Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

SEANCË DËGJIMORE NË KOMISIONIN PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Tiranë, 13 mars 2026

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar anëtarë,

Ju falënderoj për ftesën për të informuar dhe diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, një rajon ky që për një kohë të gjatë ka dominuar vëmendjen ndërkombëtare me konfliktin e zgjatur mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza dhe së fundi me përshkallëzimin e tij në rajon duke rrezikuar stabilitetin global.

Ndjehem i nderuar që në ditën e pestë në zyrë më jepet mundësia për të qenë i pranishëm në këtë komision të nderuar e të veçantë, për shkak të lidhjes që ka me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Sfondi kryesor: Shumë shkurt meqenëse shumë gjëra janë të njohura, më 28 shkurt 2026, SHBA dhe Izraeli nisën një fushatë të koordinuar ushtarake kundër Iranit.

 Ndërhyrja pasoi me dështimin e bisedimeve diplomatike të mbështetura nga SHBA-të lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Sipas negociatorëve të SHBA, Irani kishte akumuluar mjaftueshëm uranium për të prodhuar deri në 11 bomba bërthamore. Për rrjedhojë, sulmet ishin një veprim parandalues (pre-emptive) dhe objektivi kryesor i operacioneve ushtarake ishte shkatërrimi i programit bërthamor iranian dhe kapaciteteve të tij raketore dhe të dronëve, të cilat konsideroheshin si një mburojë për ambiciet e Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore.

Sulmet ajrore me raketa synuan bazat e lëshimit të raketave, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturën ushtarake iraniane, me qëllim dobësimin e kapaciteteve strategjike të këtij vendi.

Nga ana e tij, Irani ka reaguar me raketa balistike dhe kryesisht ato me rreze të shkurtër dhe me dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajonin e Gjirit. Irani ka sulmuar jo vetëm bazat amerikane në rajon, por edhe përfaqësi diplomatike dhe interesa amerikane dhe me kalimin e ditëve ka sulmuar në mënyrë të përsëritur dhe të qëllimshme infrastrukturën energjetike dhe interesa financiare në vendet e Gjirit, dhe shënjestrimet iraniane kanë synuar deri në Qipro, përfshirë Turqinë dhe Azerbajxhanin. Irani ka lëshuar deri tani rreth 2000 dronë Shaheed, arma më e përdorur dhe më efektive që po përdor Irani.

Që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit të tensioneve, drejtimi politik dhe strategjik i Iranit është përqendruar kryesisht tek udhëheqja supreme e vendit. Në sistemin politik iranian, autoriteti real nuk qëndron te qeveria apo presidenti, por tek Udhëheqësi Suprem i Republikës Islamike, i cili ka kompetencat përfundimtare mbi politikën e jashtme, forcat e armatosura, shërbimet e sigurisë dhe vendimet strategjike të shtetit. Institucione kyçe si Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike veprojnë drejtpërdrejt nën autoritetin e tij dhe luajnë një rol qëndror në vendimmarrjen ushtarake dhe të sigurisë. Presidenti i Iranit, aktualisht Masoud Pezeshkian, ka një rol më shumë ekzekutiv dhe administrativ, por pa autoritet të plotë mbi çështjet kryesore të sigurisë kombëtare dhe strategjisë rajonale, të cilat përcaktohen në fund nga Udhëheqësi Suprem dhe strukturat e lidhura me të. Kjo është vërtetuar edhe nga fakti që deklaratat e tij publike nuk kanë pasur efekt në realitet.

Impakti i deritanishëm i përshkallëzimit: Siç ishte e pritshme dhe siç ndodh rëndom në raste të tilla, përshkallëzimi çoi në shpërqëndrimin e shpejtë të trafikut ajror dhe mbylljen e hapësirës ajrore në disa vende të rajonit, duke sinjalizuar menjëherë përhapjen dhe ndikimin rajonal të konfliktit.

Edhe pse vendet e Gjirit nuk janë pjesë e konfliktit, nuk janë në luftë me Iranin, nuk kanë lejuar përdorimin e bazave të tyre, ato janë gjendur e vazhdojnë të jenë nën sulmet e vazhdueshme, me rrezik për popullsinë dhe ekonominë e vendit.

