Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

E nderuar Zonja Kryetare,

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Më lejoni t’ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë për të prezantuar informacionin mbi projekt-buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe për të ndarë objektivat kryesore të Shërbimit të Jashtëm, për vitin e ardhshëm.

Viti që po mbyllim ka shënuar përparime të rëndësishme për politikën e jashtme  të Republikës së Shqipërisë.

Hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një ngjarje historike që ka pasur ndikim të thellë në Shërbimin e Jashtëm Shqiptar të vendit tonë.

Gjatë këtij viti, ne kemi forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë dhe kemi rritur angazhimet në organizatat ndërkombëtare, duke mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo në botë.

Këto përpjekje kanë kontribuar në konsolidimin e imazhit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti dhe si një vend me potenciale për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.

Për të mbështetur këto nisma, ne kemi rritur praninë tonë diplomatike në rajon dhe në vende të tjera, duke hapur ambasadat e reja në Kiev dhe Baku, si dhe konsullatat e përgjithshme në Strugë dhe Ulqin.

Këto hapa janë të rëndësishëm për mbështetje të qytetarëve tanë dhe për avancimin e interesave të Shqipërisë në arenën globale.

Viti 2025 pritet të paraqesë sfida të reja për Shërbimin e Jashtëm. Në përputhje me politikat tona , Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hartuar një projekt-buxhet prej 3.8 miliardë lekësh, buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë për Shërbimin e Jashtëm. Ky buxhet do të financojë aktivitete të rëndësishme që lidhen me forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe partnerët strategjikë, angazhimin në nisma rajonale dhe forcimin e diplomacisë ekonomike dhe kulturore.

Disa nga objektivat kryesore për vitin 2025 përfshijnë:

– Avancimin e procesit të integrimit evropian, me qëllim përgatitjen për anëtarësim deri në vitin 2030, përmes reformave në institucione dhe procese.

– Pjesëmarrjen aktive në nisma rajonale si Procesi i Berlinit dhe Plani i Rritjes, për të siguruar integrimin gradual të rajonit në Bashkimin Evropian. Por, që janë mekanizma që ndërthuren fuqimisht me rrugën drejt Brukselit.

– Ruajtjen e profilit të Shqipërisë në fushën e multilateralizmit, angazhimin proaktiv në organizatat ndërkombëtare, si anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s.

– Thellimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë si SHBA-të, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Greqi, Turqi dhe shumë vende të tjera, për të forcuar bashkëpunimin në fushat e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.

– Forcimin e diplomacisë ekonomike, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thithjen e investimeve të huaja, në mënyrë që të nxitet zhvillimi ekonomik.

– Rritjen e rolit të diasporës shqiptare si një aset për zhvillimin e vendit, duke forcuar lidhjet me komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë.

– Përmirësimin e shërbimeve për qytetarët përmes platformave dixhitale, si modernizimi i shërbimit konsullor online dhe sistemit E-Visa, që do të lehtësojnë aksesin në shërbime dhe do të sigurojnë mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.

– Mbështetje për Kosovën në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon.

 

Për t’u përgjigjur nevojës për rritjen e shkëmbimeve ekonomike ekonomike, tregtare e njerëzore, do të zgjerohet shtrirja e rrjetit diplomatik e konsullor në shtete dhe rajone të ndryshme të botës. Kjo do të realizohet vitin  e ardhshëm,  përmes hapjes së ambasadave të reja në Bosnjë-Hercegovinë, nuk jemi në një vend të rajonit  prej vitesh. Në Indi fuqia e 5-të ekonomike në botë, me projeksion për të qenë e 3 -ta.

Indonezi vend shumë i rëndësishëm në Paqësor, vend me popullësin më të madhe myslimane në botë.

Por edhe në Kenia, që nga rënia e komunizmit Shqipëria është tërhequr nga përfaqësimi në kontinentin afrikan, por mos të harrojmë faktin,  se në Nairobi gjendet selia e katërt e Kombeve te Bashkuara, pas Nju Jorkut, Gjenevës dhe Vienës.

Kemi plan të ngrejmë konsullatave në destinacione strategjike, përfshirë dhe rajonin. Këto hapa do të kontribuojnë në forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe do të ndihmojnë në realizimin e objektivave tona ambicioze për të ardhmen.

 

Të nderuar deputetë,

 

Në terma financiarë, projekt-buxheti për Shërbimin e Jashtëm parashikon një rritje të konsiderueshme prej 635 milion lekësh, që përbën një shtesë prej 20% më shumë se viti 2024. Kjo është dëshmi e angazhimit të palëkundur të Qeverisë shqiptare për të konsoliduar rolin e diplomacisë në shërbim të interesave të vendit dhe në përmbushjen e qëllimeve të politikës së jashtme.

