Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ferit Hoxha deklaroi se shtetasi shqiptar z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, është tashmë rrugës për në  atdhe.

Që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite, pohoi ministri Hoxha.

Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm, nënvizoi ministri.

Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional.

Ky është misioni ynë, të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre, siguroi ministri Ferit Hoxha.