Strategjia e Iranit është e dyfishtë: rritja maksimale e kostos gjeopolitike për SHBA-të duke zgjeruar konfliktin përmes sulmeve të vazhdueshme të vendeve të rajonit; si dhe rritja e kostos ekonomike për SHBA-të duke shpërqendruar në shkallë të konsiderueshme transportin e naftës dhe gazit, çka ka çuar menjëherë në shtrenjtësimin e çmimeve të lëndëve të para energjetike në tregun botëror.

Lufta ka kosto të konsiderueshme për ekonominë botërore, kryesisht përmes tronditjeve në tregjet e energjisë. Konflikti ka shkaktuar tashmë një nga ndërprerjet më të mëdha të furnizimit me naftë në historinë moderne, duke nxjerrë nga tregu rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa çmimi i naftës është rritur mbi 100 dollarë për fuçi (edhe pse dje ka pësuar rënie). Një pjesë e madhe e kësaj goditjeje lidhet me pasigurinë rreth Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë. Çdo ndërprerje në këtë korridor strategjik rrit menjëherë kostot e energjisë në mbarë botën, duke shtuar çmimet e karburanteve, energjisë elektrike dhe transportit.

Kostoja e dytë e rëndësishme lidhet me presionin inflacionist që krijon lufta në tregjet globale. Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit përkthehet drejtpërdrejt në kosto më të larta prodhimi dhe transporti për pothuajse çdo sektor të ekonomisë, nga industria dhe bujqësia deri te shërbimet. Analizat ekonomike tregojnë se çdo rritje me 10% e çmimit të naftës mund të rrisë inflacionin global me rreth 0.4%, ndërsa njëkohësisht të ulë rritjen ekonomike me rreth 0.15%. Vetëm në Evropë, inflacioni mund të rritet me 0.3–0.5 pikë përqindjeje, duke dobësuar fuqinë blerëse të familjeve dhe duke ngadalësuar ritmet e rritjes ekonomike.

Së treti, konflikti ndikon drejtpërdrejt në tregtinë ndërkombëtare dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Tensionet ushtarake në Gjirin Persik kanë detyruar shumë anije tregtare të ndryshojnë rrugët, ndërsa kostot e sigurimit për transportin detar janë rritur ndjeshëm. Kjo ka sjellë rritje të kostove të transportit dhe vonesa në dërgesat ndërkombëtare. Duke qenë se një pjesë e madhe e tregtisë së energjisë dhe mallrave kalon përmes këtij rajoni, çdo pengesë në lëvizjen e mallrave krijon efekte zinxhir në industri të ndryshme, nga aviacioni dhe industria kimike deri te mallrat e konsumit.

Qëndrimi i Shqipërisë: Qeveria shqiptare ka shprehur mbështetje për veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, duke e konsideruar këtë hap si një masë mbrojtëse apo parandalimi ndaj kërcënimeve të Iranit që perceptohen kundrejt Izraelit dhe aleatëve të tij. Kjo është bërë publike në deklarimet e Kryeministrit dhe të MEPJ-së, ku është nënvizuar se Shqipëria qëndron krah për krah “me partnerët e saj transatlantikë” në situata të tilla me tensione të larta në rajon.

Vendi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë në qëndrimin e tij: regjimi i Ajatollahëve ka shtypur popullin e vet për dekada dhe ka kontribuar në destabilizimin rajonal përmes veprimeve dhe strukturave që minojnë sigurinë rajonale dhe atë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka dënuar me vendosmëri çdo sulm ndaj civilëve dhe çdo veprim që rrezikon përshkallëzimin e pakontrolluar ushtarak. Sulmet dhe kërcënimet që prekin Izraelin, Emiratet e Bashkuara, Katarin, Arabinë Saudite dhe vendet e Gjirit, vendet mike e partnere si Turqia dhe Qipro, si dhe interesat e aleatëve tanë në rajon, janë të papranueshme.

Përveç sa më sipër, qeveria shqiptare ka inkurajuar të gjitha palët të ndjekin dialogun dhe përmbajtjen, duke theksuar nevojën për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm rajonal dhe për të mbrojtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Diplomacia dhe zgjidhjet diplomatike janë gjithnjë të preferuara përkundrejt përshkallëzimit dhe pasojave të tij.