Buxheti i vitit 2025 do të orientohet në këto drejtime:

  1. Realizimi dhe koordinimi i aktiviteteve që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit: Bashkëpunimi me vendet partnere dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal do të ketë fokus në forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe në përmirësimin e standardeve të zhvillimit.
  1. Angazhimi në organizatat ndërkombëtare: Pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në forume shumëpalëshe dhe përmbushja e detyrimeve të anëtarësimit, kuota dhe anëtarësim, duke rritur ndikimin tonë në vendimmarrje globale.
  1. Forcimi i lidhjeve me Bashkimin Europian.
  2. Mbështetja për diasporën shqiptare
  1. Mbështetje për misionet diplomatike dhe konsullore
  1. Mbështetje për strukturat e Shërbimit të Jashtëm

 

Investimet do të përfshijnë projekte të rëndësishme që lidhen me aktivitetin konsullor, si:

 

– Sistemi i Shërbimit Konsullor Online, të cilin do ta financojmë me 115 milion lekë, duke e bërë më të lehtë aksesin në shërbime për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

– Modernizimi i sistemit E-Visa, me një kosto prej 107 milion lekësh, do të rrisë sigurinë dhe eficiencën në procesin e aplikimeve të shtetasve të huaj për viza në Shqipëri.

 

Të nderuar deputetë,

 

Përpjekjet tona për integrimin në Bashkimin Evropian përfaqësojnë një aspiratë të madhe kombëtare. Anëtarësimi në BE është më shumë se një mundësi për zhvillim ; është një proces transformues që do të forcojë institucionet tona dhe do të përmirësojë jetën e çdo qytetari shqiptar. Ky angazhim ka përfshirë breza të tërë dhe është një reflektim i dëshirës së thellë të çdo shqiptari për një të ardhme më të ndritur dhe më të sigurt. Qeveria shqiptare është e përkushtuar të ndjekë këtë rrugë me vendosmëri, duke theksuar se “Europa e Bashkuar është busulla dhe familja jonë natyrale, të cilës i përkasim, por ku ende mungojmë”.

Më 15 tetor 2024, shënuam  një hap të rëndësishëm përpara, duke mbajtur Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në Luksemburg. Në këtë ngjarje, filluam negociatat për grupkapitullin e parë, “Themelorët”, i cili përfshin reforma në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit në terma të përgjithshëm.

Ky moment shënoi një arritje të rëndësishme për Shqipërinë, duke dërguar një mesazh të qartë se jemi të gatshëm të përmbushim standardet e Bashkimit Evropian dhe të kontribuojmë në stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.

Më 30 tetor 2024, Komisioni Evropian vlerësoi angazhimin e Shqipërisë, duke theksuar përparimet tona dhe linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së. Ky vlerësim është një tregues i rëndësishëm se jemi një partner i besueshëm dhe i angazhuar në arenën ndërkombëtare.

Është e nevojshme të theksojmë mbështetjen e fortë nga institucionet e BE-së, e cila është thelbësore për avancimin në procesin e integrimit, hapjen e grupkapitujve të rinj dhe sigurinë e përparimit në përmbushjen e angazhimeve tona.

Për vitin e ardhshëm, Shqipëria ka një plan të qartë dhe të strukturuar dhe dakordësuar për arritjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 — një objektiv që mbështetet nga Komisioni Evropian për mbylljen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të vendosur ta shndërrojmë Shqipërinë në një model të transformimit dhe integrimit, me qëllimin për të hapur të gjashtë grupkapitujt deri në fund të 2025.

Ky proces është ngushtësisht i lidhur me përpjekjet tona për zhvillimin e një ekonomie dinamike dhe një demokracie funksionale, duke ofruar kushte të barabarta për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Në këtë proces, bisedimet me partnerët tanë dhe pjesëmarrja aktive në nisma rajonale, si Procesi i Berlinit, Samiti i Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet në Shqipëri, këto do të forcojnë lidhjet e Shqipërisë me Ballkanin dhe do të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

Intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe zbatimi i Planit të Rritjes, që synon përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me Bashkimin Evropian, janë gjithashtu objektiva të rëndësishëm për ne. Ne jemi të angazhuar të zhvillojmë një proces të ngushtë koordinimi me institucionet e BE-së, për të ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të fortë dhe të besueshëm për Shqipërinë. Kjo do të përfshijë identifikimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillimin e një klime të favorshme për bizneset, që do të kontribuojnë në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Dëshiroj të theksoj se Shqipëria ka një plan të qartë dhe të qëndrueshëm për të realizuar aspiratat tonë të përbashkët  evropiane. Ky patjetër është një rrugëtim i gjatë dhe i ngarkuar me sfida, por me angazhim të fortë dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, jemi të bindur se do ta arrijmë këtë objektiv madhor deri në vitin 2030. Ky proces kërkon përpjekje dhe bashkëpunim nga të gjithë ne — si institucione, si individë por  dhe si komb.

Kam besim se projekt-buxheti që po shqyrtojmë sot do të kontribuojë në mënyrën më të efektshme për realizimin e objektivave të parashtruara për vitin 2025 dhe do të rrisë ndjeshëm performancën e strukturave të Shërbimit të Jashtëm. Asnjëherë dhe askush nuk mund të thotë se fondet për një diplomaci aktive dhe efektive janë të mjaftueshme, por tendenca pozitive e viteve të fundit gjithnjë në rritje të viteve te fundit, pasqyron një angazhim të shtuar të qeverisë shqiptare për të mbështetur konkretisht veprimtarinë e diplomacisë sonë, në shërbim të interesave kombëtare.