Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shkëlqesi,
Të dashur kolegë,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Mirë se vini në Tiranë!

Pak më shumë se një vit më parë, shumë prej jush ishin këtu për Forumin e parë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor. Ai mblodhi më shumë se një mijë pjesëmarrës.

Nga ai forum dolën partneritete dhe memorandume në teknologji, inteligjencë artificiale, bioteknologji, sektorin agro-ushqimor, energji të gjelbër dhe prodhimin e baterive.

Atëherë shprehëm shpresën që ky forum të bëhej traditë. Prania juaj sot tregon se është bërë i tillë.

Ambicia jonë shkon përtej përsëritjes së një aktiviteti të suksesshëm. Unë e shoh këtë forum si një mundësi për ta kthyer dialogun në investime, investimet në rritje ekonomike dhe këtë rritje në forcë për një Evropë më të lidhur dhe më të plotë.

Pikërisht për këtë ka rëndësi titulli i kësaj konference, Horizonti i ri.

Zonja dhe zotërinj,

Për dekada me radhë, rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, është parë kryesisht përmes prizmit të rrezikut. Konflikt, paqëndrueshmëri, tranzicion, vonesa.

Ky perceptim kishte deri diku bazë. Sot, në pjesën më të madhe, ai i përket së shkuarës.

Mjafton një vështrim në hartë për të parë një rajon në zemër të Evropës, mes Adriatikut dhe Danubit, mes Mesdheut dhe Evropës Qendrore.

Është një rajon i ri, ambicioz dhe gjithnjë e më i ndërlidhur.

Lidhjet e tij me tregjet evropiane tashmë janë të forta. Bashkimi Evropian është, me diferencë, partneri ynë më i madh tregtar dhe investitori ynë më i madh.

Ky rajon do të jetë pjesë e së ardhmes së Evropës. Pyetja për investitorët është se kush do të jetë këtu i pari.

Ballkani Perëndimor e ka vendin në zemër të Evropës dhe mund të bëhet një nga burimet e reja të rritjes së saj ekonomike.

Kjo ka rëndësi për ne dhe për Evropën në tërësi.

Sot Evropës i duhen katër gjëra.

I duhen zinxhirë furnizimi që u rezistojnë goditjeve.

I duhen rrugë të sigurta furnizimi me energji.

I duhen kapacitete teknologjike dhe njerëz të kualifikuar për të mbetur konkurruese në një botë ku ritmi është më i shpejtë, konkurrenca më e ashpër dhe hapësira për gabime më e vogël se dhjetë vjet më parë.

Ballkani Perëndimor mund të ndihmojë në të katër drejtimet, brenda hapësirës rregullatore evropiane dhe shumë më pranë tregjeve të BE-së se alternativat e tjera.

Prandaj zgjerimi dhe integrimi ekonomik duhen trajtuar së bashku.

Robert Schuman e tha që në vitin 1950 se Evropa do të ndërtohej «përmes arritjeve konkrete që krijojnë, së pari, një solidaritet faktik». Deklaratat dhe samitet kanë vlerë kur pasohen nga arritje konkrete.

Një hekurudhë, një linjë transmetimi të energjisë, një qendër të dhënash, një fabrikë. Kështu ndërtohet solidariteti.

Zonja dhe zotërinj,

Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është një proces transformimi ekonomik që po ndodh që tani.

Çdo reformë ka një kosto dhe sjell një përfitim.

Qeverisja më e mirë ul rrezikun.

Institucionet më të forta ulin kostot.

Përafrimi i standardeve hap tregje.

Investimet i kthejnë këto reforma në përfitime që qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme. Ato krijojnë vende pune, përmirësojnë infrastrukturën, nxisin inovacionin dhe u japin të rinjve një arsye për të qëndruar.

Anëtarësimi është synimi ynë. Përfitimet duhet të ndihen që përpara anëtarësimit. Pikërisht këtë synojmë me integrimin gradual, duke u dhënë përmbajtje konkrete fjalëve «qasje përpara anëtarësimit».

Ajo që ne e quajmë «koha evropiane» po ecën më shpejt dhe kjo na gëzon.