Shqipëria ka mbajtur kontakte të ngushta e të vazhdueshme me autoritetet e vendeve të prekura, në nivelin e Kryeministrit, Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe në kanale të tjera diplomatike dhe, përveçse ka dënuar sulmet e fundit të Iranit ndaj këtyre vendeve, ka shprehur solidaritetin e Shqipërisë ndaj tyre, është interesuar në mënyrë të veçantë për situatën e shtetasve shqiptarë në ato vende. Shqipëria u është mirënjohëse të gjitha vendeve për mbështetjen dhe kujdesin e treguar ndaj shtetasve shqiptarë gjatë krizës.

Masat e marra nga autoritetet tona për mbrojtjen dhe asistencën për shtetasit shqiptarë që ndodhen në rajonet e konfliktit.

Si shume vende të tjera, në Evropë e përtej, Shqipëria është e prekur në aspektin politik e humanitar nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në  rajon. Kjo edhe për faktin se në vendet e prekura nga kriza jetojnë e punojnë qytetarë shqiptarë, siguria e të cilëve mbetet prioritet madhor i Qeverisë Shqiptare dhe Shërbimit të Jashtëm në veçanti.

Për këtë qëllim, që me fillimin e krizës, në Ministri është ngritur dhe ka funksionuar një shtab i posaçëm, i cili në bashkëpunim me ekipin drejtues dhe në koordinim të ngushtë e të pandërprerë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, ka ndjekur e vazhdon të ndjekë, në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontak të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë, si dhe me autoritetet në vendet përkatëse.

Kryeministri Rama dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët tanë në këtë rajon, për të marrë informacionin e përditësuar në kohë reale mbi situatën e sigurisë në këtë rajon, si dhe analizojnë shqetësimet, nevojat, dhe propozojnë masat që duhen marrë për qytetarët shqiptarë rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.

Pavarësisht nga përshkallëzimi i situatës, pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë prej përfaqësive diplomatike, duke vënë në plan të parë nevojën për të ndjekur zhvillimet dhe për të asistuar shtetasit tanë atje.

Përfaqësitë tona kanë kontaktuar në mënyrë aktive qytetarët shqiptarë të regjistruar në zonat e prekura, kanë organizuar procesin e regjistrimit vullnetar, kanë ofruar në mënyrë të vazhdueshme udhëzime për largimin nga zonat e rrezikut dhe duke u koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë për mundësi evakuimi.

Përmes këtij koordinimi janë asistuar dhe udhëzuar qindra shtetas shqiptarë për t’u larguar nga zona e konfliktit, ndërsa një pjesë e tyre janë larguar individualisht ose përmes kanaleve të sigurta të transportit.

Paralelisht, MEPJ dhe përfaqësitë diplomatike kanë bashkëpunuar me vendet partnere dhe shtetet fqinje për të mundësuar përfshirjen e shtetasve shqiptarë në operacionet e evakuimit të organizuara nga këto vende, duke siguruar kështu alternativa të sigurta për largimin e tyre nga rajoni.

Unë dua t’i falënderoj kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi në të gjitha vendet, për punën e shkëlqyer, angazhimin e njëmendtë, kujdesin e vazhdueshëm dhe koordinimin. Është pikërisht në raste të tilla, në kohë krize, kur del në pah në mënyrë të drejtpërdrejtë puna, aktiviteti diplomatik dhe shërbimi publik.

Shifrat: Më lejoni të bëj një një përmbledhje statistikore mbi numrin e shtetasve tanë në rajon :

  • Rezidentë: 2962 shtetas shqiptarë në rajon në fillim të konfliktit;
  • Me qëndrim të përkohshëm: 543 shtetas; këta janë udhëtarë;
  • Të kontaktuar nga ambasadat individualisht, një për një, emër për emër, u

kemi thënë të kontaktojnë: 2511 shtetas (85%);

  • Të interesuar për t’u larguar nga zona e konfliktit: 138 shtetas;
  • Të asistuar/udhëzuar për t’u larguar në forma të ndryshme: 703 shtetas;
  • Të larguar individualisht: 24 shtetas;
  • Të planifikuar për t’u larguar individualisht sipas kanaleve/mënyrave të

sigurta të transportit: 45 shtetas;

  • Qytetarët që janë evakuuar me asistencën e shteteve të treta: 17 shtetas.

