizëm shtesë, bashkëpunimi, që buron nga rezoluta e Kombeve të Bashkuara, që afron si shtete me një rëndësi të posaçme dhe këtë nuk e them për nga madhësia, por nga koherenca dhe qëndrueshmëria dhe luajaliteti në aleancë e përtej, por edhe me elementë, individë, njerëz të shquar, të cilët mund të kontribuojnë në këtë përpjekje shumë fisnike.

Sa i takon më pas respektimit të statutit, të udhëzimeve, ato janë aty për të gjithë, për t’u parë. Sigurisht që Shqipëria e pranon këtë ftesë dhe ne do jemi të gatshëm që përmes respektimit të atij statuti që është shumë i qartë, si për firmën që duhet të japin përfaqësuesit më të lartë të shteteve, ndaj është ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, nominalisht, ashtu edhe për proceset e tjera, ne jemi të gatshëm që në bashkëpunim me vendet që do të jenë në këtë bord, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerin tonë strategjik, të koordinohemi në çdo hap.

Pyetje:  Si i shpjegon Ministria e Jashtme deklaratat disamujore të administratës Trump dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila përgjatë gjithë muajve të fundit ka si refren për Shqipërinë, pra në diskursin e vet për Shqipërinë, dominohen nga kërkesa për të luftuar krimin e organizuar, kartelet e drogës dhe pastrimin e parave, një gjuhë që përdoret për vende problematike dhe jo për një shtet anëtar të NATO-s? Kjo është pyetja e parë. Dhe pyetja e dytë a keni dijeni nëse do të ketë në Shqipëri, një vizitë të vajzës së presidentit amerikan Ivanka Trump dhe a vijon qeveria shqiptare me planin për t’i falur dhëndrit të presidentit ishullin e Sazanit?

Ministrja Spiropali: Për pyetjen e parë, ju besoj i referoheni prioritetit të shpallur të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Departamentit të Shtetit për luftën kundër karteleve siç i quajnë ata, por edhe prioritetin e tyre për luftën ndaj krimit të organizuar kudo ku ai shfaqet dhe kudo që ai cënon sigurinë amerikane. Dhe në asnjë moment sekretari Rubio apo edhe të tjerë nuk i janë referuar Shqipërisë, e cila sigurisht nuk përjashtohet nga fenomene të tilla, por për të cilin nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët si etni, nuk mbajnë përgjegjësi as autoritetet në vendet e tjera ku ato shfaqen, qofshin në Amerikën Latine, në Europë dhe përtej, ashtu si të gjitha shtetet e tjera, sfidat e tyre kur vjen puna tek lufta kundër krimit të organizuar trafikimit te drogës, luftës kundër korrupsionit e të tjera prioritete. Ajo që është e qartë besoj si drita e diellit për të gjithë, është që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një partneritet të fortë historik dhe strategjik, i cili jo vetëm nuk është lëkundur, por siç ju po e shihni edhe nga kjo ftesë, por edhe  nga takime të tjera dhe prioritete te tjera.

Sigurisht që ky partneritet është i palëkundur dhe prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sa i takon pjesës që ne duhet të bëjmë, janë prioritetet tona. Dhe jo më kot Shqipëria në raportet e Bashkimit Europian, si të Komisionit edhe të vendeve anëtare, rezulton një vend që luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit, por edhe pavarësinë e gjyqësorit edhe të tjera prioritete që kanë lidhje me këtë luftë e ka sot në nivelin më të lartë, të paktën për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe për këtë arsye Shqipëria është sot vendi kandidat, pararojë, së bashku me Malin e Zi, për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Të tjerat janë spekulime politike me të cilat mund të rrohet përkohësisht, por nuk mund të krijohet një alternativë e besueshme dhe e qëndrueshme.

Pyetje: Për Ivanka Trumpin, a keni dijeni për një vizitë të saj në Shqipëri dhe a vijon plani i qeverisë shqiptare për t’i falur dhëndrit të presidentit ishullin e Sazanit?

Ministrja Spiropali: Ivanka Trump, jo vetëm familja e presidentit Trump, por të gjithë zyrtarët amerikanë janë të mirëpritur në Republikën e Shqipërisë. Dhe ne nuk kemi asnjë detyrim të japim informacione mbi vizitat e tyre qoftë private, qoftë të tjera në Shqipëri. Nuk ka asnjë plan as për falje tokash, nuk ka asnjë plan as për dhënien e territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë. Të jeni të sigurtë që asnjë nuk kërkon, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as presidenti Trump, as familja e tij, që Shqipëria të falë toka, siç i quani ju, apo të angazhohet në aktivitet të tillë, në Republikën e Shqipërisë. Ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore dhe ne jemi krenarë për to, siç jemi krenarë për projekte të tjera, të cilat padiskutim do t’i bëjmë realitet në Shqipëri.

 

Pyetje: Zonja Ministre, duke iu rikthyer edhe njëherë ftesës për Bordin e Paqes. A do të ketë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme një rol specifik në këtë proces?