Dy vjet më parë, Shqipëria ende s’kishte hapur asnjë kapitull negociues. Sot i kemi hapur të 33 kapitujt dhe kemi mbyllur përkohësisht katër. Sipas metodologjisë së re, ishim vendi i parë që përmbushi kriteret e ndërmjetme për sundimin e ligjit. Objektivi ynë është t’i përmbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027.

Për një investitor, këto arritje politike kanë një vlerë konkrete. Ato dëshmojnë angazhimin e Shqipërisë ndaj rregullave dhe standardeve evropiane, një angazhim që Bashkimi Evropian e verifikon përmes një procesi vlerësimi tejet rigoroz.

E njëjta logjikë qëndron në themel të Planit të Rritjes dhe të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Ne i përdorim për të përshpejtuar reformat.

Shqipëria ka siguruar tashmë mbi 212 milionë euro, nga parafinancimi dhe pagesat e lidhura me rezultatet. Së shpejti pritet një disbursim i një vlere të përafërt. Pagesat e lidhura me rezultatet bëhen vetëm kur reformat zbatohen.

Në këtë kuadër, financimi ndjek rezultatet. Kështu duhet të funksionojë.

Zonja dhe zotërinj,

Dua të flas hapur për dy gjëra që investitorët i vlerësojnë edhe më shumë se stimujt financiarë. Ato janë parashikueshmëria dhe besueshmëria.

Bankierit Walter Wriston i atribuohet shpesh shprehja «Kapitali shkon atje ku mirëpritet dhe qëndron atje ku trajtohet mirë».

Unë do të shtoja diçka. Kapitali shkon edhe atje ku e ka të qartë rrugën përpara.

Në një botë ku aleancat ndryshojnë dhe ku sanksionet, tarifat doganore dhe presionet hibride ndikojnë në ekonomi, vendet po bëjnë zgjedhje strategjike.

Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj prej kohësh.

Jemi aleatë në NATO. Jemi plotësisht të harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Kemi zgjedhur angazhime të qarta, partnerë të besueshëm dhe integrimin evropian si themel të zhvillimit tonë ekonomik.

Këtë e quaj qartësi strategjike. Dhe qartësia strategjike është një aset ekonomik.

Ajo sjell më pak të papritura, prime më të ulëta rreziku dhe një drejtim që mbetet i qëndrueshëm përtej zgjedhjeve e krizave.

Investitorët vendosin mbi bazën e asaj që mund të parashikojnë.

Mirëpresim investime nga çdo cep i botës. Do të sigurohemi që ato të forcojnë institucionet tona dhe orientimin tonë evropian. Këtë do ta kemi parasysh edhe kur efektet e një investimi nuk janë menjëherë të dukshme.

Siguria e rrjeteve digjitale, transparenca e pronësisë dhe cilësia e qeverisjes janë garanci që investimet të jenë të qëndrueshme.

Zonja dhe zotërinj,

Ku janë mundësitë? Po përmend tri fusha dhe më pas faktorin më të rëndësishëm për të gjitha.

Së pari, ndërlidhja. Korridori VIII do ta lidhë Adriatikun me Detin e Zi dhe do të krijojë qasje në një treg me miliona konsumatorë. Bashkë me portet tona, investimet e reja në hekurudha, pikat moderne të kalimit kufitar dhe rrjetet digjitale, ai po e shndërron rajonin nga një zonë tranziti në një qendër prodhimi dhe logjistike për zinxhirët evropianë të furnizimit. Në ekonominë e së ardhmes, largësia shton rrezikun dhe afërsia është përparësi. Ne e ofrojmë këtë afërsi.

Së dyti, energjia. Sistemi elektroenergjetik i Shqipërisë mbështetet te hidroenergjia dhe investimet në energjinë diellore po rriten më shpejt se kurrë.

Përmes Gazsjellësit Trans Adriatik, ne tashmë kontribuojmë në sigurinë energjetike të Evropës. Gazsjellësi Jon–Adriatik dhe integrimi i tregjeve rajonale të energjisë elektrike po e kthejnë Shqipërinë në një portë energjetike për rajonin. Evropës i duhen më shumë partnerë energjetikë për të ulur varësinë e saj. Ne synojmë të jemi një prej tyre.