Është praktikë që kur një shtet që ka mundësi më shumë organizon lëvizjen e shtetasve të vet, kur ka vende të lira, ndihmon edhe shtetas të tjerë.

Duhet të theksoj se shifrat janë në ndryshim të vazhdueshëm.

Më lejoni të parashtroj shkurt edhe veprimet që janë ndërmarrë me partnerët tanë:

  • MEPJ ka qenë dhe është në kontakt me partnerë ndërkombëtarë dhe

organizata humanitare, për të identifikuar mundësitë e mbështetjes në terren.

  • Përfaqësia jonë diplomatike në Ankara është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e disa vendeve, përfshirë ato të Greqisë dhe Turqisë, të cilat janë shprehur të gatshme të asistojnë shtetasit shqiptarë që mund të kërkojnë të kthehen në Shqipëri, kryesisht përmes rrugëve tokësore.
  • Janë mbajtur kontakte me vendet e tjera për të koordinuar sa më përshtatshmërisht në rastet me përparësi, për familje, të rinj, apo persona në situatë të veçantë.
  • Duke pasur parasysh që Shqipëria nuk ka marrëdhënie dhe asnjë prani në Iran, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Shqipëri dhe ekuivalentin e tij në Teheran, “Gjysmë Hënën e Kuqe” (Iranian Red Crescent Society) është vlerësuar mundësia që, në rast kërkese nga qytetarët tanë, të ofrohet ndihmë për largimin apo evakuimin e tyre nga territori iranian.
  • Po ashtu, IOM ka një zyrë në Teheran me të cilën është në kontakt dhe pritet një përgjigje prej tyre, lidhur me mundësitë e asistencës për shtetasit shqiptarë.
  • MEPJ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile për të bashkërenduar veprimet, për të qenë të përgatitur në çdo rast dhe në përputhje me situatën. Përfaqësitë tona janë duke regjistruar shtetas rezidentë të cilët janë të interesuar të dinë mbi mundësitë për evakuim në rast nevoje ekstreme. Kërkesat ndahen me QKOEC-në në mënyrë që pas konfirmimit dhe vendimit përfundimtar të aktivizohet mekanizmi i ERCC-së (Qendra e Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave në BE) për të realizuar operacionin.
  • Përfaqësia jonë diplomatike në Ankara është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e disa vendeve, përfshirë ato të Greqisë dhe Turqisë, të cilat janë shprehur të gatshme të asistojnë shtetasit shqiptarë që mund të kërkojnë të kthehen në Shqipëri, kryesisht përmes rrugëve tokësore.
  • Janë mbajtur kontakte me vendet e tjera për të koordinuar sa më përshtatshmërisht në rastet me përparësi, për familje, të rinj, apo persona në situatë të veçantë.
  • Duke pasur parasysh që Shqipëria nuk ka marrëdhënie dhe asnjë prani në Iran, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Shqipëri dhe ekuivalentin e tij në Teheran, “Gjysmë Hënën e Kuqe” (Iranian Red Crescent Society) është vlerësuar mundësia që, në rast kërkese nga qytetarët tanë, të ofrohet ndihmë për largimin apo evakuimin e tyre nga territori iranian.
  • Po ashtu, IOM ka një zyrë në Teheran me të cilën është në kontakt dhe pritet një përgjigje prej tyre, lidhur me mundësitë e asistencës për shtetasit shqiptarë.
  • MEPJ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile për të bashkërenduar veprimet, për të qenë të përgatitur në çdo rast dhe në përputhje me situatën. Përfaqësitë tona janë duke regjistruar shtetas rezidentë të cilët janë të interesuar të dinë mbi mundësitë për evakuim në rast nevoje ekstreme. Kërkesat ndahen me QKOEC-në në mënyrë që pas konfirmimit dhe vendimit përfundimtar të aktivizohet mekanizmi i ERCC-së (Qendra e Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave në BE) për të realizuar operacionin.

