Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

U zhvillua gjatë ditës së sotme, në MEPJ, mbledhja e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Hartimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, e drejtuar nga Zv. Ministrja znj. Miriam Shyti, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve anëtare të grupit të punës.

Ky proces shënon një hap të rëndësishëm në vijim të angazhimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të Qeverisë Shqiptare për forcimin e rolit të diasporës në zhvillimin kombëtar dhe në procesin e integrimit evropian .

Ky proces, i mbështetur teknikisht nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), si dhe nga ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë, do të zhvillohet përmes një qasjeje të strukturuar, gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ndërinstitucionalisht midis të gjitha palëve të interesit. Më tej, ai do të diskutohet gjerësisht në workshope të dedikuara gjatë Samitit të Diasporës në prill 2026.

Strategjia do të jetë në përputhje me Programin e Qeverisë 2025–2029, Kompaktin Global për Migracionin, Axhendën 2030 dhe politikat e Bashkimit Evropian, duke konsoliduar kuadrin ekzistues strategjik kombëtar dhe duke e trajtuar diasporën jo vetëm si burim remitancash, por si aktor kyç të zhvillimit dhe diplomacisë publike.

Deri në vitin 2030, diaspora shqiptare synohet të jetë një partner strategjik i institucionalizuar, bashkëkrijues i politikave publike, me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor dhe demokratik të vendit, si dhe në përshpejtimin e integrimit evropian.