Së treti, teknologjia. Shqipëria ka digjitalizuar pothuajse të gjitha shërbimet publike. Sot, qytetarët dhe bizneset mund t’i marrin këto shërbime nga telefoni, pa pritur në radhë nëpër sportele.

Hapi i radhës është ta shtrijmë këtë transformim edhe në sektorin privat, nga inteligjenca artificiale e prodhimi i avancuar te logjistika inteligjente dhe agrobiznesi modern. Në të gjitha këto fusha, konkurrueshmëria varet nga tri gjëra. Teknologjia, talenti dhe kapitali.

Kjo më sjell te faktori më i rëndësishëm nga të gjithë, njerëzit.

Investitorët seriozë bëjnë pyetje serioze. A janë institucionet në gjendje t’i përmbushin angazhimet e tyre? A janë procedurat transparente? A do të respektohen kontratat? A ka fuqi punëtore të kualifikuar dhe a do të jetë ajo ende këtu pas pesë vjetësh?

Këto pyetje meritojnë përgjigje të sinqerta e konkrete. Reformat tona të radhës synojnë pikërisht që t’u japin përgjigje, përmes:

  • forcimit të kapaciteteve institucionale
  • një gjyqësori të pavarur dhe kompetent
  • prokurimit publik transparent
  • një administrate më efektive
  • investimeve serioze në arsim dhe në zhvillimin e aftësive profesionale.

Kapitali ndjek talentin. Suksesi i çdo zone industriale, porti apo qendre të dhënash varet nga njerëzit e kualifikuar dhe të motivuar. Kapitali njerëzor është themeli mbi të cilin mbështetet kapitali financiar.

Dua të them edhe diçka për diasporën tonë. Qindra mijëra shqiptarë në Evropë dhe në mbarë botën sjellin me vete aftësi, rrjete kontaktesh dhe kapital. Diaspora jonë është një urë bashkëpunimi, përmes së cilës mund të ndërtojmë së bashku të ardhmen e vendit. Kjo ishte ftesa që i drejtuam diasporës në Samitin e Katërt, në prillin e kaluar.

Zonja dhe zotërinj,

Edhe një e vërtetë. Secila prej ekonomive tona, e marrë veçmas, është e vogël. Kur lidhemi përmes rrugëve, linjave të energjisë, rrjeteve të të dhënave dhe rregullave të përbashkëta, Ballkani Perëndimor bëhet shumë më tërheqës për investitorët.

Gjashtë tregjet tona të vogla përbëjnë së bashku një mundësi serioze për investime.

Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian janë pjesë e së njëjtës rrugë, që e përshkojmë së bashku.

Pikërisht për këtë ka rëndësi kjo konferencë. Dhe pikërisht për këtë kam një kërkesë për ju.

Kur të largoheni nga Tirana, krahas kartëvizitave, merrni me vete edhe një hap konkret për të hedhur. Një projekt për ta shqyrtuar, një partner për ta rikontaktuar, një bisedë për financimin që mund ta çoni deri në fund, ose një vendim për të marrë. Dhe, sigurisht, ju presim të ktheheni.

Suksesin e kësaj konference do ta masim me numrin e marrëveshjeve që do të nënshkruajmë.

Po e mbyll.

Jean Monnet besonte se «Evropa do të farkëtohet në kriza». Kishte të drejtë. Në kohë krizash, Evropën e ndërtojnë njerëzit që zgjedhin të investojnë, të angazhohen dhe të qëndrojnë.

Ballkani Perëndimor është Evropë.

Detyra jonë dhe mundësia juaj është ta bëjmë këtë realitet të dukshëm në mënyrën se si tregtojmë, investojmë, inovojmë dhe lidhemi me njëri-tjetrin.

Gjeografia na bëri evropianë.

Reformat po na bëjnë konkurrues.

Investimet do ta bëjnë këtë përparim të pakthyeshëm.

Vendimet për të ardhmen e Evropës do të merren në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane.

Por ajo do të marrë formë edhe në Tiranë e në Shkup, në Podgoricë e në Prishtinë, në Sarajevë e në Beograd.

Horizonti është i hapur. Drejtimi është i qartë. Koha për të investuar është tani.

Faleminderit.