Situata mbetet në ndjekje të vazhdueshme nga ana e MEPJ-së dhe përfaqësive diplomatike, të cilat vijojnë komunikimin me qytetarët shqiptarë dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për çdo nevojë të mëtejshme asistence.

Koordinimi me partnerë ndërkombëtarë

Qëndrimet e Shqipërisë janë të koordinuara me aleatët tanë, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe SHBA-të në arenën ndërkombëtare. Ky bashkëpunim ndihmon për koordinimin e veprimeve diplomatike, për evakuimin dhe për sigurimin e ndihmës humanitare në rast se ajo do të kërkohet.

Siç e përmenda më lart, Shqipëria ka një qëndrim të qartë. Ndërkohë, që politika e jashtme shqiptare mbështet sigurinë kolektive dhe zgjidhjet diplomatike, ne kemi kërkuar që Irani të ndalë programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike, një qëndrim që Shqipëria e ka mbajtur me forcë edhe gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit. Qeveria shqiptare ka dënuar me forcë dhunën ekstreme që regjimi i Iranit ka ushtruar ndaj protestuesve paqësore dhe viktimat e shumta të shkaktuara.

Shqipëria është në një linjë me vendimet e BE-së për shpalljen e Gardës Islamike Revolucionare Iraniane si organizatë terroriste dhe qeveria po ndërmerr hapat ligjorë për kuadrin ligjor përkatës.

Regjimi i Iranit ka vijuar me sulmet e tij hibride kundër Shqipërisë, siç bëri ne vitin 2022 kundër infrastrukturës teknologjike dhe sistemeve tona kritike, siç ka tentuar disa herë më vonë dhe siç dëshmoi edhe sulmi i fundit kibernetik i cili shënjestroi struktura e IT së Kuvendit. Ne çdo rast, autoritetet tona kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe për t’iu përgjigjur siç duhet kërcënimeve kibernetike nga faktorë armiqësorë.

Bashkëpunimi me Organizatat Ndërkombëtare

NATO

Pas sulmit të Iranit në territorin turk, Shqipëria i është bashkuar vendimit unanim të marrë me konsensus nga të gjitha vendet aleate në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut të datës 5 mars, për rritjen e nivelit të gatishmërisë së mbrojtjes raketore balistike të Aleancës. Ky vendim, i cili u mor për arsye sigurie operacionale, parashikohet të mbetet i tillë deri në uljen e kërcënimeve që vijnë nga Irani.

Menjëherë pas analizës paraprake të sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës teknologjike të Kuvendit, kemi ndarë me aleatët tanë në NATO njoftimin për incidentin dhe indikatorët e komprometimit të sulmit kibernetik.

Me përfundimin e analizës së plotë nga autoritetet respektive në vend, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar me NATO-n, raporti përfundimtar mbi incidentin kibernetik në Kuvendin e Shqipërisë do të ndahet me të gjitha vendet aleate, dhe në rast nevoje, do konsiderohet dhe kërkesa për mbështetje eventuale prej tyre.

OKB

Shqipëria bashkësponsorizoi projekt-rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të qarkulluar nga shtetet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Të dy dokumentet u miratuan nga organet respektive.

Ato dënojnë sulmet e Republikës Islamike të Iranit kundër territoreve të Bahreinit, Kuvajtit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë dhe bëjnë thirrje për ndërprerjen e tyre të menjëhershme. Ndërkohë, një rezolutë alternative e paraqitur nga Rusia nuk gjeti mbështetje.

I nderuar zoti Kryetar, të nderuar deputetë,

Mund të vazhdoj edhe më tej, pasi informacioni është i shumtë dhe i shumëllojtë e nga burime te ndryshme. Po ndalem këtu, duke ju siguruar se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i përgjegjshëm në skenën ndërkombëtare, duke balancuar interesat kombëtare me angazhimet globale dhe duke pasur, siç e kam theksuar publikisht, përparësi sigurinë dhe mirëqenien e shtetasve tanë kudo ku janë.

Jam i hapur për pyetje dhe diskutime të mëtejshme.

Faleminderit!