Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ne, Pjesëmarrësit në Forumin e Delfit, z. Georgios Gerapetritis, z. Nemanja Starović, z. Glauk Konjufca, z. Ferit Hoxha, z. Zoran Dimitrovski, z. Ivan Ivanišević dhe z. Dragan Vukovic,

Duke u mbledhur në Delfi sot dhe,

Duke kujtuar Agjendën e Selanikut, të miratuar nga Këshilli dhe të mbështetur nga Këshilli Europian i Selanikut i 19 dhe 20 qershorit 2003, e cila hodhi themelet e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor;

Duke riafirmuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave të BE-së: respektimin e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të personave që u përkasin pakicave;

Duke theksuar qëndrimin tonë të vazhdueshëm ndaj Parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, në veçanti zbatimin me mirëbesim të marrëveshjeve ndërkombëtare të detyrueshme, respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe bashkëpunimin rajonal, si parime të pashmangshme të së drejtës ndërkombëtare;

Duke riafirmuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian;

Biem dakord si vijon:

Ne njohim se njëzet e tre vjet pas Agjendës së Selanikut, të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor mbeten vendosmërisht në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE.

Ne riafirmojmë fuqishëm angazhimin tonë politik ndaj procesit të anëtarësimit në BE, duke njohur ndikimin e tij thellësisht transformues mbi shoqëritë dhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Ne nënvizojmë rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE si imperativ strategjik për sigurinë europiane, me synimin e forcimit të qëndrueshmërisë, autonomisë dhe gatishmërisë në rajon dhe në të gjithë Europën.

Ne mirëpresim, në këtë drejtim, fokusin e ripërtërirë të BE-së në procesin e zgjerimit dhe në integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, si investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin dhe kontinentin tonë.

Ne theksojmë nevojën për integrim efektiv dhe mbështetje konkrete nga BE ndaj partnerëve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe fushatave të disinformimit.

Ne bëjmë thirrje, për këtë arsye, për një angazhim të ripërtërirë ndaj procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, bazuar në reforma të besueshme, kushtëzim të drejtë dhe rigoroz dhe qasje të bazuar në merita, duke siguruar që çdo partner të përparojë në përputhje me meritat e veta në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

Ne nënvizojmë rëndësinë e harmonizimit me acquis e BE-së, përfshirë Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian.

Ne ripohojmë vendosmërinë tonë për zbatimin efektiv të reformave të nevojshme, me fokus të veçantë tek themeloret.

Ne ripohojmë angazhimin tonë ndaj bashkëpunimit rajonal gjithëpërfshirës, pajtimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si parakushte për anëtarësimin në BE dhe si elemente kyçe në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët europiane.

Ne mirëpresim zbatimin e integrimit gradual ndërmjet BE dhe rajonit dhe bëjmë thirrje për përfshirje të mëtejshme të rajonit në politikat dhe programet përkatëse të BE, që mund të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë integrimin e mëtejshëm në Tregun e Përbashkët të BE, në përputhje me harmonizimin me acquis-n të BE.

Ne nënvizojmë rëndësinë e garantimit të përparimit në kohë për partnerët e Ballkanit Perëndimor që kanë arritur një nivel të lartë përgatitjeje, përfshirë edhe përmes fillimit të hartimit të traktateve të anëtarësimit për vendet që ndodhen në fazën përmbyllëse të negociatave, me synimin për të ruajtur besueshmërinë dhe integritetin e procesit të zgjerimit.

Ne theksojmë angazhimin tonë ndaj zbatimit efektiv të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të kontribuojë në integrimin më të shpejtë të rajonit me tregun e përbashkët të BE dhe të përmirësojë konvergjencën ndërmjet ekonomive.

Ne nënvizojmë rëndësinë e bashkëpunimit efektiv në fushën e migracionit, luftës kundër korrupsionit dhe të gjitha formave të krimit të organizuar.

Ne bëjmë thirrje për integrimin efektiv të rajonit në planifikimin e ndërlidhjes së BE-së, me theks në ndërlidhjen energjetike, të transportit dhe atë dixhitale.

Ne nënvizojmë nevojën për integrimin e transportit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë zgjerimin e Rrjetit Trans-Europian të Transportit (TEN-T) dhe promovimin e iniciativave si Korridoret e Gjelbra, me qëllim lidhjen e rajonit me korridoret kryesore të transportit dhe zinxhirët e furnizimit, si IMEC, Korridori i Transportit Ballkani Perëndimor–Mesdheu Lindor, Korridori VIII përgjatë boshtit Lindje-Perëndim, Korridori X dhe Korridori Vertikal Deti i Zi–Deti Egje.

Ne bëjmë thirrje për lehtësim të mëtejshëm të tregtisë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbështesim përpjekjet për rritjen e qarkullimit të mallrave nëpër kufijtë e BE-së.

Në dritën e Presidencës së ardhshme greke të Këshillit të Bashkimit Europian në gjysmën e dytë të vitit 2027, ne premtojmë të intensifikojmë përpjekjet tona drejt integrimit rajonal dhe europian, me synim ofrimin e përfitimeve konkrete për qytetarët dhe bizneset në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ne shprehim vendosmërinë tonë, në frymën dhe qëllimet e Agjendës së Selanikut, të çojmë aktivisht përpara rrugën e anëtarësimit të të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe të arrijmë rezultate konkrete gjatë presidencës greke të Këshillit të BE-së. Në muajt që paraprin presidencën greke, synimi ynë i përbashkët është të vendosim gurë të rinj themeli drejt afrimit dhe integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Delfi, 22 prill 2026