Ministrja Spiropali: Padiskutim që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të jetë e angazhuar me gjithë kapacitetet e saj për këtë bashkëpunim, i cili kërkon një nivel shumë të lartë si përfaqësimi ashtu edhe ekspertize, ashtu edhe kontributi. Por besoj se kontributet tona të mëparshme si anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit, ashtu edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, në NATO e kudo tjetër, e kanë bërë Shqipërinë të besueshme. “Punching above its weight”, siç thonë shpesh në kto forume, pra që del përtej masës së vet dhe asaj që është pritur nga Shqipëria deri para pak vitesh, dhe është sot një kontributor serioz, sa i takon edhe paqes edhe sigurisë, por edhe proceseve të tjera, në nivel të multilateralizmit, të organizatave ndërkombëtare, edhe në nivele bilaterale.

Pyetje: Disa ditë më parë Ministria e Jashtme, por edhe Shërbimi Diplomatik në tërësi u kritikua ashpër nga kryeministri Rama duke e cilësuar si një dështim të plotë. Pse pas 13 vitesh që qeverisin socialistët ky shërbim konsiderohet në këtë pikë dhe nëse mendoni se është realisht në këtë fazë kritike, çfarë do të bëni për ta ndryshuar? A po punohet ndërkohë me ligjin e ri të Shërbimit të Jashtëm?

Ministrja Spiropali: Pyetje shumë e mirë, sepse në dukje ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit, respektit që Shqipëria ka krijuar në nivel ndërkombëtar dhe asaj që u tha mbi nevojën për një strukturim, për një reformim, të Shërbimit të Jashtëm, të Trupës Diplomatike, të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me të cilin konstatim unë jam plotësisht dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kam parë njerëz me një ekspertizë të jashtëzakonshme, me kontribut shumë të  madh në Trupën Diplomatike, në Shërbimin e Jashtëm, në shërbim të këtij vendi, ashtu siç padiskutim kemi bërë edhe një analizë të nevojave për reformim, duke nisur nga Ligji për Shërbimin e Jashtëm, i cili kalon në Kuvendin e Shqipërisë në 28 janar, që do t’i japë më shumë hapësirë meritokracisë, më shumë hapësirë promovimit të talenteve të reja, hapjes së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Trupës Diplomatike për të rinj apo kontributorë të tjerë që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe duan që të japin një shërbim për Shqipërinë. Kam vënë re padiskutim që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie publike, jo vetëm sa i takon reformës dhe ligjit.

Ne kaluam Ligjin për Diasporën, tani Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, por edhe të Përfaqësimit, Diplomacisë Publike. Ky rol i ri i Shqipërisë kërkon padiskutim, që të ndiqet edhe nga një administratë dhe nga një trupë diplomatike, e cila mirërregullohet, e cila ka jo vetëm kontributet dhe kalon përmes një procesi meritokratik, por në gjykimin tim edhe shpërblehet më mirë, edhe i shërben vendit në kapacitete të reja. Pra ka shumë hapësirë për përmirësim, dhe për ta thënë shkurt dhe shqip, duke qenë një strukturë që ka trashëguar edhe një histori, por edhe një strukturë që gjatë një tranzicioni të gjatë, ka patur ulje-ngritjet e veta, pse jo edhe duhet që ta pranojmë edhe emërime, apo promovime, apo mungesë gradimi, apo mungesë vlerësimi për diplomatët në meritë ka krijuar një ngërç.

Nuk e them këtë për konvencion, por sigurisht që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndër vite, në këto 13 vjet qeverisje ka kontributin e vet të padiskutueshëm edhe për rolin e Shqipërisë në botë, por besoj që ka ardhur koha, në këtë rol të ri në këtë pozicion të ri, në diskutimet dhe në negociatat kaq intensive me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade, pra brenda 2029 dhe mbylljen e negociatave brenda 2027-ës, ne jemi duke parë një reformim rrënjësor jo vetëm të ligjit, por edhe të Trupës Diplomatike, të Diplomacisë Ekonomike, edhe të Diplomacisë Publike dhe Kulturore dhe për më shumë prezencë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në diskutime të hapura dhe publike për procesin e integrimit, për ta zbërthyer këtë prioritet kombëtar më shumë për grupet e interesit, për të rinjtë, për studentët, për fermerët, për grupet e interesit dhe për ata që do të përfitojnë nga ky proces duke përmbushur shumë mirë detyrimet, ashtu edhe avantazhet.

Pra, ka shumë punë për të bërë dhe në këto 100 ditë ne kemi patur një aktivitet shumë të gjerë dhe intensiv, që ju e keni ndjekur dhe pasqyruar dhe për këtë unë ju falënderoj, si me vende anëtare të Bashkimit Europian, me vendet që kanë Presidencën e BE-së, me vende të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në procesin tonë të integrimit. Dhe 2026 do të jetë viti kur kjo mësymje diplomatike duhet të jetë më efiçente, më efikase, plani për 27 vizita në 27 vende anëtare brenda këtyre 2 viteve është një projekt shumë ambicioz, i cili kërkon të gjithë angazhimin e kësaj trupe që është një shtyllë e funksionimit të shtetit shqiptar dhe do të duhet padiskutim të ngrihet në lartësinë e këtij misioni.

Faleminderit!