Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

“Diskutimet tona u përqëndruan në veçanti në progresin dhe perspektivën e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”- u shpreh ministri Hoxha. “Pata mundësinë të theksoja progresin e arritur përmes agjendës sonë të reformave dhe të riafirmoja angazhimin tonë të palëkundur për të ruajtur momentumin e fortë të procesit të negociatave, për të përfunduar me negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur objektivin tonë strategjik të anëtarësimit në BE deri në vitin 2030”- shtoi ai.

Gjithashtu në takim u diskutua rëndësia e ruajtjes së një procesi të besueshëm zgjerimi të bazuar në meritë, që shpërblen progresin dhe ofron përfitime të prekshme si për vendet kandidate ashtu edhe për vetë BE-në. “Në mjedisin gjeopolitik të sotëm, zgjerimi nuk është vetëm një politikë transformuese, por edhe një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Evropës” – vuri në dukje ministri.

Ai shprehu më tej vlerësimin e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës për zgjerimin e BE-së dhe i uroi çdo sukses Presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.